Politike

Legjenda e re e Shkodrës– Sikur Voltana të ishte Rozafa dhe Valdrini vëllai i vogël që nuk tregoi

Fati i pushtetit në Bashkinë e Shkodrës po përngjan me fatin e kalasë së Rozafës, ku shqiptarët në legjenda besonin se ajo ndërtohej ditën, por shkatërrohej natën. Nëse do të mbanim të njëjtën analogji, siç duket se po rrjedhin ngjarjet në këtë qytet, ku s’dihet ende se kush dhe për sa kohë do ta drejtojë, Voltana Ademit i qëllon fiks të jetë Rozafa e legjendës, ku njëra pjesë e qënies së saj politike i ka mbetur jashtë bashkisë, pasi bojkotoi zgjedhjet dhe një tjetër ende brenda sepse kandidati fitues i PS pas 30 qershorit u dorëhoq. Valdrin Pjetri me siguri është vëllai i vogël që nuk i tregoi të vërtetën, vëllezërve më të mëdhenj (nënkupto Ramën, apo dhe Taulant Ballën). Legjenda thotë se Rozafa (Voltana) u muros për të shpëtuar e ngritur kalanë (bashkia) dhe vëllai i vogël (Valdrini) mbeti vetëm. Kjo legjendë re që po thurret sot në Shkodër, fillin duket e ka njësoj, por fundi nuk dihet. Kjo analogji e ka një shpjegim teknik e ligjor, që ngre shumë hipoteza politike, të cilat gazeta po i shtjellon më poshtë:

Dorëhqja e Valdrin Pjetrit nuk e ndalon procesin e verifikimit të nisur nga Prokuroria. Nëse në fund të këtij procesi, organi i akuzës do të dalë në përfundimin se ai ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin, atëherë veç pasojave ligjore për vetë kandidatin socialist për Bashkinë e Shkodrës do të prodhohet edhe një situatë e re në krizën politike.

Me këtë skenar, të gjitha sinjalet të çojnë në përfundimin se kriza do të marrë përmasa të tjera kombëtare, por e përqëndruar do të jetë në Shkodër. Tashmë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të detyrohet që të shpallë pavlefshmërinë e pjesshme të zgjedhjeve për këtë bashki.

Kjo do të thotë se KQZ do të vlerësojë si të pavlefshme zgjedhjet vetëm për Bashkinë e Shkodrës dhe do të dalë me një vendim për caktimin e datës së re të mbajtjes së tyre. Por kush do ta drejtojë këtë bashki deri në zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, duke qenë se Voltana Ademit i përfundon mandati më 20 gusht? Këtu ka dy rrugë. E para që këshilli bashkiak të caktojë një nga nënkryetarët e bashkisë për drejtimin e institucionit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Por, edhe këshillit bashkiak aktual i përfundon mandati në të njëjtën datë me Voltana Ademin. Kjo do të thotë se këtë veprim mund ta kryejë vetëm këshilli i ri bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. As kjo nuk pritet që të ndodhë, pasi burime nga Partia Socialistë konfirmojnë për gazetasi.al se është ngrirë procesi i konstituimit të këtij këshilli, fill pas publikimit të dokumentacionit për Valdrin Pjetrin nga ana e Partisë Demokratike.

Me djegien e këtyre dy mundësive mund të aktivizohet e treta, që është ai i zgjatjes së mandatit të Voltana Ademit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të bashkisë.

Po nëse Pjetri do të kryente betimin dhe pas këtij hapi mbi të do të vepronte dekriminalizimi? Në këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pak rëndësi do të merrte dhe as mund ta shkarkonte dhe as të caktonte datën e re të zgjedhjeve. Këtu hyn në lojë Këshilli i Ministrave, që duhet të vendoste për shkarkimin e tij, ashtu si në rastin e Elvis Rroshit, apo të Shukri Xhelilit. Kjo rrugë përfshinte edhe Presidentin e Republikës. Pas shkarkimit nga ana e Qeverisë, Presidenti duhet të dekretonte datën e re të zgjedhjeve të pjesshme vetëm për Bashkinë e Shkodrës.

Duke e ditur qëndrimin e Presidentit për 30 qershorin gjërat ndërlikohen edhe më shumë. 30 qershori për Ilir Metën nuk ekziston si datë zgjedhjesh, e për rrjedhojë as kandidatë për kryetarë bashkie, as kryetarë të rinj bashkie dhe as kryetar të shkarkuar bashkie. Për Presidentin zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen në të gjithë vendin më 13 tetor.

Por, vetë 13 tetori është rrëzuar nga mazhoranca, fillimisht duke mos e publikuar në Fletoren Zyrtare dhe pastaj duke mos hapur regjistrimet për partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë rast, shumica do të këmbëngulë që Presidenti të dekretojë një datë përtej 13 tetorit dhe vetëm për Bashkinë e Shkodrës.

Në kushtet aktuale të raporteve Presidencë-Kryeministri, nuk ishte e vështirë të parashikohej në këtë skenar se përballë këmbënguljes së mazhorancës për shpalljen e zgjedhjeve të reja të pjesshme për Shkodrën, Presidenti do të përforconte këmbënguljen e vet se 30 qershori nuk ekziston e për rrjedhojë as Valdrin Pjetri si kandidat, apo kryetar bashkie i Shkodrës.

Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 15 gusht 2019

Ngjyrave të reja të mozaikut të përplasjes mes Ilir Metës dhe Edi Ramës në këtë rast do t’i shtoheshin edhe ato të opozitës. Partia Demokratike duket edhe më e bindur pas rastit “Pjetri” se me Edi Ramën kryeministër nuk mund të zhvillohen zgjedhje, as të pjesshme dhe as në të gjithë vendin.

Por, tani dorëheqja e Valdrin Pjetrit ccon në një situatë të re, që ngre disa dilema se si do të sillet opozita përballë zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër, gjithmonë pasi KQZ të nxjerrë datën e re të zhvillimit të tyre. Nuk është e vështirë të mendohet se përsa kohë Partia Demokratike bojkotoi një proces kombëtar, si ai i 30 qershorit, gjasat janë që do t’i bojkotojë edhe zgjedhjet e pjesshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë