Qeveria gjermane ka miratuar një projektligj për taksimin e pijeve me përmbajtje të lartë sheqeri, me synimin për të nxitur konsum më të shëndetshëm dhe për të siguruar të ardhura shtesë për sistemin shëndetësor. Masa pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik 2027, nëse miratohet nga Bundestagu.
Sipas propozimit, taksa do të zbatohet për pijet që përmbajnë të paktën 5 gramë sheqer për 100 mililitra. Për pijet me 5 deri në më pak se 8 gramë sheqer për 100 mililitra, taksa do të jetë 0,26 euro për litër, ndërsa për ato me 8 gramë ose më shumë, do të arrijë në 0,32 euro për litër.
Në kategoritë që preken nga masa përfshihen pijet e gazuara, çajrat e ftohtë, pijet energjike, nektarët e frutave dhe koncentratet me sheqer të shtuar.
Nga taksa do të përjashtohen pijet alkoolike dhe ato pa alkool të kategorisë përkatëse, qumështi, pijet me bazë tërshëre ose orizi, lëngjet e pastra të frutave dhe perimeve, si dhe pijet që përdorin ëmbëlsues në vend të sheqerit.
Detyrimi do të paguhet nga prodhuesit ose shitësit me shumicë, por qeveria pret që një pjesë e kostos të reflektohet në çmimet për konsumatorët. Prodhuesit e vegjël dhe të pavarur, me prodhim vjetor deri në 70 mijë litra, parashikohet të përjashtohen nga taksa.
Sipas parashikimeve të qeverisë, masa mund të sjellë të ardhura shtesë prej 690 milionë eurosh në vitin 2027 dhe 925 milionë eurosh në vitin 2028. Këto fonde synohet të ndihmojnë në financimin e sistemit shëndetësor dhe në kufizimin e presionit për rritjen e kontributeve të sigurimeve shëndetësore.
Një nga argumentet kryesore në mbështetje të taksës është ndikimi i konsumit të lartë të sheqerit në shëndet, veçanërisht në lidhje me obezitetin, diabetin dhe problemet dentare.
Megjithatë, propozimi ka hasur edhe kundërshtime. Kryeministri i landit të Hessen-it, Boris Rhein, ka paralajmëruar se rritja e çmimeve mund të ndikojë negativisht te industria e pijeve dhe punësimi. Edhe organizata amerikane Tax Foundation ka vënë në pikëpyetje provat për përmirësimet shëndetësore që sjellin taksat e tilla.
Me këtë nismë, Gjermania synon t’u bashkohet vendeve të tjera evropiane, përfshirë Francën, Portugalinë dhe Hungarinë, që kanë vendosur tashmë taksa mbi pijet me sheqer.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje