Analize

Schengeni i vogël Ballkanik është i vogël fare pa Kosovën

Shumica e shqiptarëve janë në pritje të hapjes së negociatave me BE-në, por atyre po u ofrohet një menu tjetër, Schengeni më i vogël si pjatë e parë. Kryeministri Edi Rama mbërriti në Novi Sadi të Serbisë me një marrëveshje të bujshme në xhep. Sëbashku me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksadër Vuçiç lanë që do të nënshkruajnë një deklaratë në Ohër për krijimin e një “Shengeni të vogël Ballkanik” por që Kosova ka kundërshtuar kategorikisht duke e cilësuar si një përpjekje për rikthimin e ish-Jugosllavisë.

Ndërkohë që Rama, Zaev dhe Vuçiç janë mbledhur kokë më kokë në Serbi, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti dhe liderët malazezë po e shohin këtë nismë nga larg. Për Kosovën, në veçanti, si një vend që nuk i është hequr ende regjimi i vizave, lënia jashtë Shengenit Ballkanik, shton më tej izolimin e saj edhe brenda për brenda rajonit, e jo më BE-së.

Kjo ide, e hedhur nga presidenti Vuçiç, ka si qëllim përmirësimin e lidhjeve e tregjeve rajonale, duke mundësuar rrjedhën e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit në tregun e 20 milionë njerëzve.

Projekti që imiton bashkëpunimin doganor mes vendeve të BE, qarkullon prej vitesh, por deri më tani ishte lënë në harresë ashtu si shumë premtime të politikanëve ballkanik.

Gjatë shëtitjes me Ramën dhe Zaev, Vuciç tha se ky takim do të thotë shumë për tre vendet.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksadër Vuçiç, 11 tetor 2019

“Jam i lumtur që filluam të kujdesemi për veten dhe nuk kemi nevojë për mësues që të mund ta bëjmë këtë. Me muzikën në Novi Sad, të punojmë për një të ardhme më të mirë për punëtorët tanë, fshatarët tanë, sidomos për të rinjtë që të qëndrojnë në vendet tona,” tha Vuçiç.

Por për analistin Dritan Hilaj kjo marrëveshje nuk është asgjë më shumë se sa një thikë pas shpine për Kosovën që e kthen në geto. “Marrëveshja grumbullon tre shtete dhe Kosova është një vrimë e zezë në mes… ti e përjashton nga lëvizja e lirë dhe nga lëvizja e mallrave”, thotë Hilaj.

Kur Kosova vendosi tarifën doganore 100% ndaj mallrave serbe, Shqipëria rezultoi një nga përfitueset e mëdha. Vetëm katër muajt e parë që pas vendosjes së taksës, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës u rritën me tre miliardë lekë më shumë. Në kohën që taksa është ende në fuqi, mundet që marrëveshja me Serbinë të krijojë një kanal të ri tregtie, e cila mund të zhvlerësojë “embargon kosovare”.

Tarifat në thelb ishin politike dhe erdhën edhe si presion për njohjen e Kosovës. Gjatë konferencës në Novi Sad, kryeministri Rama deklaroi se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën, por kjo do kohë për t’u vërtetuar.

Shumë ekspertë në Prishtinë janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë marrëveshje, por mediat serbe e cilësojnë si një arritje për ekonominë e tyre.

Edhe analistët në Prishtinë janë të bindur se Serbia është e vetmja që përfiton nga ky projekt, pasi do të ofronte anëtarësimin në BE në vitin 2025. “Si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: “Në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt dhe Serbisë do t’i përshpejtohej hyrja”, shkruan analisti kosovar Veton Surroi.

Ai dënon kryeministrin shqiptar që i bashkohet një iniciative të tillë me Serbinë kur nuk ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar tregtinë e lirë më Kosovën.

“Kryeministrit Rama ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk ka asnjë ndërmarrës nga Shqipëria dhe Kosova që do të konsiderojë se mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Nëse nuk e bënka mes Shqipërisë e Kosovës, si e bënka mes Shqipërisë e Serbisë?”, pyet Surroi.
Ai thotë se vendet e rajionit e kanë tanimë një marrëveshje të tregtisë së lirë, CEFTA-n.

“Të tria vendet do të diskutojnë, në fakt, se si t’i liberalizojnë tregjet e tyre ashtu siç bënë shtetet e Vishegradit. Por këtu analogjia ndërpritet, sepse shtetet e Vishegradit nuk kishin çështje të pazgjidhura politike mes tyre. Madje, i vetmi problem politik që u shfaq qe zhbërja e Çekosllovakisë, por kjo gjë u zgjidh me anëtarësimin e Çekisë dhe Sllovakisë njëkohësisht si vende trashëgimtare. Për dallim prej Vishegradit, në Novi-Sad nuk është e pranishme Republika e Kosovës, shtet i kontestuar nga Serbia, e pa të cilin nuk ka integrim regjional”, shkruan Surroi.

Edhe për drejtorin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Dilon Iseni, “Shengeni i vogël Ballkanik” mund të jetë funksional vetëm nëse përfshihet edhe Kosova dhe Mali i Zi.

“Disa shtete nuk mund të lihen anash për arsye politike”, thotë Iseni.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksadër Vuçiç, 11 tetor 2019

Një nismë e tillë, pavarësisht sovranitetit për vetëvendosje të çdo vendi të përfshirë ose në projekt për t’u përfshirë në të, ka impakt direkt jo vetëm mbi sigurinë e vendeve të përfshira por edhe vendeve fqinje të lëna jashtë kësaj nisme. Ai lidhet po ashtu edhe me procesin e dialogut të vendit tonë me Bashkimin Europian, proces i cili dihet që synon arritjen e standardeve të unionit.

Ekonomistët vlerësojnë se duke krijuar një “mini-Schengen” në Ballkanin Perëndimor, kompani nga i gjithë rajoni do të fitonin një treg më të madh rajonal, të përbashkët me gati 20 milionë konsumatorë. Nisma u mirëprit nga dhomat rajonale të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat mbledhin më shumë se 350,000 kompani.

Megjithatë, sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë kufitare, Pëllumb Nako, ideja e Schengenit Ballkanik, është vetëm mjet propagandistik i radhës për t’iu larguar problemeve reale. “Nuk është i realizueshëm. Kurse si mjet presioni është në kufijtë e qesharakes. Të fillosh ndërtimin e një modeli Schengen në qarkullimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të thotë të fillosh ndërtimin e një ndërtese nga katet e sipërme, në mungesë totale të themeleve. Schengeni nuk është thjesht rrëzim i kontrolleve në kufi ndërmjet shteteve. Ky është kaos. Mbi të gjitha, ai është ndërtim i një hapësire të përbashkët të qeverisur në mënyrë të integruar nga institucione mbikombëtare dhe kombëtare”, thotë ai, duke sjellë në vëmendje se ndryshimet ligjore kombëtare dhe ndërtimi i atyre të përbashkëta të Schengenit Ballkanik do të kërkonte edhe një faturë financiare jo të vogël për Shqipërinë.

“Hyrja në Bashkimin Europian është më e thjeshtë dhe pa shpenzime sesa krijimi i Schengenit Ballkanik”, shkruan ai.

Më Shumë