Ngjarje

Rëndohet tragjedia në Velipojë, pas nënës dhe dy motrave, ndërron jetë edhe djali 12 vjeç

Ka marrë përmasa tragjike ngjarja e ndodhur në muaji korrik, ku një bombol gazi shpërtheu në biznesin e familjes Gjoka në Velipojë.

Tragjedia e familjes nga Lezha është thelluar edhe më shumë, pasi ka ndërruar jetë në Itali edhe djali i mitur 12-vjeçar Enriko Gjoka, i cili po mjekohej në një spital për shkak të shkallës së rëndë të djegieve në trup.

Pak ditë më parë, u nda nga jeta edhe nëna e tij, Alketa Gjoka 40 vjeçe. Ndërsa në fillim të muajit gusht, u ndanë nga jeta edhe vajzat e tjera të familjes Gjoka, Daniela 19 vjeçe dhe Klarisa 15 vjeçe.

Me humbjen e Enrikos, shkon në 4 numri i viktimave nga tragjedia e Velipojës që ndodhi më 4 korrik të këtij viti, kur në hotelin e familjes Gjoka pati një shpërthim gazi.

Të katërt anëtarët e familjes Gjoka morën fillimisht mjekim në QSUT dhe më pas u dërguan në Itali për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së tyre të rëndë. Por fatkeqësisht, asnjëri prej tyre nuk mbijetoi.

Ditën e tragjedisë, kryefamiljarja Alketa Gjoka 40 vjeçe, ka tentuar të ndezë një prej bombolave të gazit, e cila ka pasur rrjedhje dhe ka shpërthyer.

Flakët kanë përfshirë dhomën, por edhe të gjithë hotelin duke plagosur rëndë 4 anëtarët e familjes Gjoka, 40-vjeçaren 2 vajzat 15 dhe 19 vjeç dhe djalin 12 vjeç.

Ata fillimisht u transportuan për në spitalin e Shkodrës, por më pas për shkak të plagëve të marra janë nisur për në Tiranë dhe më pas në Itali.

Në ato momente, shpëtimi nga flakët ishte hedhja në pishinë, ndërsa shihnin hotelin të shkrumbohej, por mjekët jashtë kamerave thanë se uji me klor në fakt nuk i ka ndihmuar por u ka dëmtuar lëkurën, ndërsa djegia e tyre konsiderohet e gradës së tretë mbi 80%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë