Ngjarje

Shpërthimi i bombulës së gazit në Velipojë, gabimi njerëzor shkaktoi tragjedinë

Shpërthimi i bombulës së gazit në një hotel në Velipojë, që shkatërroi thuajse katin e parë të tij dhe la të plagosur rëndë nënën dhe tre fëmijët e saj, duket se është shkaktuar nga një gabim njerëzor.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) ka sqaruar ngjarjen e ndodhur ditën e diel dhe thekson se shpërthimi dhe zjarri, dyshohet të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit GLN nga një prej bombolave të strukturës, e cila mund të jetë lënë hapur gjatë natës.

Sasia e gazit të rrjedhur dhe hermeticiteti i ambientit, ka krijuar kushte për shpërthim dhe zjarr në prezencë të faktoreve të jashtëm, si ndezja e dritave në këtë ambient ose përdorimi i burimeve të tjera të zjarrit nga pakujdesi njerëzore.

Sipas ISHTI-së, shpërthimi dhe zjarri kanë ndodhur në katin e parë të objektit në pjesën jugore të tij në një ambient të mbyllur, që dyshohet se ka shërbyer si magazinë ose ambient shërbimi për familjarët.

“Në pjesën e jashme të objektit janë gjetur 6 bombola gazi kampingu 3-5 kg të destinuara për përdorim në ambient të jashtëm dhe të hapur, me të dhëna të pa identifikuara si pasojë e mbetjeve të zjarrit dhe blozës”, - thuhet në një njoftim për mediat.

Bombulat nuk kanë shpërthyer dhe nuk kanë dëmtime në trupin e tyre, por vetëm efekte të jashtme të shkaktuara nga shtresat e tymit dhe blozës.

Personeli PMNZSH Shkodër, ka sqaruar se 6 bombolat janë gjetur në ambientet e brendshme dhe janë nxjerrë jashtë nga ana e tyre.

Gjithashtu, në pjesën e jashtme të objektit pranë murit rrethues në pjesën e pasme, ndodhej një rezervuar gazi me kapacitet 1.000 litra, i cili ishte i mbyllur dhe bosh.

Dyshohet se ky rezervuar është përdorur për vënien në punë të kaldajave të ujit të ngrohtë në dhomat e hotelit gjatë sezonit të verës së kaluar.

Ndërkohë, familja Gjoka, nëna dhe tre fëmijët ndodhen prej të dielës në spitalin e Djegie-Plastikës në QSUT në gjendje të rëndë shëndetësore. Situata paraqitet kritike, pasi shkalla e djegies trupore sipas mjekëve është e lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë