Politike

“Shkodra” mund të na shpëtojë nga kriza e madhe politike

Kriza politike që kulmoi me djegien e mandateve të opozitës në parlament e më pas me bojkot të zgjedhjeve lokale  mund të filloj  zgjidhet vetëm nëse të gjitha palët kanë vullnetin që t’i japin Shkodrës një kryetar të ri bashkie të  votuar dhe të mandatar .  Nëse  nuk duan, kriza e Shkodrës do të jetë thjesht një pasojë e krizës së madhe koston e të cilës do ta paguajnë vetëm shkodranët... Por Shkodra dhe Shqipëria meritojnë opsionin e parë. Më poshtë ju propozojmë një shtjellim të plotë e të gjatë se pse Shkodra përfaqëson rastin për një marrëveshje politike...

Dorëheqja e kryebashkiakut Valdrin Pjetri pa bërë ende betimin përpara Këshillit Kashkiak, do të rindezë sërish debatin në arenën politike mbi dekretet presidenciale dhe datën 13 tetor.
Ngërçi i ri që pritet të krijohet do të shkaktojë një përplasje të fortë institucionale mes qeverisë dhe Presidentit për faktin se duhet të firmoset një dekret i ri për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër; e kjo vetëm për kryetarin dhe jo pë Këshillin Bashkiak.
Procedurë ligjore që duhet ndjekur pas konstatimit të vakancës së kreut të Bashkisë së Shkodrës, ku afatet përfshijnë vënien në lëvizje të KQZ-së dhe Presidentit.
Sipas nenit 61 të Ligjit për “Vetëqeverisjen Vendore” mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari: “nuk pranon të bëjë betimin dhe/ose jep dorëheqjen”. Këto dy kushte plotësohen nga Pjetri, i cili me dhënien e dorëheqjes, automatikisht refuzon të bëjë edhe betimin në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak. Gazeta “Si” ka mësuar se të hënën, më 19 gusht, pritet të bëhet mbledhja e parë Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Socialistët do të mblidhet në një nga sallat e rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Valdrin Pjetri duke votuar më 30 qershor 2019, Gazeta "Si"


Në këtë mbledhje pritet që letra e dorëheqjes të depozitohet në Këshill nga vetë Pjetri. Sekretari i Këshillit, sipas pikës dy të këtij neni, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton Prefektin për dorëheqjen e kryetarit.
“Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, Këshilli Bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet Prefektit. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në këtë nen.
PS-ja dukshëm ka ndjekur një strategji për të mos e dëmtuar ligjërisht Valdrin Pjetrin, duke mos e shkarkuar për shkak të ligjit të “Dekriminalizimit”, por për ta “larguar” me dorëheqje ende pa marrë detyrën.


Topi te KQZ dhe 13 tetori i Metës


Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali në një prononcim për Gazeta “Si” shprehet se për rastin e Shkodrës, duhet të ketë një dekret nga ana e presidentit Ilir Meta, duke përmendur si precedent rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, ku presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani nxori një dekret për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të pjesshme. Pas konstatimit të vakancës së krijuar, duhet që brenda 45 ditëve të dalë një dekret për datën e re të zgjedhjeve. Haxhimali thekson se nuk mundet që KQZ-ja të organizojë zgjedhje pa një dekret nga Presidenti, pasi sipas tij, ky institucion e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të Shkodrës; pra nuk gjendemi në kushtet e shpalljes së pavlefshmërisë.

Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali


Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi shprehet për Gazeta “Si”, se duhet që KQZ-ja të njoftojë Presidentin për të shpallur datën e re të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Shkodrës.
Anëtari i KQZ-së, Artan Lazaj në një prononcim për Gazeta “Si”, e cilëson si një procedurë të pashmangshme nxjerrjen e dekretit të ri nga kreu i shtetit.

“Rasti i z.Pjetri është parashikuar nga neni 61/a dhe b e ligjit "Për organet e qeverisjes vendore", pasi ai ka dhënë dorëheqjen dhe nuk pranon të kryejë betimin si kryetar i Bashkisë Shkodër. Detyrimisht KQZ duhet të organizoj zgjedhjet e reja për Kryetarin e Bashkisë Shkodër, sipas kritereve të parashikuara nga nenit 10 pika 3 e Kodit Zgjedhor,sipas të cilit KQZ duhet të njoftojë Presidentin e Republikës për vakancën e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, i cili jo më vonë se 45 dite nga njoftimi duhet të shpalle dekretin për datën e zgjedhjeve, të cilat duhet te zhvillohen për 30 ditë, por jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës së postit të Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, shprehet Lazaj.

Ish-anëtari i KQZ, Artan Lazaj


Mazhoranca do të përplaset sërish me Presidentin për t’i kërkuar të nxjerrë një dekret tjetër për Bashkinë e Shkodrës. Por, kreu i shtetit, siç dihet, ka anuluar dekretin e 30 qershorit dhe ka nxjerrë një dekret tjetër që zgjedhjet të mbahen më 13 tetor. Pikërisht këtu nis edhe ngërçi, për faktin se dekreti i Metës për anulim dhe datë të re për zgjedhjet lokale nuk është i botuar në Fletoren Zyrtare.
Për Lazajn, kreu i shtetit është i detyruar që të nxjerrë dekretin për zgjedhjet. “Po ta trajtojmë si rast të veçuar, Meta është i detyruar që jo më vonë se 48 orë nga njoftimi i KQZ, të nxjerrë dekret, pasi në të kundërt shkel Kushtetutën”, shprehet më tej ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se nuk do të mblidhet deri në muajin shtator, duke refuzuar kështu edhe zbatimin e dekretit të presidentit Meta që zgjedhjet të mbahen në një datë tjetër. KQZ nuk mori në konsideratë kërkesën e tre partive opozitare, PR, LSI dhe PAA për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale.

Kjo situatë për Krasniqin do të krijojë jo pak probleme, për vetë faktin se KQZ ka deklaruar nuk do të mblidhet deri në shtator dhe se afat 45 ditor për zgjedhje të reja në Shkodër përkon pikërisht më 13 tetor.

Afrim Krasniqi, drejtori i ISP


Neni 10, pika 3 e Kodit Zgjedhor përcakton se në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit.
“Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”, thuhet më tej në këtë nen.
Beteja e Shkodrës mund të shërbejë edhe si një mundësi për tejkalimin e krizës politike në vend, ku mazhoranca mund të tentojë arritjen e një kompromisi me opozitën. Datën 13 tetor po e afrojnë afatet e Shkodrës, e dekreti i presidentit mund të shërbejë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Por deri më tani, presidenti Meta ka dhënë sinale të qarta se do të refuzojë nxjerrjen e një dekreti të ri për zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, pasi sipas tij, zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 13 tetor.


Nëse presidenti Meta nuk do të pranojë të nxjerrë një dekret të ri për zgjedhjet e pjesshme, mazhoranca mund të ndjekë skenarin tjetër që të drejtojë Bashkinë e Shkodrës me një të emëruar të përkohshëm si kryetar, pas gjashtë muajsh vakance. Kjo, si zgjidhje derisa mazhoranca të vendos të shkarkojë Metën nga posti i presidentit dhe të zgjedhë një kryetar të ri të shtetit.

Voltana e “fituar”, drejton bashkinë


Një përplasje jo e vogël pritet të ndodhë për faktin se kush e gëzon të drejtën e drejtimit të bashkisë ku ekziston kjo vakancë. Kryetari shoqatës së bashkive, Haxhimali thekson për Gazeta “Si” se deri në betimin e kryebashkiakut të ri në detyrë qëndron Voltana Ademi. Ai e bazon këtë tezë te neni 60 i ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”. “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”, thuhet në këtë dispozitë.
Por një zgjidhje tjetër është edhe ajo që këshilli i ri bashkisë, që dominohet nga socialistët të caktojnë nënkryetarin e bashkisë si drejtues, derisa të zgjidhet i riu. “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, thuhet në pikën 5 të nenit 61 të ligjit.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, duke dalë pas depozitimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese


Por kjo shihet e pazbatueshme për faktin se nënkryetari i bashkisë, aktuali është i së djathtës. Për shkak të kësaj situate, PS-ja si vendimin ekstrem mund të kërkojë zbatimin e pikës 6 të këtij neni ku “në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e 27 votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit”.


Sekretari i Çështjeve Ligjore në PD, Çlirim Gjata, në një prononcim për median, deklaroi se “për Shkodrën, në krye të bashkisë teknikisht do të qëndrojë Voltana Ademi derisa të bëhen zgjedhje të reja”. Për opozitën, zgjedhjet e 30 qershorit kanë qenë votime qeveritare dhe se ato nuk njihen pasi nuk ka pasur dekret. “Duhet të ketë një marrëveshje që të shkohet në zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, ku të marrin pjesë të gjitha partitë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka zgjedhje nga e para në Shkodër se nuk ka pasur zgjedhje asnjëherë. Duke mos pasur zgjedhje me 30 qershor duhet të ketë marrëveshje se kur do të mbahen zgjedhjet. Zgjedhjet do të zhvillohen në gjithë Shqipërinë, nuk ka rrugë tjetër. Do të bëhen kur të krijohen kushtet”, theksoi Gjata.

Ndërsa si zgjidhje tjetër është që Shkodra të shërbejë si zgjidhje për 30 qershorin duke u ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, si një rast i veçantë, për faktin se kush duhet të jetë kryetari i bashkisë deri në zgjedhjet e reja lokale të pjesshme apo të përgjithshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë