Mendim

Sallabanda: Kundër Omicron duhen rritur vaksinimet dhe testet

Shifrat tregojnë se situata epidemiologjike në Shqipëri është e qëndrueshme por njëjtë si vendet e tjera të rajonit jemi përballë variantit të ri Omicron. Autoritetet shëndetësore në vend ende nuk kanë një përgjigje për mostrat e dërguara në laboratorët e referencës. Ndërkohë që vendet europiane po detyrohen të rikthejnë disa masa të rrepta për të përballuar këtë valë të re. Duke nisur nga kjo gjë lind pyetja se, çfarë duhet të bëjë Shqipëria në moment që dokumentohet Omicron në vend, që mos të përballet me shifra të larta infektimesh?
Mjeku shqiptar në Madrid, Spanjë Kita Sallabanda Diaz i tha Gazetasi.al se problemi më i madh i vendit tonë është niveli i ulët i vaksinimit, rezistenca ndaj tij po ashtu edhe mosbesimi tek institucionet.
“Shumë studentë nuk vaksinohen në shenjë proteste. Për këtë arsye mendoj që duhen marrë masa shtrënguese, si mos lejimi i të futurit në diskoteka e bare pa pasaportën Covid-19,”shtoi Sallabanda.

Kita Sallabanda Diaz

Duke marrë si shembull Barcelonën, ku u vu ky rregull eksperti shpjegon se ritmet e vaksinimit u rriten nga 300 në ditë në 5000 për dy ditë, midis moshave të reja.
“Omicroni përhapet më shpejtë po nuk është me agresiv. Vaksinat, me të metat e tyre po tregojnë që na mbrojnë nga Omicroni edhe pse të dhënat janë të pakta,” shtoi Sallabanda.
Në një intervistë të mëparshme për Gazetasi.al mjekja pneumologe në dispacerinë qendrore Silvana Sadria ka shpjeguar se “ndonëse rastet me koronavirus janë më pak se një vit më parë, ajo çfarë konstatohet mes tyre janë 60-vjeçarët e pa vaksinuar|.
"Gjatë muajit nëntor në ekzaminimet e pneumonive kemi konstatuar Covid tek kjo kategori pacientësh që nuk janë vaksinuar. Kur i kemi pyetur, na kanë pohuar se kanë pasur frikë. Rastet nuk janë të rënda por mund të them se janë të rinj të pa vaksinuar. Neglizhenca dhe paniku i krijuar i ka frenuar të kryejnë vaksinën por ka mes tyre dhe persona që e kanë kaluar virusin disa herë”, i ka treguar Gazetasi.al pneumologia Sadria.

Ndërkaq mjeku Sallabanda këshillon se duhet të bëhen sa më shumë teste të shpejta. Ai tregon e në Madrid këto teste po shpërndahen falas për të gjithë individët +12 vjeç.
“Këshillohet që përpara festave/grumbullimeve të punës ose të familjeve çdo njeri të bëj testin e shpejtë. Nuk kemi kufizime ndaj, vaksinimi i sforcuar, pasaporta e gjelbër, testet e shpejta janë elementet bazë. Nga ana tjetër duhet të dënohet penalisht dhënia ose përdorimi i dokumenteve të vaksinimit të falsifikuara”, shtoi mjeku.
Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar rreth 38% e popullatës së përgjithshme me dy doza dhe 33% e popullatës target +16 vjeç.
Që prej konfirmimit se varianti Omicron u cilësua nga OBSH si “variant shqetësueses” autoritetet shëndetësore në botën nisën të marrin masa shtesë për të frenuar transmetimin e infeksionit. Sipas të dhënave të fundit nga Afrika e Jugut, i cilësuar si vend origjine për këtë variant, tregojnë se është tre herë më i transmetueshëm se variantet e mëparshme. Ndërsa agjencia e shëndetit publik e BE-së shpjegoi se duke nisur nga ky fakt varianti do të jetë dominant brenda muajve të ardhshëm.
Deri më tani provat tregojnë gjithashtu se Omicron mund t'i shmanget imunitetit nga infeksioni me variantet e mëparshme dhe po shkakton ri-infeksione me ritme të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë