Politike

Samiti i Diasporës, dështon përballja Rama-Basha

Samiti i Diasporës i organizuar nga qeveria, u përfol si një mundësi e një ballafaqimi mes dy liderëve kryesorë të politikës Edi Ramës dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Në listën e të ftuarve nga ana e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko ishte dhe lideri i opozitës. Dhe kjo ishte si nismë që synonte që të krijonte edhe ndonjë mundësi takimi mes dy kundërshtarëve politikë në këtë kohë kur situata në Shqipëri është e tensionuar.
Kështu në axhendën e këtij samiti në listën e diskutantëve ishte edhe fjala përshendetëse e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Ai do të ishte i parafundit që do të fliste, pasi i fundit do të ishte kryeministri Edi Rama.
Pikërisht kjo renditje e diskutantëve dukej se ishte caktuar me qëllimin që dy liderët të përballeshin dhe të shtrëngonin duart.

Diskutantët në ditëne parë të Samitit, kryedemokrati Lulzim Basha pjesë e diskutantëve

Por një gjë e tillë, nuk u realizua, pasi kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë ditur se nuk do të ishte prezent në këtë samit të Diasporës.
Këtë e paralajmëroi në mënyrë indirekte vetë kryedemokrati Basha, i cili me anë të një statusi në rrjetet sociale dha edhe arsyen se pse refuzon të jetë në këtë Samit të rëndësishëm.
“Shqipëria ka nevojë jetike për ndihmën dhe kontributin e diasporës. Unë dhe Partia Demokratike mirëpresim krahëhapur mbështetjen e saj dhe bashkëpunimin e ngushtë e të sinqertë për të ndërtuar në Shqipëri mundësitë, sigurinë, lirinë dhe vlerat që ata gëzojnë në vendet ku jetojnë. Ne i kemi një borxh të madh diasporës, ndaj nuk mund të pranoj kurrë përdorimin e saj si fasadë nga njeriu që mbushi kampet e azilkërkuesve me 300 mijë shqiptarë duke i përzënë nga shtëpitë e tyre, ja nxiu faqen Shqipërisë me kanabisin dhe ja dorëzoi vendin oligarkëve dhe krimit”, shkruan kryedemokrati në rrjetin Twitter.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1101215327059406849


Kriza politike, dorëzimi i mandateve e ka pamundësuar shtensionimin e situatës në vend. Opozita ka dorëzuar 57 mandatet e deputetëve, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama, krijimin e një kabineti transitor, i cili do të mundësonte zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare. Por ky qëndrim është kundërshtuar nga ana e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa edhe europarlamentarët pas një vizite në Tiranë, rrëzuan pretendimet e opozitës, duke deklaruar se Parlamenti dhe qeveria janë legjitime. Ata i bënë thirrje opozitës që të mos djegë mandatet dhe të zhvillojnë dialogun brenda Parlamentit, si një nga kushtet kryesore të një demokracie.
Qëndrimi i europarlamentarëve u komentua edhe nga ana e kryeministrit Edi Rama. “Asnjë gëzim për qëndrimin e ashpër në bllok të europarlamentarëve, kundër arratisë së opozitës parlamentare nga detyra dhe fusha e logjikës demokratike! Çfarë sikleti kur mendon se sa më keq se sa thonë u duket atyre, kjo shfaqje brutale dritëshkurtësie ndaj njerëzve e vendit”, do të reagonte Rama në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1101170424786898954


Ideja e bashkimit të gjithë shqiptarëve nëpërmjet këtij samiti, duket se nuk ia ka arritur qëllimit, pasi në këtë event marrin pjesë përfaqësues të qeverisë së Shqipërisë, pasi mungon edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe liderët e partive politike të opozitës shqiptare. Kreu i shtetit, Meta prej disa ditësh ndodhet për vizitë zyrtare në Egjipt. Ndërsa mungesa tjetër në këtë samit është edhe ai i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë