Samiti treditor për Iranin e Lirë që filloi të shtunën online me pjesëmarrjen e iranianëve nga 50,000 lokacione në 105 shtete, duke përfshirë edhe Shqipërinë, kishte si synim sjelljen para drejtësisë të liderit suprem të mullahëve, Ali Khamenei, presidentin e tij Ebrahim Raisi, Kryegjyqtarin Gholam-Hossein Mohseni Eje’i, dhe zyrtarët e tjerë, sipas muxhahedinëve, përgjegjës për masakrën e 1988-ës, me akuzën e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
Samiti i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB të bëjë të mundur ndjekjen penale ndërkombëtare të Raisi-t dhe t’i kërkojë atij llogari për krime kundër njerëzimit, si dhe të mos e lejojë praninë e tij në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Në të njëjtën kohë me Samitin, mijëra iranianë u grumbulluan në Portën Brandenburg të Berlinit, si dhe në 16 qytete e kryeqytete të tjera, si Paris, Uashington, Londër, Amsterdam, Stokholm, Oslo, Vienë, Romë, dhe Gjenevë. Këto tubime u lidhën drejtpërdrejt me samitin
Mike Pompeo, ish-Sekretari amerikan i Shtetit tha se, “duhet ta mbështesim popullin iranian me çdo mënyrë të mundshme në luftën e tij për një Iran më të lirë e më demokratik”.
Dhjetëra senatorë të lartë e anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë, demokratike dhe republikane, duke përfshirë Senatorin Robert Menendez, kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, morën pjesë në këtë samit dhe theksuan mbështetjen e tyre për opozitën iraniane
I njëjti mesazh mbështetje u përcoll edhe nga Shqipëria.
LEXO EDHE:
– Profile e faqe të rreme propagande, Facebook mbyll mbi 300 llogari të muxhahedinëve në Shqipëri
– Në Manzë, aty ku shqiptarët bashkëjetojnë të ndarë me muxhahedinët…
– Celulë terroriste iraniane, do sulmonte muxhahedinët për Sulltan Novruz
– Administrata Trump, mirënjohje Shqipërisë për strehimin e muxhahedinëve
– “Ashraf 3”, rrugëtimi i muxhahedinëve nga Iraku në Manzë
– Majko: Kush prek muxhahedinët iranianë, prek Shqipërinë!
– Muxhahedinët në Shqipëri, bazë terroriste apo humanitare?
Ministri për Diasporën, Pandeli Majko tha se, populli iranian e bojkotoi farsën e zgjedhjeve presidenciale dhe se “Raisi akuzohet për krime kundër njerëzimit nga organizata ndërkombëtare të të drejtave njerëzore, dhe tani zgjidhet president”.
“Jam i lumtur që sot u qëndroj përkrah njerëzve që duan të jenë pjesë e të ardhmes së Iranit”, shtoi ai.
Lulzim Basha, i cili mori pjesë për herë të parë në këtë Samit, (në takimet e këtij formati PD është përfaqësuar kryesisht me Edmond Spahon) tha se Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. “Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë.
Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratik e jo-bërthamor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.