Analize

Serbia, e para në Ballkan që merr vaksinën anti-Covid të hënën. Po Shqipëria?

Serbia duket se ka parakaluar të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe shumë nga ato europiane në “garën” për sigurimin e vaksinave, duke marrë dozat e para javën e ardhshme. Ajo  është ndër vendet e para që do të marrë vaksinën sepse ishte një nga pesë shtetet e para në botë që nënshkroi një kontratë të drejtpërdrejtë me Pfizer.

Ministri serb i shëndetësisë Zllatibor Llonçar, deklaroi në Novi Sad se dozat e para të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit, do të arrijnë në Serbi të hënën ose të martën (21 ose 22 dhjetor), ku dërgesa e parë do të jetë prej më pak se 5,000 doza. Ai shtoi se vaksinat do të shpërndahen fillimisht në azilet e të moshuarve.

Llonçar deklaroi se licenca për importin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech është dhënë më 17 dhjetor nga Agjencia për Barnat dhe Pajisje Mjekësore dhe se dozat e ardhshme do të mbërrijnë, siç janë premtuar, deri në fund të vitit.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ndodhej në SHBA për të negociuar me kreun e Pfizer për vaksinat, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, do të deklaronte më 12 dhjetor se Serbia kishte porositur tanimë 340,000 doza të vaksinës nga kompania amerikane dhe se vaksina ruse Sputnik V do të vijë së shpejti.

Ashtu si Serbia, edhe Maqedonia e Veriut ka bërë porositë e para për vaksinën kundër Covid-19 në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompanitë prodhuese, duke nënshkruar një kontratë me kompaninë AstraZaneca për 800,000 doza të vaksinës, të cilat pritet të arrijnë në fillim të vitit 2021. Vaksinat e kompanisë Pfizer kushtojnë rreth 18.40-19.50 dollarë, ndërsa ato të kompanisë amerikane Moderna 25-37 dollarë.

Por ku do të vijë vaksina në Shqipëri?

Vendi ynë, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi presin që të marrin vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërsa pjesën tjetër do ta blejnë vetë ose do ta marrim si ndihma nga vendet e BE-së. Por arsyeja përse kryeministri Rama vendosi të negociojë në momentin e fundit dy javë më parë vetë më kompaninë Pfizer, është se ky program nuk pritet  të sigurojë në kohë vaksinën për asnjë nga vendet e Ballkanit. Edhe pse kjo nismë është në këto momente shpresa më e madhe e Shqipërisë për vaksinimin e popullsisë, Covax nuk do të dorëzojë dozat e  para në Shqipëri përpara pranverës.

Mediat serbe shkruajnë se Komisioni Europian ka njoftuar dy  javë më parë qeveritë e Ballkanit Perëndimor se Covax  nuk mund të sigurojë vaksinën për vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, përpara majit, një lajm që sipas tyre ka alarmuar rajonin.

Deri më tani Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu ka folur për përfitimin e vaksinës vetëm nga Covax, ku dhe vendi ynë ka financuar dozat e para, pa e bërë publike nëse ka ose jo një “plan B”.

“Shpresojmë që viti tjetër të jetë shumë efektiv, dhe për arsyen tjetër që vaksina do të vijë në Shqipëri," ka thënë më herët Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. "Ne jemi pjesë e Covax dhe jemi financues, vlerësohen disa elementë, çmimi për dozë, kostot, investime për të gjithë negociatat. Jemi në fillim të negociatës dhe do kemi më shumë informacione në fillim të dhjetorit. Përveç angazhimit të drejtpërdrejtë përmes Covax nuk i ka ndalur punët dhe për negocimet e tjera," është shprehur Manastirliu ditë më parë

E pyetur nga Gazeta "Si" se kur mund të merret vaksina anti-Covid në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka kthyer një përgjigje.

Rama me drejtuesin e kompanisë Pfizer në SHBA

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama, edhe pse u kthye disa ditë më parë nga SHBA-ja, arriti që të hapte të paktën një kanal për sigurimin e vaksinën me Pfizer.

“Përveç kanalit të sapohapur për vaksinën Pfeizer do hapim në vijim edhe kanalet për vaksinat Moderna dhe Astrazeneca. Ambicia jonë është që brenda dy muajve të parë të vitit të ri të nisim vaksinimin! Duket e pamundur po ne do t'ia dalim, pavarësisht vështirësisë së skajshme në këtë situatë për të gjithë, ku sidoqoftë vendet më të vogla e me të ardhura më të ulëta janë dhe më të dizavantazhuarat!," tha Rama.

Shpresa e vetme, vaksinat e BE-së

Vendet e Ballkani Perëndimor, të cilat do t’i paguajnë në total 5 milionë dollarë secila kësaj nisme, mësohet se kanë reaguar me zemërim ndaj KE-së pas lajmit se Covax nuk mund ta sigurojë vaksinën përpara majit.

Kjo do të thotë që vendet e BE-së do të kryejnë vaksinimin pothuajse të plotë të popullsisë së tyre, në mënyrë që vetëm pas kësaj, vendet e Ballkanit Perëndimor të fillojnë të vaksinojnë njerëzit e tyre.

Siç zbulon B92.net, Serbia dhe Shqipëria e kundërshtuan fuqimisht komisionerin e Zgjerimit, Varhelyin, duke kërkuar vendosmërisht ndryshimin e planit. Kjo e detyroi Komisionin Europian të bindte vendet anëtare për koordinimin e dhurimeve të vaksinave në vendet e Ballkanit Perëndimor derisa Covax të nisë shpërndarjn në maj.

Zëdhënësja e KE-së për zgjerimin, Ana Pisonero, shpjegoi për median serbe Tanjug se donacionet nga BE dhe COVAX janë dy sisteme të ndryshme dhe se unioni do të “mbushë boshllëkun” duke nisur shpërndarjen në rajon sa më para të jetë e mundur.

"Ne jemi duke punuar me partnerët tanë dhe shtetet anëtare për të siguruar një pjesë të dozave që ka porositur BE të vijnë në Ballkanin Perëndimor. Datat specifike se kur do të mbërrijnë vaksinat e Covaxu takon atyre të shpjegojnë. Ata po negociojnë vaksinat me prodhues të ndryshëm" tha Ana Pisonero.

Ajo konfirmoi për Tanjug se Komisioni do t'u sigurojë vendeve të Ballkanit Perëndimor fonde shtesë për blerjen e vaksinave.

"Ne nuk mund të konfirmojmë shifrat e sakta, ne jemi duke punuar në sigurimin e fondeve, së bashku me vendet anëtare, të cilat do të ndihmonin që vaksinat të shpërndahen në kohë edhe për partnerët në Ballkanin Perëndimor” thotë Ana Pisonero.

Burime nga institucionet e BE-së i shpjegojnë mediave serbe se ato nuk kanë asnjë ndikim në vendimet e Aleancës së Vaksinave (GAVI), e cila është një organizatë publiko-private me seli në Gjenevë, e financuar nga Bill Gates.

"Sipas disa informacioneve, COVAX duhet të shpërndajë dozat e para të vaksinave në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm. Ajo që BE po bën është të përpiqet të kapërcejë atë periudhë dhe të ndihmojë rajonin që shpërndarja e vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur", i thanë burimet diplomatike Tanjug.

Zyrtarët e lartë të Komisionit Europian kanë kërkuar vazhdimisht se BE dhe vendet anëtare të dhurojnë disa nga vaksinat e tyre vendeve të Ballkanit.

"Kjo është një zgjidhje e përkohshme për të kapërcyer hendekun kohor derisa vaksinat COVAX të gjenden gjerësisht", tha Nënkryetari i Komisionit, Margaritis Schinas.

Bashkimi Europian ka siguruar rreth 2 miliardë vaksina, që është më se e mjaftueshme për qytetarët e BE-së, duke bërë të mundur që  tepricat të shpërndahen në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Teoritë konsiprative për vaksinën në Ballkan

Por ardhja e vaksinës nuk do të jetë vështirësia e vetme.  Një sondazh i realizuar së fundmi ka zbuluar se rreth 50% e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor nuk duan të vaksinohen. Në Shqipëri, vetëm 40% e qytetarëve kanë thënë se do të bëjnë vaksinën anti-covid. 54% e shqiptarëve të intervistuar thonë se nuk duan të bëjnë asnjë nga vaksinat që po prodhohen kundër koronavirusit dhe 5% thonë se nuk e dinë.

Sipas studimit nga Grupi Këshillimor i Politikave Ballkanin në Europë, rajoni është prirur ndaj fushatave dezinformuese dhe teorive të konspiracionit rreth Covid-19 dhe gjeopolitikës së tij.

“Kjo përzierje është një mjedis ‘perfekt’ që BE të humbasë (edhe një herë) betejën gjeopolitike për zemrat e qytetarëve të rajonit”, thotë studimi.

Megjithëse BE është donatori dhe partneri më i madh i Ballkanit Perëndimor, përpjekjet për ta sjellë rajonin më afër janë dëmtuar nga kërkesat e bllokut për reforma dhe ngurrimi i vendeve për t'i zbatuar ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë