Politike

Skadoi afati për 13 tetorin, PD nuk u regjistrua. Meta: Zgjedhjet, zgjidhja e krizës

Dje ishte afati i fundit zyrtar për partitë politike që  mund të regjistroheshin për zgjedhjet e dekretuara nga presidenti Meta më 13 tetor. Vetëm tre parti opozitare paraqitën kërkesat e tyre, teksa PD dhe PS vijon të mbrojnë pozicionet e tyre. I gjendur në këtë situatë, presidenti Meta ka bërë një reagim në rrjetet sociale, duke dhënë mesazhe për gjetjen sa më shpejtë të një rrugëdalje nga kriza.

Për kreun e shtetit, zgjedhjet janë e vetmja mundësi në demokraci për t’i dhënë fund krizave, pasi në rast të kundërt ndëshkohen politikanët.

“E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. Pa zgjedhje nuk ka demokraci. Pa demokraci nuk ka drejtësi të pavarur. Pa të dyja së bashku nuk ka të drejta dhe ekonomi për të gjithë shqiptarët. Dhe as ndëshkim për politikanët.”

Për Metën vijimi në këtë gjendje i shërben vetëm një pakice shumë të vogël në vend dhe dëmton seriozisht rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.

“Moszgjidhja i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe nuk e do çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi ka për të humbur gradualisht pushtetin e paligjshëm politik, ekonomik dhe mediatik.”- thekson Meta.

Me “18 tetori po afron!”, e mbyll Meta këtë reagim të tij në facebook, që tingëllon si një paralajmërim i fundit për politikën shqiptare për gjetjen sa më shpejt të një kompromisi politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë