Irena Beqiraj

Covid-19, duhet të subvencionojmë punësimin për t’u mbrojtur nga kriza!


Kjo javë ka sjellë lajme të mira nga politikëbërsit. Më në fund qeveria dhe Banka e Shqipërisë janë ulur më këmbë në tokë. Kanë “mbytur frikën”dhe kanë pranuar që jemi në recesion. Të pranosh realitetin duke braktisur besimin e papërgjegjshëm “se do rritemi me 2.2%”  apo edhe të ndahesh qoftë edhe për pak nga “padituria”, e cila nuk nguron të shesë  funksionin primar të qeverisë  (mbrojten sociale) si “ humanizëm “  është hap i madh përpara. Vonë do thotë dikush.  Por më mirë vonë sesa kurrë.

Në bazë të  vlerësimeve e FMN-së kjo do të jetë hera e parë që nga Depresioni i Madh që ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim janë futur në recesion të thellë. Besimi që rimëkëmbja do të jetë e shpejtë po shuhet nga dita në ditë. Parashikimet që vijnë nga ekonomitë e madha nuk janë optimise. Deri në fund të vitit 2021 vështirësisht ekonomitë e  tyre do të arrijnë  nivelin e tremujorit të katërt të 2019, duke paralajmëruar një rimëkëmbje të gjatë.

Një pyetje që çdo lexues jo ekonomist mund ta bëjë është -Cili është ndryshimi midis recesionit dhe depresionit ekonomik?

Ekziston një thënie e njohur e Ronald Reganit - “kur fqinji juaj humbet punën, jemi në recesion, kur ti humbet punën defintivisht jemi në depresion”. Qartësisht Regan tregon që ndryshimi i recesionit nga depresioni lidhet me ndjeshmëritë ose ndryshe pritshmëritë ekonomike. Kufiri ndarës midis tyre është vështirë të përcaktohet. Tradicionalisht, një recesion përcaktohet kur  në dy tremujorë të njëpasnjëshëm pritet  ulje e PBB-së.

Nga ana tjetër, një depression është një version më i rëndë dhe i zgjatur i një recesioni. Depresioni i Madh  zgjati nga 1929 deri në fillim të viteve 1940 dhe përfshiu jo një, por dy rënie të mëdha ekonomike - të parën nga 1929 në 1933, dhe një tjetër nga 1937 deri në 1938.

Për këtë arsye  shumica e qeverive janë  përqendruar në mësimet që lanë pas ekonomistët më të mëdhenj nga përvoja e atij depresioni  - likuiditet për të ndihmuar sistemin financiar (Friedman) dhe stimulim fiskal për të mbajtur ekonominë në zhvillim (Keynes).

Por  mësime mbreslënëse mbi depresionin ekonomik  ka lënë edhe  një grua ekonomiste, ndjekëse e Keynes,  Joan Robinson.  Ajo fliste pikërisht për  rëndësinë e ndërhyrjes së shtetit për të mbështetur punësimin. Janë shumë të vlefshme mësimet e Robinson-it , kryesisht për ekonomitë me struktura punësimi fluide dhe të paqëndrueshme.

Shqipëria ka një strukturë  të tillë punësimi të paqëndrueshme.   Rreth 34% janë  të vetëpunësuar , 9.7% të punësuar me kohë të pjeshme dhe punësimi informal sipas Bankës Botërore është sa 61 % e gjithë punësimit.  Ndërkohë që rreth 39% e të punësuarve në sektorin privat paguhen më pak se 30,000 lek dhe më shumë se gjysma e atyre që rezultojnë të punësuar janë me arsim 8-9 vjeçar.

Recesionet në struktura  të tilla  punësimi krijojnë humbje të vazhdueshme të punës. Kjo është një arsye e fortë  përse recesioni zgjatet duke ju afruar  kufirit të padukshëm ndarës me depresionin ekonomik. Në kushtet e një force pune të pakualifikuar , përshtatja ose ri-punësimi bëhet edhe më të vështira. Robinson  e konsideronte këtë formë punësimi si  papunësi” e maskuar” ose  e fshehur. Sipas saj edhe të vetpunësuarit,  të cilët punojnë me marzhe të ulta fitimi ose ndryshe thjesht për sigurimin e një rroge,  janë pjesë e papunësisë “së fshehur”.

Në periudha krizash nuk ka më gjë për të fshehur dhe  kjo papunësi bëhet e dukshme. Vetëm në muajin mars pati 47 mijë të larguar nga puna. Ndërkohë që  qinda mijra, të tjerë  në pritje të ndihmës figuronin në  listë pagesa edhe pse realisht  ishin të larguar nga puna. Thënë këtë, në dhënat e prillit  pritet të servirin edhe më shumë të larguar nga puna.

Edhe pse kufizimet do të hiqen në 18 Maj, rikuperimi do të jetë gradual. "Rindezja e ekonomisë nuk është aq e lehtë  sa ndezja e një llampe. Me ri-hapjen e bizneseve në 18  Maj, deri në fund të Korrikut, vetëm 1/3 e punonjësve mund të rikthehen në punë. Do të duhen vite me radhë që papunësia të kthehet në nivelet para pandemisë. Është e nevojshme që qeveria të mendojë për një politikë  fiskale ekspansioniste që synon  kanalet  e rekrutimit duke stimuluar  një dalje sa më të  shpejtë nga recesioni.  Një opsion mund të jetë përdorimi i subvensioneve për punësimet e reja. Një mënyrë e thjeshtë dhe  gjithëpërfshirëse për ofrimin e këtij subvencioni, mund të ishte përjashtimi nga  kontributet e sigurimeve shoqërore ( për një periudhe deri 2 vjeçare) për çdo marrëdhënie të re pune.   Ky subvencion do të krijonte stimuj të fortë për punësim, sidomos për të rinjtë.  Tipar i rëndësishëm i këtij subvencioni, me qëllim trajtimin e goditjes e përgjithshme ekonomike që ka rezultur nga  pandemia e COVID-19, duhet të jetë “universaliteti i tij” duke mos e   kufizuar dhënien e tij  në punë specifike ose nivele aftësish. Për të shmangur abuzimin duhet që  përdoret klauzola e marrëdhënies  afatgjatë të punës duke përjashtuar kështu rastet e përfitimit të subvencionit në punësimin afatshkurtër .

Subvencioni për punësimet e reja do të ndikonte jo vetëm në punësim por edhe në përmirësimin e pritjeve ekonomike si dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes së tregut të punës. Për firmat tashmë të krijuara, një program mbështetës për punësimet  do të ishte një hap i rëndësishëm i ardhshëm për të parandaluar rënien e tregut të punës duke përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike .

Kufiri midis recesionit dhe depresionit në këto kohë është bërë edhe më i padukshëm. Por mësimi që historia njerëzore na ka dhënë është i thjeshtë. Vetëm nëse jemi të vërtetë në pritshmëritë tona   do të kemi qartësinë e nevojshme  për ta përballuar atë që vjen. Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur.


Copyright © Gazeta “Si”