Lajme

Të hënën mblidhet këshilli bashkiak, PD paralajmëron protestë në Shkodër

Këshilli Bashkiak  i Shkodrës konstituohet të hënën në orë 11:00, duke bërë që të realizohet vetëm betimi i këshilltarëve socialistë, pasi kryebashkiaku i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen.

Për shkak se bashkia kontrollohet nga demokratët, PS-ja ka zgjedhur që ky konstituim të realizohet në një nga auditoret e rektoratit të Universitetit të Shkodrës.

Për këtë zhvillim Partia Demokratike, dega Shkodër, ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste përpara godinës së Rektoratit të Universitetit.

“I bëjmë thirrje Rektorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të ruajë strikt asnjanësinë institucionale dhe të mos e përziejë auditorin e dijes universitare në lojën e pisët të partisë socialiste. E njëjta thirrje i adresohet çdo drejtuesi tjetër rajonal ku shpura e të bojkotuarve do të kërkojë të fshihet për të kryer një akt të paaprovuar! Thirrja dhe akuza kryesore i drejtohet Edi Ramës: Larg duart nga Shkodra dhe mos e shndërro kryeqendrën e Gegnisë në një fushëbetejë të parë të përplasjes së reparteve tuaja paramilitare me qytetarët e lirë! Ju duhet t’i kërkoni falje dhe të tërhiqeni nga Shkodra në pritje të garës së ndershme dhe jo të vijoni aksionin uzurpues ndaj saj! Përpjekja e 30 qershorit për të instaluar një pushtet monist është refuzuar në mënyrë plebishitare nga elektorati i Shkodrës”, thuhet në deklaratën e degës së PD-së.

Më tej u bëhet thirrje qytetarëve të Shkodrës që ditën e hënë të bashkohen me anëtarët e Këshillit Legjitim Bashkiak, deputetë dhe kryesinë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të autonomisë vendore, të drejtave pluraliste dhe demokratike që shoqëria shkodrane ka promovuar në histori. Grumbullimi i mbështetësve të PD-së do të bëhet në ora 10:00.

Valdrin Pjetri gjate fushatës elektorale të qershorit 2019, Gazeta "Si"

“Çdo përpjekje për të injoruar me arrogancë mesazhin e shumicës së qytetarëve të Bashkisë së Shkodrës, përmes thirrjeve te paligjshme për mbledhjen e institucioneve moniste të demaskuara tanimë botërisht i konsiderojmë një provokim ndaj rendit normal të punëve në komunitetin tonë dhe përsëritje e veprimeve dhunuese, që kasta puniste e ushtarakëve të përdorur të Tiranës kërkon t’i rinovojë 30 vite pas përmbysjes së regjimit të etërve”, thuhet në deklaratë.

Dy ditë më parë, në Shkodër u protestua kundër kryebashkiakut Valdrin Pjetri, i cili sipas PD-së rezulton i dënuar në Itali për trafik droge në vitin 2003, një ngjarje e fshehur nga vetë kandidati socialist në formularin e “Dekriminalizimit”.

Pas këtyre qëndrimeve të forta të PD-së, kandidati socialist, fituesi i zgjedhjeve pa garë në bashkinë e Shkodrës, u detyra të jepte dorëheqjen, duke mos pranuar që të ushtronte detyrën e kryebashkiakut.

Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja me anë të një shkrese kërkon mbledhjen e këshillit bashkiak të Shkodrës më 19 gusht. Shkresa e firmosur nga prefekti ka tre pika në rendin e ditës, konstituimi i këshillit dhe zgjedhjeve e organeve drejtuese dhe përfaqësuese; zgjedhje e përfaqësuesve të anëtarëve të rinj në këshillin e qarkut. Pika e tretë është shpallja e vlefshmërisë së kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Me këtë akt pritet të bëhet publike edhe fakti i dorëheqjes nga post i Valdrin Pjetrit.

Dokumenti i firmosur nga Prefekti i Shkodrës për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë