Histori

Shkëlqimi dhe rënia e Bosman, njeriut që ndryshoi futbollin

Fillimi i xhirimit të një dokumentari mbi Jean Marc Bosman, është  një rast për të risjellë në mendje vendimin që mban emrin e tij. Një vendim që revolucionarizoi botën e futbollit, por privoi një lojtar mediokër belg nga karriera, familja, paraja, mundësia e një jete normale. Nëse do të ishte një roman, jeta e Jean-Marc Bosman do të ngjante me Hugo Claus të  “Vuajtja e Belgjikës”, mbi të gjitha për atë ndjenjën e dobësisë ekzistenciale dhe sociale.

Bëhet fjalë për 25 vjetorin e vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për çështjen nr. C-415/93, i njohur si akt-vendimi Bosman. Një vendim me pasoja  shkatërruese, jo vetëm për botën e futbollit, por edhe për vetë lojtarin, i cili humbi në momentin në të cilin kishte fituar. Sepse gjithçka u shkatërrua pas betejës legale. Karriera, familja, mundësia e një jete normale. Edhe paratë janë zhdukur. Bosman lufton prej vitesh kundër një harrese që duket paradoksale. Emri kujtohet përgjithmonë, personi jo.

Villers L’Évêque është një fshat si shumë të tjerë përgjatë rrugës Borgëorm-Liège, në pjesën frëngjisht-folëse të rajonit Hesbaye. Jeta provinciale, problemet sociale të një klase të mesme që po përballet me zhdukjen. Godina më e njohur në këtë fshat është garazhi i një shtëpie: mjete të shpërndara, një biçikletë e varur në mur, asnjë makinë. Kanë kaluar trembëdhjetë vjet që kur Bosman përshëndeste gazetarin e Observer për një intervistë në një vilë me kopsht dhe pishinë, ku binte në sy një BMW e parkuar. “Kjo është e gjitha çfarë më ka mbetur. Në janar pata një sulm epilepsie dhe as biçikletën nuk mund të përdor. Nëse nëna ime, e cila është 90 vjeç dhe jeton disa kilometra nga këtu, ka nevojë, jam i detyruar të marrë një taksi. Kam më pak para se kur fillova të luaj. Kujtohem si një futbollist mediokër, por në fillim kam qenë lojtar premtues. Më thirrnin Bobby për nder të Bobby Charlton. Në të gjitha ekipet e moshave të Belgjikës, konsiderohesha si ndër talentet më premtuese. Kam luajtur një turne në Nice, ku mposhtëm në finale Interin, me golin tim. Në fund të ndeshjes Raymond Goethals (trajneri i Standardit) më tha që zikaltërit kishin kërkuar informacion për mua, por që ata nuk do të më lejonin të largohesha. Ky ka qenë kulmi i karrierës time, në të cilën jam ndjerë krenar “.

I ati i Bosman shkarkonte qeset e qymyrit derisa humbi punën dhe filloi taksist. Nëna, me origjinë sllovene, ishte dërguar në një kamp përqendrimi në moshën 12 vjeçare. “Të gjithë më pyesnin pse pas futbollit,  nuk jam marrë me ndonjë gjë tjetër. Por unë nuk dija të bëja asgjë. Kam braktisur shkollën e mesme, urreja të studioja dhe askush në shtëpi nuk kishte kohën dhe mundësinë të më ndiqte. Ajo e futbollistit ishte e vetmja jetë që e kisha imagjinuar gjithmonë, që kur babai im më çoi për herë të parë në stadium, kur isha dhjetë vjeç për të ndjekur Standardin. Një herë në shkollë i thanë që të mos kishte shumë iluzione për mua, sepse nuk ishin të paktë ata që kërkonin të luanin, por ai u përgjigj: një ditë të gjithë do të dëgjojnë për Jean-Marc Bosman ”.

Më 8 maj 1982, Standardi kishte fituar titullin kombëtar pas 11 vjetësh, duke mposhtur Thor Waterschei. Dy vjet më vonë hetimet zbuluan që lojtarët kundërshtarë ishin blerë. “Vitet në vazhdim ishin një kaos total: menaxhimi zero, pa asnjë projekt, llogaritej vetëm mbijetesa e klubit. Nuk ishin kushtet ideale për tu rritur si lojtar. Kështu që më shitën për 75 mijë euro te skuadra tjetër e qytetit, Royal Liege. Fillimisht ecëm mirë, luajtëm edhe në Europë. Pastaj gjërat filluan të përkeqësoheshin. Një klub  francez, Dunkirk, më kishte kërkuar dhe belgët kërkuan 375 mijë euro për kartonin tim, ose pesë herë më shumë se sa më kishin paguar. Në Francë do të kisha fituar tre herë më shumë, kështu që refuzova ofertën gati ofenduese për të rinovuar me Royal Liege: 275 euro në muaj, paga minimale. Përfundova jashtë ekipit dhe i  pambrojtur. Nuk më lejonin të stërvitesha dhe nuk kam marrë asnjë euro të vetme, në një kohë kur nuk kishte asnjë asistencë për lojtarët e papunë në Belgjikë”.

“Një ditë mora një letër ku më njoftonin rreth çmimit për transferimin tim në Francë: 560 mijë euro. Ishte një skuadër  tjetër e interesuar për mua, Saint-Quentin, e cila më kishte thirrur për një ndeshje provë kundër Valenciennes. Unë nuk kisha mundësi të shkoja sepse kisha një seancë dëgjimore në gjyq kundër Royal Liege, atë ditë. Më vonë mësova se presidenti i Royal Liege, Andrè Marchandise, kishte kontaktuar kolegun e tij francez, duke thënë se ai kishte për qëllim të hapte dy magazina për ruajtjen e mallrave me kompaninë e tij, Trafic. Pastaj i tha: thyej premtimin që i ke dhënë Bosman dhe unë do të të jap edhe dy lojtarë. Përgjigjja ishte negative, por më vonë Saint-Quentin, falimentoi”.

Paratë dhe dëshira për hakmarrje. Këto ishin arsyet që e shtynë Bosman të vizitonte zyrën e avokatit Luc Misson në Liège. Një personazh me të vjetrën,  me mjekër dhe llullë, madje as një tifoz i madh futbolli. E kundërta e Jean Luis Dupont, një i ri i shfrenuar që kohët e fundit kishte mbaruar praktikën dhe i cili iu bashkua atij në këtë çështje. Të dy menjëherë kuptuan se ata kishin një bombë në duar. Ishte Misson ai që gjeti çelësin për të shkatërruar sistemin, duke u mbështetur në një firmë ligjore të Brukselit, e specializuar në ligjin e punës. Në 1990-ën Bosman luante me RFC de Liege. Kontrata e tij ishte drejt fundit dhe klubi i ofroi një marrëveshje të re nga e cila ai do të përfitonte dy të tretat më pak në krahasim me kontratën e mëparshme. Bosman refuzoi, donte të shkonte të luante te Dunkerque, në Francë, por Liege  i kërkoi një dëmshpërblim prej 600.000 eurosh (me vlerën e sotme). Një shifër shumë e lartë për atë kohë. Ai e dërgoi çështjen para Gjykatës së Drejtësisë së Komunitetit Europian, që më 15 dhjetor 1995-së i dha të drejtë. Në fakt u vendos që, në bazë të Traktatit të Romës, një futbollist është i barabartë me çdo punëtor dhe që, për rrjedhojë, ka të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet europiane në përfundim të kontratës që lidh me punëdhënësit e tij. Intuita e tij ligjore për të barazuar lojtarët me punëtorët e zakonshëm të vendeve të BE-së, për të cilat kishte lëvizje të lirë brenda Komunitetit Evropian, shpërtheu bombën. “Unë nuk mund të perceptoja atë që do të ndodhte. Nuk kuptoja asgjë nga çështja. Unë isha në qoshe dhe doja vetëm të dilja nga kafazi, në të cilin Royal Liege më kishte mbyllur. Sot kam një avokat tjetër, Renaud Molders, i cili punon për firmën Misson. Sa për Dupont (i cili është rikthyer në qendër të vëmendjes për kundërshtimin ndaj  fair-play financiar të Michel Platini), rrugët tona u ndanë pas vendimit “.

“Nuk e vrava futbollin”

Më 1 korrik 2015, shteti belg i heq asistencën (“700 euro në muaj) Bosman, me motivimin se ai nuk po bënte përpjekje të mjaftueshme  për të gjetur një vend pune. Për disa muaj ai kishte punuar si operator ekologjik në Komunën Awans pranë shtëpisë së tij. “Me këtë periudhë që po jetojmë, as të rinjtë nuk e kanë të lehtë të gjejnë punë, e jo në mbi 50 vjeç. Kam jetuar me kompensimin nga procesi, dhurimet e FIFPro (shoqata ndërkombëtare e futbollistëve), rreth 300 mijë euro, dhe me donacionet e disa lojtarëve. Koemans dhe De Boers më kanë dhuruar 3 mijë euro. Disa kohë më parë mora një telefonatë nga Parisi. Ishte Veronique Rabiot, nëna dhe menaxherja e Adrienit. Ai kohët e fundit kishte nënshkruar një kontratë të mirë me Paris Saint-Germain. Ai më dha 10,000 euro sepse, sipas tij, më takonte edhe mua diçka në atë kontratë. Sot lexoj që Rabiot luan te Juventus pasi refuzoi të rinovonte me PSG dhe përfundoi jashtë ekipit. Por ai ka duruar dhe tani ai mund të gëzojë një pagë prej 7 milion euro. Në krahasim me tridhjetë vjet më parë, gjithçka ka ndryshuar vërtet “.

Alkooli, depresioni, taksat e papaguara, një gjyq për dhunë ndaj partneres (ish) dhe disa investime të gabuara (mes tyre, një linjë bluzash të lidhura me rastin e tij, të cilat askush nuk i bleu) e kanë ulur në gjunjë Bosmanin. “Kam bërë shumë gabime dhe nuk kam aspak problem ta pranoj. Por gjëja që nuk mund ta gëlltis është fakti që unë jam braktisur nga bota e futbollit. Ata duhet të më shtrojnë tapet të kuq, përkundrazi të rinjtë nuk e dinë as se kush jam, dhe të tjerët pretendojnë se nuk më njohin. Ka nga ata që më akuzojnë se kam shkatërruar futbollin, por nuk është e vërtetë, unë vetëm e kam bërë më të pasur”.

Më Shumë