Taksa

Propozimi i PD-së: Policët të dalin në pension 60 vjeç!

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka dorëzuar në Kuvend një projektligj që synon ndryshimin e moshës së pensionit për dy kategori të uniformave në vend. Nisma ligjore  propozon uljen e moshës së pensionit të pleqërisë në 60 vjeç për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë së Burgjeve.

Sipas projektligjit të propozuar, i cili kërkon ndryshime në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, efektivët e këtyre dy strukturave do të kenë të drejtë të përfitojnë pension të plotë pleqërie me mbushjen e moshës 60 vjeç, nëse kanë plotësuar një periudhë minimale sigurimi prej 30 vitesh.

Në relacionin shpjegues të nismës, deputeti demokrat argumenton se ky trajtim i diferencuar nuk përbën privilegj, por është një përgjigje ndaj konsumit të lartë profesional, stresit, gatishmërisë së përhershme dhe punës me turne të zgjatura me të cilat përballen këta punonjës gjatë gjithë karrierës së tyre.

Në mënyrë të veçantë, relacioni ndalet te Policia e Burgjeve, duke cituar edhe raporte të njëpasnjëshme të Avokatit të Popullit që kanë evidentuar problematika serioze në institucionet penitenciare në vend, si mbipopullimi, mungesa e infrastrukturës dhe problemet e sigurisë, kushte këto që rrisin sfidat e përditshme njerëzore dhe profesionale për personelin.

Në lidhje me efektet financiare në buxhetin e shtetit, nismëtarët sqarojnë se projektligji prek dy kategori të kufizuara numerikisht. Referuar të dhënave publike të cituara në relacion, Policia e Shtetit numëron rreth 12,432 punonjës, ndërsa Policia e Burgjeve rreth 4,000 punonjës.

Sipas përllogaritjeve të propozuara, vetëm një fraksion i vogël i këtij totali i afrohet moshës 60 vjeç në baza vjetore, duke bërë që efekti shtesë mbi fondin e sigurimeve shoqërore të jetë i kufizuar dhe i shpërndarë në kohë. Gjithashtu, kërkohet që Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore të japin një mendim zyrtar për vlerësimin e saktë aktuarial.

Nisma tashmë pret nisjen e procedurave parlamentare në komisionet përkatëse për shqyrtim dhe më pas votim në seancë plenare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë