Ngjarje

Shoqatat e Mediave: Rama, tërhiq ligjet Antishpifje, janë antikushtetuese

Gjashtë organizata shqiptare të medias dhe të të drejtave të njeriut i kërkojnë kryeministrit të tërheqë nismat ligjore për mediat online. Me anë të një deklarate për median këto organizata i cilësojnë si tentativa e katërt në më pak se katër vjet, që synon të krijojë një regjim kontrolli qeveritar mbi mediat.

“Organizatat nënshkruese të kësaj letre publike shprehin shqetësimin për kërcënimin ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, përmes dy projektligjeve të propozuara nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama dhe bëjnë thirrje për tërheqjen e tyre të menjëhershme. Projektligjet janë prezantuar për konsultim publik, pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj. Projektligjet, të cilat synojnë të krijojnë një regjim licencimi, kontrolli, gjobitjeje dhe mbylljeje të faqeve të internetit, i japin hapësira të gjera autoriteteve të kërcënojnë me gjoba disproporcionale dhe me mbyllje, mediat në internet”, thuhet në deklaratën e 6 shoqatave.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, BIRN Albania, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders dhe Këshilli Shqiptar i Medias shprehen në deklaratën e përbashkët se dy draftet për ndryshime të ligjeve “Për mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, dhe “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet.

“Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e "lajmeve" false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë. Nga ana tjetër, partitizimi i tejskajshëm i institucioneve, që konvencionalisht janë dhe duhet të jenë të pavarura nga pushteti politik, nuk përbën aspak garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe profesionale të medias online, siç parashikohet nga projektligjet”, theksohet në deklaratë.

Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri sakaq është e keqe dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Treguesi i lirisë së medias sipas vlerësimit të Freedom House ka rënë nga 3.75 pikë në vitin 2009 në 4.25 pikë më 2016 dhe aktualisht gjendet shumë pranë nivelit të lirisë së medias në vendet me regjime totalitare, siç janë ato të vendeve ish-sovjetike.

“Shkaku i përkeqësimit të lirisë së medias nuk është tepria e lirisë, por mungesa e saj. Media nuk duhet t'i nënshtrohet asnjë kriteri licencimi apo mbikëqyrjeje të ndryshme, nga të gjitha llojet e bizneseve të tjera”, përfundon deklarata e 6 shoqatave.

Kryeministri ka bërë publike se do të miratojë nismën “Antishpifje” që sipas tij synon të luftojë lajmet e cilësuara si “fake neës”. Edhe pse nuk ka një ligj të veçantë, kryeministri ka propozuar që këtë “Antishpifje” ta ndajë në dy pjesë, duke amenduar dy ligjet për funksionimin e AMA dhe të AKEP. Pikërisht janë këto dy institucione që do të gjobisin mediat online, ose të njohura ndryshe si portale në vlerat që maksimale shkojnë deri në 100 milionë lekë, nëse gjykojnë se kanë shkelur ligjin.

Letra drejtuar kryeministrit Edi Rama

Propozimi i Qeverisë shqiptare për rregullimin e tregut të mediave online ka shqetësuar jo vetëm aktorët e medias në këtë sektor, por edhe organizata ndërkombëtare të medias dhe gazetarisë. Katër prej këtyre organizatave i kanë adresuar një letër të përbashkët Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeministrit Edi Rama ku shprehin shqetësimin e tyre për këtë nismë.
“Ju shkruajmë në emër të Qendrës Europiane për Lirinë e Medias, Federatës Europiane të Gazetarëve, Reporterëve pa Kufij dhe PEN International. E kuptojmë që qëllimi juaj është të luftoni lajmin e rremë nga aktorë anonimë, që mund të ndikojnë tek publiku shqiptar”, thuhet në letrën e dërguar në adresë të Edi Ramës.


Letra vijon më tej me shqetësimin real të lajmeve të rreme dhe keqinformuese, organizatat thonë se Shqipëria nuk është i vetmi vend demokratik që po përballet me këtë fenomen dhe këshillon, që në vend të propozimit në fjalë t’i jepet kohë tregut që të vetërregullohet.

Këto shoqata kërkojnë tërheqjen e menjëhershme të dy projektligjeve. “Përfaqësuesit e OSBE-së e kanë bërë të qartë më shumë se një herë se vendet nuk duhet të vendosin udhëzime përforcuese për regjistrimin e mediave online, në mënyrë që ato të operojnë. Kjo mund të japë një efekt më shumë se negativ në lirinë e medias dhe të shprehjes”, vijon letra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë