Politike

Sa para përfituan deputetët nga dietat, shërbimet e telefonat


Nëse në një vend si Suedia, me mirëqenie ekonomike disa herë më të lartë se ne, deputetët e ministrat përdorin transportin publik për të shkuar në punë çdo ditë, duke refuzuar lukse dhe fonde ekstra nga shteti, në Shqipëri kjo gjë është e paimagjinueshme që mund të ndodhë.
Në vendin tonë, shteti paguan dhjetë miliona lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë me qëllimin vetëm për t’i krijuar komoditetet dhe privilegje të zgjedhurve të popullit, të parashikuara sipas ligjit “Për statusin e deputetit”. Këto përfitime luksi fillojnë që nga pagesat ekstra për shpenzimin e karburantit, rimbursime për shpenzimet për telefon, dieta për udhëtime brenda e jashtë Shqipërisë, pagesë qiraje për deputetë që jetojnë jashtë Tirane.
Për 113 deputetë, Kuvendi përveç pagave, ka shpenzuar 13,028, 609 lekë shpenzime ekstra që vijnë si rezultat i zbatimit të ligjit. Kjo shumë vetëm për muajin qershor. Sipas shifrave rezulton se janë shpenzuar më shumë fonde për përfitimet e deputetëve nga statusi i tyre, sesa për pagat. Kështu për qershorin për 113 deputetë për muajin qershor është akorduar 12,932,739 lekë. Shpenzimet maksimale për një deputet si për paga dhe përfitime ekstra shkojnë në mbi 3 milionë lekë të vjetra.

Mbledhja nga komisoni hetimor për shkarkimin e presidentit


Deputetët që përfituan bonuse 200 mjë lekë
Nga lista e pagesave që Gazeta “Si” disponon të paktën janë ato deputetë që përfitojnë më pak se një milion lekë të vjetra, si pagesë ekstra veç pagës së tyre mujore. Deputetja e PS-së, Vilma Bello vetëm për muajin qershor ka marrë si pagesë përfituese ekstra nga ligji shumën prej 204,205 lekë të reja. Në këtë pagesë mujore përfshihen bonusi 40 mijë lekë për karburantin, 17 mijë lekë rimbursime për telefonin, mbi 75 mijë lekë dieta. Ndërsa në listën e pagesave rezulton se Bello ka përfituar 72 mijë lekë për pagesat për hotelin. Por shumën më të madhe të përfitimit e ka Spartak Braho me 217 mijë lekë.

Ermonela Felaj, Spartak Braho gjate nje mbledhje te komisionit parlamentar te Sigurise Kombetare


Më pas vijnë deputetët e Edmond Leka, Senida Mesi, Majlinda Halili dhe Ediola Braha që ka kanë përfituar shumat mbi 170 mijë lekë secili.
Kuvendi i jep rimbursim për shtëpi deputetëve që janë jashtë Tirane, në shumat që variojnë 18 mijë lekë deri në 35 mijë lekë të reja. Kështu ish-zvkryeministrja Senida Mesi përfiton 35 mijë lekë nga qiraja e shtëpisë, ku ndër përfitimet e tjera futet pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve, trajtimi më i lartë për sa i përket pagesave për faktin se është një nga drejtueset e komisioneve parlamentare.
Deputeti i LSI-së, Lefter Koka është më pak i paguari për muajin qershor, pasi ai nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve. Për Qershorin, Koka rezulton të marrë pagesë ekstra si privilegje vetëm karburantin dhe telefonin, në total shkon 48, 214 lekë.

Tabela e perfitimeve nga Gazeta SI


Balla, Fino dhe Braho, super pagesa nga komisionet e dietat


Për çdo mbledhje të komisioneve parlamentare deputetët iu jepet honorare. Për këtë privilegj deputetët duhet të firmosin procesverbalin e pjesëmarrjes në mbledhje, pasi në të kundërt nuk i njihet ky përfitim. Prandaj ka nga ato deputetë që shkojnë në mbledhje vetëm për të firmosur procesverbalin dhe nuk angazhohen në çështje të veçanta. Komisionet që kanë më shumë mbledhje janë ai i Ligjeve, i Ekonomisë dhe Sigurisë. Këtu këta deputetë marrin më shumë nga honoraret e mbledhjeve, të cilat përcaktohen nga vendimi i posaçëm i Kuvendit. Për kryetarët e nënkryetarët e komisioneve pagesa e honorarëve është 2500 lekë, ndërsa për deputetët 2000 lekë për çdo mbledhje. Ndërsa jo pak kanë përfituar nga dietat për shkak të udhëtimeve. Socialisti Spartak Braho ka përfituar 150 mijë lekë të reja nga dietat dhe 22 mijë lekë si honorare nga pjesëmarrja në mbledhje.

Deputetet, Bashkim Fino, Ralf Gjoni, gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Ligjeve,. Gazeta Si, 25 gusht


Sipas shifrave për Qershorin, socialisti Bashkim Fino, edhe pse nuk drejton ndonjë komision të përhershëm parlamentar, ka përfituar honorare nga pjesëmarrja në mbledhje në shifrën e 24,500 lekë. Më pas vjen socialistja Klotilda Bushka me 24 mijë lekë. Sa i përket dietave, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka përfituar mbi 86 mijë lekë të reja. Më pas vijnë emrat e Edlira Hysenit dhe Selami Jenisherit, deputet i opozitës, me mbi 87 mijë lekë, Vasil Sterjovksi me mbi 68 mijë lekë, Nikolin Staka, Elda Hoti, Ligoraq Karamelo, Aurora Mara, Ditmir Bushatri, Ralf Gjoni me mbi 75 mijë lekë. Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Koledhi rezulton që të mos ketë përfituar asnjë lekë nga dietat e udhëtimeve. Këtu përfshihen edhe deputetët e tjerë si Niko Peleshi, Fatmir Xhafaj, Arben Ahmetaj, Vasilika Hysi, Damian Gjiknuri. Ndërsa Sadri Abazi dhe Tom Doshi që rezultojnë të mos kenë përfituar dieta nga udhëtimet si dhe të mos ketë marrë pjesë edhe në asnjë mbledhje të komisionit.


Ndalesat nga pagat, Gjiknuri në top listë


Deputeti i opozitës, Erion Piciri është i vetmi deputet që ka hequr dorë nga përfitimet e financiare dhe paga. Ai nuk ka pranuar që të marrë pagën duke i kërkuar që fondet të shkojnë për familjet në nevojë. Paga e deputetit neto është 156,770 lekë. Kryetarët e grupeve parlamentare si Taulant Balla dhe Rudina Hajdari marrin përkatësisht 180,286 lekë dhe 164,609 lekë. Dy nënkryetarët e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe Myslim Murrizi paguhen 187,610 lekë në muaj. Pagë bruto më të lartë kanë edhe kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka një pagë mujore që shkon në 228,730 lekë.

Gjiknuri e Ahmetaj, dikur si ministra ne Parlmaent


Kuvendi për llogaritjen e pagave për deputetëve, veç atyre për ndalesat mbi tatimin mbi pagën, kontributet për sigurimet suplementare, shoqërore dhe shëndetësore llogarit dhe ndalesat për mungesat në seancat dhe komisionet parlamentare. Socialistit Anduel Xhindit i është mbajtur 10, 746 si penalitete për 2 mungesat e kryera. Top listën e penaliteteve e kryeson Damian Gjinkuri, që me 10 mungesa është penalizuar në shumën e 53, 730 lekëve. Më pas vijnë me nga 9 mungesa janë deputetët Elda Hoti, Lefter Koka, ku i është ndaluar shuma prej 48,357 lekëve. Ndërsa Fatmir Xhafaj me 8 mungesa në mbledhje dhe në seancë i është mbajtur shuma e rreth 43 mijë lekëve. Kuvendi për qershorin rezulton që të ketë gjithsej 76 mungesa të 23 deputetëve. Paga neto e një deputeti në muaj, që nënkupton pjesëmarrjen në mbledhje dhe seanca, shkon në 118, 215 lekë.

Paga e Kuvendit
Kryeparlamentari 228,730 lekë
Deputetët 156, 770 lekë

Përfitimet ekstra si bonus nga statusi
2000-2500 lekë honorare nga mbledhjet
17,000-2000 lekë bonus për telefonin në muaj
30,000-40,000 lekë për karburantin
14,000-35,000 lekë bonus për qiratë e banesave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë