Analize

Sa shqiptarë ka në Maqedoninë e Veriut? Zaev anulon regjistrimin

Në një goditje të madhe ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, kryeministri Zoran Zaev ka anuluar regjistrimin e popullsisë i cili të faktonte për herë të parë se sa shqiptarë jetojnë në vendin fqinj.

Dy partitë më të mëdha maqedonase LSDM dhe VMRO DPMNE bashkuan si rrallë herë forcat dhe ranë dakord të hënën që regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në shtator të këtij viti. Shqiptarët në vendin fqinj raportohet të përbëjnë 30% të popullsisë por shifra reale mendohet të arrijë deri në 40%.

Regjistrimi ishte parashikuar të zhvillohej nga 1 deri më 20 prill, por lideri i opozitës maqedonase, Hristian Mickovski kërkoi shtyrjen e këtij procesi për shkak të përkeqesimit të gjendjes epidemiologjike nga koronavirusi. Në fakt opozita maqedonase ka qënë prej kohësh kundër regjistrimit të popullsisë nga "frika" e daljes së shifrave zyrtare për numrin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. VMRO-DPMNE ka përdorur deri më tani të gjithë mekanizmat institucionalë për të parandaluar regjistrimin e popullsisë, duke i bërë thirrje Presidentit Pendarovski të mos e dekretojë.

Por opozita duket se bashkoi forcat me qeverinë dhe në një një komunikim me gazetarët kryeministri Zaev i dha një goditje tjetër shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duke deklaruar se edhe kur të fillojë, regjistrimi i popullsisë do të jetë i pavlefshëm për qytetarët që nuk kanë shtetësi maqedonase, duke penalizuar kështu një pjesë të mirë të shqiptarëve të vendit fqinj.

“Askush nuk mund ta ndalojë regjistrimin, por nuk është i vlefshëm për shkak se ne në bazën e të dhënave kemi të gjithë ata që kanë shtetësi. Në regjistrimin e RMV-së regjistrohen gjithë qytetarët që kanë shtetësi. Kjo do të thotë se personat pa shtetësi nuk mund të regjistrohen”, ka thënë Zaev.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut jetojnë në një masë në diasporë, për shkak të rrethanave politike, duke mos marrë nënshtetësinë shqiptare. Deri më tani, jozyrtarisht të dhënat flasin se mbi 100 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë shtetit që nuk kanë arritur të regjistrohen.

Zaev dhe Hrisitjan Mickoskit pas disa orësh bisedime ranë dakort që regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në shtator.

Zaev tha se para se të merrte këtë vendim ishte konsultuar me presidentin e shtetit, kryetarin e Entit të Statistikave dhe kryetarë t e partive të koalicionit BDI dhe Lëvizjes Besa”. Meqë procesi i regjistrimit të popullsisë për diasporen ka filluar që nga 15 marsi ky nuk do të ndërpritet, por do të vazhdojë  të jetë i hapur deri më 30 shtator.

Pas vendimit, koalicioni Aleanca për Shqiptarët – Alternativa e ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim edhe për një dështim “fatal”, si dhe mashtrim ndaj shqiptarëve, që lejuan shtyrjen e regjistrimit.

“BDI, që shtiret si përfaqësues i shqiptarëve në Qeveri, sot edhe njëherë e nënçmoi elektoratin e vetë dhe të gjithë shqiptarët. Zoran Zaev vetë e konfirmoi se vendimin për anulimin e regjistrimit ia ka kumtuar Ahmetit vetëm përmes telefonit dhe se nuk e ka pyetur për qëndrim. Ndërkohë Mickoski e quajti atë vetëm kuantitet dhe jo kualitet.

Në këtë mënyrë, nga një parti që hyri në qeveri duke mashtruar me “kryeministrin shqiptar”, BDI sot u shndërrua në parti që u bën dëm tjetër shqiptarëve, kësaj radhe përmes shtyrjes së regjistrimit. Sidoqoftë, ia bëjmë me dije Zaevit, Mickoskit dhe Ahmetit, që edhe nëse ata arrijnë që përmes numrave të na mbivotojnë dhe ta shtyjnë regjistrimin, ata nuk do të arrijnë kurrë që ta ulin numrin dhe përqindjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", tha ajo në një deklaratë.

Vendimi i liderëve të dy partive politike maqedonase për anulimin e regjistrimit të popullsisë duhet të miratohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Sa shqiptarë ka në Maqedoninë e Veriut?

Duke komentuar zhvillimet e fundit, profesori Abdulla Mehmeti thotë se nuk beson se në Maqedoninë e Veriut do të bëhet ndonjëherë një regjistrim real i popullsisë, pasi rrezikon që të ndërrohet koncepti i shtetit. Ai tha se beson se numri i real i popullsisë shqiptare në vendin fqinj beson se është 35-40%.

“Tani këtu ka dy përgjigje, do të dalë aq sa ka vendosur pushteti, regjistrim real nuk mund të ketë në Maqedoni sepse ka shumë faktorë, që nuk i përgjigjen aktualisht politikës së shtetit nuk do të lejojnë që të bëhet një regjistrim real. Pa shqiptarët ortodoksë, realisht numri i popullsisë shqiptare duhet të arrijë mbi 35-40%. Pushteti nuk është gati të bëjë regjistrim real sepse ndërrohet koncepti i shtetit. Numri i shqiptarëve ortodoksë janë 70-100 mijë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë