Njerez

Senatorja Duckworth – Veterania pa këmbë, që u bë nënë 50 vjeç

Fotografia nga Annie Leibovitz, Vogue, Tetor 2018


Nga Rebecca Johnson/Vogue - Senatorja e Ilinoisit, Ladda Tammy  Duckworth ka një palë këmbë të hatashme. Janë lyer pa dhimbje nga një artist që të përshtaten me nuancën e lëkurës së krahut –direkt poshtë qukave – dhe gishti i dytë  në një këmbë nuk është më i gjatë se i pari, ashtu siç kishte qenë i saji. Por  Duckworth nuk i duron dot. “Kur e shoh veten tek mbath ato këmbë në pasqyrë, shoh humbje. Por kur shoh këtë” – bën me shenjë nga proteza prej çeliku dhe titani, ngjitur pak kofshës, mbi gjurin e djathtë – “Shoh forcë. Shoh një përkujtim se ku jam tani.” E njëjta edhe me karrigen e saj me rrota. “Njerëzit duan gjithnjë, që ta fsheh në fotografi. U them jo! E kam fituar këtë karrige. Nuk është më e ndryshme se një medalje në kraharorin tim. Pse duhet ta fsheh?”

Ajo është e ulur në karrige, të cilën e ka marrë nga një grup veteranësh, në një zyrë të vogël pranë katit të senatit amerikan. Varur në shpinore është një çantë me pompën e gjirit. Në tryezë, përballë saj është agjenda e ditës, përgatitur nga stafi. Është e mbushur me takime që kanë të bëjnë me çështje në shtetin e saj, pak vota Senati, dhe më pas, të vendosura në mënyrë diskrete, në intervale katër orësh, një seri yllthesh. Koha për të nxjerrë qumësht për foshnjën e saj.

Ka aq shumë ‘të para’, të lidhura me Tammy  Duckworth –ajo është e para anëtare e Senatit që ka lindur një fëmijë ndërsa ishte në detyrë, është anëtarja e parë e Senatit e lindur në Tajlandë (nga një baba amerikan dhe një nënë tajlandez, me origjinë kineze) dhe, sigurisht, është e para grua me gjymtyrë të amputuara. Është ky dallim i fundit që priret t’i mbulojë të gjithë të tjerët. Si një veterane e plagosur me një Zemër Vjollcë, ajo ka prezantuar apo bashkë-sponsorizuar   projektligje që mbrojnë të drejtat e veteranëve – dhe ka qenë e patrembur,  kur është përballur me presidentin mbi punët ushtarake dhe ato të jashtme.

Janarin e shkuar, kur presidenti Trump akuzoi demokratët se mbanin peng ushtrinë mbi emigracionin, ishte Duckworth, që deklaroi atë që,  është tashmë një  fjalim historik  “Nuk do të pres të më japë leksion se për çfarë ka nevojë ushtria jonë,  një që ka anashkaluar pesë herë  shërbimin ushtarak.”  

Kur nisa ta pyes  Duckworth-in, rreth aksidentit që i mori këmbët, ajo më korrigjoi shpejt. “Nuk ishte një aksident; ata plehra u përpoqën të më vrisnin.” Sigurisht që i kërkova falje, por më tha të mos merakosesha. Ndodh gjatë gjithë kohës. Ndërsa ishte me qetësues në  spitalin Walter Reed, duke luftuar për jetën, mjekët dhe infermieret rreth saj, gjithashtu i referoheshin si “aksidenti me helikopter.” Por ajo qe e sigurt se ishin sulmuar. Ajo ishte zyrtarja e lartë  në bord atë ditë; nëse ishte aksident, ishte faji i saj.

Nuk ishte aksident. Më 12 nëntor të vitit 2004, asokohe kapitenia 36-vjeçare Tammy  Duckworth po fluturonte me një Fajkua të Zi drejt bazës së saj në Irak, afro 50 milje nga veriu i Bagdadit. Misioni kishte qenë rutinor,  një xhiro për të blerë ushqime, siç e përshkruante ajo më pas, megjithatë asgjë rreth asaj kohe apo atij vendi nuk ishte rutinë. Sulmet në bazë ishin aq të zakonshëm, sa banorët e saj e kishin pagëzuar me nofkën . “Mortaritaville.” E trajnuar për t’u bërë një pilote helikopterësh,  Duckworth,  e vetmja grua e klasës së saj,  i dinte rreziqet të cilëve po u shkonte ndesh. Kur helikopterët goditen, nuk ka dalje sigurie.

Ajo dhe tre anëtarët e ekuipazhit ishin me fat, në një mënyrë. Granata e hedhur me raketë që goditi dyshemenë prej pleksiglasi të kabinës, pranë këmbëve të saj, shpërtheu me flakë, por nuk e  dogji  helikopterin. Kur u përmend,  Duckworth u përpoq të përdorte këmbët për t’u ulur, por e gjeti copën e makinerisë 6 milionë dollarësh, që përgjigjej normalisht, inaktive. Më pas i ra  të fikët. Pasi bashkë-piloti i saj e uli helikopterin, i hodhi një vështrim fytyrës së nxirë të  Duckworth-it, bustit të rrëzuar, gjakut  që i rridhte nga pjesa e poshtme e trupit dhe,  mori me mend se,  ajo kishte vdekur.

Fajkonjtë e Zinj, fluturojnë dyshe dhe një helikopter i dytë u ul pranë, kështu që duhet të lëviznin me shpejtësi. Ekuipazhi evakuoi të gjallët dhe të plagosurit dhe më pas përdori momente të çmuara për të marrë atë, që mendonin se ishte kufoma e  Duckworth-it. Dhe kjo, për të, bëri të gjithë  diferencën.

“Nuk jam heroinë”, thotë ajo. “Djali që më nxori nga andej? Ai është hero.” Kanë kaluar 14 vjet nga sulmi, por edhe tani, kur flet rreth tij, ka një ngërç në grykën, që është ngjitës. Nëse do të kishte qenë Vietnami apo ndonjë luftë tjetër amerikane, ajo do të kishte vdekur, por brenda 20 minutave kishte mbërritur në spitalin e sulmeve në Bagdad, brenda të ashtuquajturës orë të artë,  kur kirurgët mund të shpëtojnë një jetë.

Disa ditë më pas, ajo ishte në spitalin Walter Reed, në Uashington, ku një ekip mjekësh punuan për të shpëtuar çfarë mundeshin (kishte dyshime nëse do ishte në gjendje ta shpëtonte krahun e djathtë.) Këmbët kishin ikur, por i ndiente shputat t’i digjnin – dhe thotë se ende e ndien atë ndjesi fantazmë çdo ditë, si të ishte duke ecur në rërën e shkretëtirës.

Politikanët, që donin të përforconin bonafide-n e tyre ushtarake shpesh vizitonin spitalin Walter Reed  për të shkrepur fotografi,  ndërsa rroknin duart me një veteran. Mes ushtarëve, i referohen me shaka si “kopshti zoologjik i përkëdheljes së të gjymtuarve”.  Me mollëzat e dala dhe flokët e zinj,  Duckworth mund të kishte qenë një vajzë joshëse afishesh, por ishte e vetëdijshme se po përdorej. Kur Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, kërkoi t’i bënte vizitë, ajo tha jo. Ajo mund të ishte ushtarake, por anohej si liberale, rezultat i rritjes si një fëmijë racëpërzier në Azinë Juglindore, ku puna zhvillimore e të atit i çoi ato në Singapor, Kamboxhia, Tajlandë dhe Vietnam. “Si ameriaziane, e pasluftës së Vietnamit, njerëzit merrnin me mend se mund të ishte fëmijë i një ushtari dhe e  një prostitute. Isha aq me fat që prindërit e mi u martuan dhe kisha një pasaportë amerikane. Kam parë fëmijë që përlesheshin, rrëmonin në plehra, shisnin veten, bënin ç’të mundeshin për të mbijetuar për shkak se ishin hedhur në rrugë.”

Kur familja  Duckworth, përfshi edhe vëllain e saj më të vogël, u shpërngulën drejt Havait, i ati, i cili ishte asokohe në të pesëdhjetat e tij dhe mund të gjurmonte rrënjët deri në Luftën Revolucionare, e pa thuajse të pamundur të gjente një punë. Për të mbijetuar, familja u regjistrua në ndihmat ushqimore dhe, Tammy, atëherë në shkollë të mesme, nisi një sërë punësh me paga të vogla për të mbajtur gjallë familjen. Një kohë, ajo shiste lule nga një kovë plastike, në anë të rrugës, një përvojë që e ndikoi thellë pikëpamjen e saj për botën. “Kurrë nuk kam punuar aq fort,  sesa atëherë kur ishim shumë të varfër,” tha ajo. “Kështu që ndjeva se nëse ne mund të përfundonim aty, kushdo tjetër mundej.”

Një ditë , një telefonatë në spitalin Walter Reed nga senatori i Ilinoisit, Dick Durbin, pyeste nëse kishte veteranë të plagosur nga shteti i tij, që do të dëshironin të merrnin pjesë në “Shtetin e Unionit”.  Duckworth doli vullnetare. Atë natë, Durbin i dha dorën, i dha asaj kartëvizitën e tij dhe i tha se  mund ta telefononte nëse i nevojitej diçka. Ajo e bëri. Sërish dhe sërish. Jo për veten, por për veteranë të tjerë të cilëve u nevojiteshin gjëra, si pagesat e munguara të pensioneve. Durbin u befasua nga këmbëngulja e saj, por edhe nga mënyra si e mbante veten. “Kur bëja llogaritë më pas, kuptova se ajo ishte plagosur vetëm 12 javë më parë”, kujton ai. “Nuk mund ta besoja se çfarë qëndrimi pozitiv kishte.” Pak muaj më vonë, kur Kongresmeni prej një kohe të gjatë i Ilionoisit Henry Hyde lajmëroi se do të tërhiqej, Durbin i kërkoi asaj ta konsideronte kandidaturën.

Ajo tha se duhet të bisedonte me të shoqin, Bryan Bowlsbey, një specialist i teknologjisë së informacionit, në sektorin privat. Bowlsbey u njoh me  Duckworth-in në programin  ROTC në Universitetin George Washington, ku ajo po studionte për një master në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Siç e rrëfen ajo, ai bëri një koment jo shumë miklues për gratë në ushtri, ajo u fye, ai kërkoi falje dhe, prej asaj kohe kanë qenë bashkë.

Nëse e shoqja do të donte të garonte për një post publik, Bowlsbey  do e mbështeste. “Mbaj mend se po mendoja,  mbase ky mund të ishte misioni im i ri”, thotë  Duckworth “ Gjithnjë kam dashur t’i ndihmoj veteranët dhe kjo do të ishte si ta zgjeroje atë sferë.’ Kur Durbin kuptoi se kandidatja që zgjodhi ai mund ta bënte njoftimin me një serum në krahun e saj, nisi të pyeste veten nëse kishte bërë zgjedhjen e duhur.  Të kandidonte do të thoshte të dorëhiqej nga ushtria, ndërsa ajo ende kishte nevojë për operacione. Ishte rrezik i madh, por ajo e mori përsipër. “Asgjë nuk e ndal atë”, thotë Durbin.

Duckworth gjatë shërbimit ushtarak. Foto: Kortezi e  Senatores  Tammy  Duckworth

 

Në versionin hollivudian të jetës së  Duckworth-it ajo do ta kishte fituar menjëherë garën. Nuk ndodhi kështu. Jon Carson, që drejtoi fushatën e saj, mbetet admirues, por menaxhimi i  një kandidateje kaq parimore nuk ia bënte punën të lehtë. Ai mund të kishte dashur të bënte një konferencë për shtyp me anëtarët e ekuipazhit që ishin goditur bashkë me të, por ajo nuk donte ta pranonte. As luajti lojën e marrjes me të mirë të donatorëve, siç do të kishte bërë ai. “Donatorët duan të ndihen sikur po marrin informacion special nga brenda,’ thotë ai. “Tammy nuk e bënte këtë. Ajo thoshte të njëjtën gjë përballë donatorëve si edhe përpara shtypit dhe votuesve. Kështu është ajo.” Ai ia atribuon humbjen e saj të ngushtë (2 përqind) pjesërisht sulmeve të ulëta, përfshi një postim të çastit të fundit nga kundërshtari i saj me një foto të retushuar të  Duckworth-it që u jepte para emigrantëve, një gërmim në mbështetjen e saj ndaj projektligjit pro-emigrantëve të senatorit Ted Kennedy. Gjashtë vjet më vonë, ajo kandidoi sërish dhe fitoi. Katër vjet më pas, ajo kandidoi kundër Republikanëve, që kishin fituar vendin  e vjetër të Barack Obama-s në Senat dhe e fitoi edhe atë garë. Kur bëri betimin e postit, Durbin thotë, se nuk pati asnjë sy pa lot në Dhomë. Përfshi të tijtë? “Pa dyshim.”

Betimi i Duckworth si Senatore e Ilinoisit. 

Termi teknik për një grua që lind një fëmijë, në moshën 50-vjeçare është “shtatzëni gjeriatrike.” Gjeriatrike!” , thotë duke qeshur  Duckworth. “As moshë e avancuar amësore!”  Në vitet kur pjesa më e madhe e grave,  nisin të mendojnë për të pasur  fëmijë,  Duckworth, ishte e zënë me ngjitjen e rangjeve në ushtri, ku shtatzënia do të thotë të qëndrosh me detyrim në tokë. “Nëse nuk je duke fluturuar”, thotë ajo, “nuk po garon.”

Me të marrë fund karriera e saj si pilote sulmi, ajo dhe i shoqi vendosën të nisnin një familje. U përpoqën natyrshëm, pastaj shkuan tek një mjeke fertilizimesh. I tha se grafitë e përditshme në spitalin Walter Reed mund të kishin prekur aftësinë e saj për të mbetur shtatzënë. Pas mëse tetë vitesh, mjekja e  saj tha se ishte thjesht shumë e moshuar. Ishte një hape e hidhur për një grua, e cila mbetet e fortë mjaftueshëm për të garuar – siç e bëri më 2016-ën – në maratonën e saj të katërt në një biçikletë të shtrirë.  Duckworth kish nisur të shihte mundësinë e adoptimit kur një mikeshë i rekomandoi të takohej me një mjek të famshëm fertilizimi në Çikago. Brenda 18 muajve, ajo lindi fëmijën e saj të parë, Abigail-in, tashmë 3 –vjeçare. Këtë pranverë, ajo solli në jetë fëmijën e saj të dytë, Maile-in. Doli se mjekja e parë,  që e kishte ndjekur punonte në një institucion katolik, që nuk sanksiononte embrionet e fertilizuar jashtë trupit – teknika që bëri të mundur më në fund, që  Duckworth-i  të mbetej shtatzënë.

“Ajo që më inatos sot e kësaj dite’, thotë ajo “është se ajo kurrë nuk tha: “Duhet të shkosh në një spital të ndryshëm.”  Isha e arsimuar! Isha drejtorja e Çështjeve të Veteranëve të Ilinoisit. Nuk i kisha kushtuar kujdesin e duhur, po gjithë ato familje të tjera?”

Senatorja Duckworth me vajzën e vogël, Maile. 

Mbërritja e Maile-it e kishte bërë  Duckworth-in një celebritet në Senat. “Si është foshnja?’ pyet Senatorja Dianne Feinstein, ndërsa  Duckworth merr një ashensor për të ndjekur një votim në Senat. Gjithashtu i hapi sytë ndaj sfidave, me të cilat përballeshin shumë nëna, si të detyroheshin të ushqenin me gji në tualetet e aeroporteve. Pranverën e shkuar,   Duckworth prezantoi Aktin për Aeroporte miqësore ndaj nënave, për të detyruar aeroportet e mëdhenj dhe të mesëm të aplikonin për një grant nga Departamenti i Transporteve, për të përfshirë një zonë gjidhënieje në vend.  Ajo ishte gjithashtu përgjegjëse për kalimin në Senat të një rezolute,  që  lejonte marrjen e  fëmijëve nën moshën njëvjeçare,  në Dhomën e Senatit.

Aktualisht, Abigail-i është në parashkollë dhe për Maile-in kujdeset një dado, e cila ka vendosur një djep në zyrën e  Duckworth-it. Ajo e di se është me fat që ka këtë ujdi, por ajo që do i pëlqente më shumë do të ishte një leje gjashtëmujore lindjeje. “Jam e lodhur”, pranon ajo, kur e pyes. “Jam e mbingarkuar. E kush nuk është? Nëna mesatare amerikane është e lodhur. Shumë prej nesh janë të mpira nga trauma e të pasurit një president, që vepron në atë mënyrë.”  Por kur je në pozita për të bërë një ndryshim, është e vështirë të qëndrosh në shtëpi të shohësh kur thotë që emigrantët të ndahen nga  fëmijët e tyre, sidomos kur je vetë fëmijë emigranti. Kështu po nxeh motorët për betejat e freskëta mbi emigrimin, mbi emërimin e Gjykatësit  Brett Kavanaugh në Gjykatën e Lartë (ajo do të votojë kundër). “Pra, nuk ka rëndësi nëse jam e lodhur,” më thotë. ‘Do të vij çdo ditë dhe do të luftoj. Nëse kjo do të thotë se do të më duhet të zvarritem për të marrë një votë, do ta bëj.”

Ndërkohë duhet të mendojë për darkën. Është një nga ironitë, që njerëzit nxjerrin në pah rreth politikanëve. Ata kanë në staf me dhjetëra njerëz që u vijnë në ndihmë për vënien në jetë të vizioneve të politikave të tyre, por në fund të ditës, ata sërish duhet të shkojnë në shtëpi dhe të gatuajnë darkë. (I shoqi mund ta bëjë, por atëherë, ata do të hanin tacos, çdo natë.)  Shoh  Duckworth-in dhe dy anëtare të stafit tek të tridhjetat që angazhohen në një diskutim  të zjarrtë rreth...kuskusit. E preferon izraelit apo normal? “Sido të jetë ka shije të mirë, gatuhet në pesë minuta dhe kushton 3 dollarë dy kuti”, përgjigjet ajo. Pragmatiste, ekonomike dhe shpresëplotë. Ç’tjetër kërkon më shumë nga një politikane?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë