Shendet

Sa njerëz e kanë Covid-19? Ndonjëherë është thjesht një hamendje

I riu i shtruar në spitalin Newton-Wellesley ishte dukshëm shumë i sëmurë - aq i sëmurë sa që i duhej ndihma e një ventilatori për të marrë frymë.

Mjekët që e kuruan ishin të sigurt se ai ishte i infektuar me koronavirusin e ri. Ishte mesi i prillit – kulmi i shpërthimit në zonën e Bostonit. Pacienti kishte probleme me frymëmarrjen dhe kishte simptoma të tjera.

Por testi i parë i tamponit për koronavirusin i doli negativ. Një test i dytë, 24 orë më vonë, doli negativ gjithashtu. Kështu që ata provuan një qasje të ndryshme.

"Ekipi klinik më ndihmoi për testimin e aspirimit trakeal," i tha CNN Dr. Michael Misialek, një patolog në Spitalin Newton-Wellesley jashtë Boston.

Ky është një test që konsiston në marrjen e një kampioni në sistemin e frymëmarrjes më thellë. Për të bërë këtë test përdoret një teknikë e ndryshme, por mjekët gjithnjë e më shumë po raportojnë se nuk mund të gjejnë prova të infeksionit Covid-19 derisa të kryejnë teste të tilla.

Ky sekrecion trakeal u kthye në pozitiv pas atij testimi. "Kjo i lejoi ekipit të regjistronte pacientin për një provë klinike" tha Misialek. Ai u trajtua me një nga disa ilaçe bazë për imunitetin që u provuan të suksesshme për pacientët me koronavirus. "Pacienti u shërua" tha Misialek.

Fëmijët rezultuan negativë në testin për koronavirusin.

Në Londër, doktor Michael Levin ka parë raste të ngjashme. Levin ka qenë duke trajtuar fëmijë e me sindromë inflamatore multisistemike ose MIS-C, një gjendje e rrallë, por shqetësuese që duket se është një përgjigje post virale ndaj infeksioneve koronavirus.

Fëmijët po vinin në spital të sëmurë rëndë, por nuk rezultonin pozitiv ndaj testit për koronavirusin. "Vetëm një e treta e fëmijëve ishin PCR pozitive për SARS-CoV-2" tha Levin në një konferencë të organizuar nga Qendra e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Reagimi i zinxhirit të polimerazës ose testet PCR janë testet më të ngadalta por më të besueshme për një infeksion viral.

Vetëm pas testimit të përsëritur të mostrave bronkiale ose madje edhe atyre të jashtëqitjeve, shumë prej fëmijëve u diagnostikuan me koronavirus. Po ashtu, të tjerë rezultuan pozitiv vetëm pasi iu bënë teste të antitrupave, të cilët funksionojnë vetëm pasi trupi të ketë filluar një përgjigje të qëndrueshme ndaj infeksionit.

Në New York, Dr. James Schneider kishte probleme të ngjashme me pacientët me MIS-C. "Të gjithë fëmijët me këtë sindromë po i testojmë të paktën dy herë" tha Schneider gjatë konferencës për CDC. "Testimi i PCR nuk është gjithmonë i saktë", shtoi ai.

Këta mjekë ishin të gjithë shumë të motivuar për të siguruar që pacientët e tyre u diagnostikuan në mënyrë korrekte, në mënyrë që të mund të marrin trajtimin më të mirë të mundshëm. Por shumica e njerëzve të dyshuar me koronavirus po testohen vetëm një herë dhe ato rezultate po regjistrohen sikur të ishin fjala e fundit.

Shpesh nuk janë, thotë Mike Osterholm, drejtues i Qendrës për Hulumtim dhe Politikë të Sëmundjeve Infektive (CIDRAP) në Universitetin e Minesota. "Është një rrëmujë atje" i tha ai CNN. "Të dhënat janë me të vërtetë konfuze".

Në treg ekzistojnë dhjetra teste, por besueshmëria e tyre ndryshon shumë. Testet e reaksionit të zinxhirit të polimerazës (PCR), të cilat kërkojnë prova të virusit, janë zakonisht të besueshme, tha Osterholm. Por jo gjithmonë.

Duke shkuar më thellë

Disa studime kanë filluar të tregojnë se kur pacientët janë të sëmurë rëndë, virusi po shumohet më thellë në sistemin e frymëmarrjes, përtej bërjes së tamponëve që përdoren për pjesën më të madhe të testimit, tha Misialek.

"Mënyra tradicionale me të cilën ne diagnostikojmë virusin është zakonisht përmes një tamponi nazofaringeal që shkon lart në pjesën e prapme të hapësirës së hundës", tha ai. Po sikur virusi të mos shumohet atje? Një test me tampon do të tregojë se dikush nuk ka virusin, edhe pasi koronavirusi po impenjohet të riprodhohet në mushkëri apo edhe në sistemin tretës. "Ndërsa sëmundja përparon, gjasat e një rezultati pozitiv zvogëlohen," tha Misialek.

Faktorë të tjerë ndikojnë në saktësinë e testimit, gjithashtu. "Mund të varet nga faza e sëmundjes" tha Misialek. "Virusi ka shumë të ngjarë të zbulohet një deri në dy ditë përpara se personat të jenë simptomatikë, dhe deri në katër ditë pas. Kjo është një dritare rreth një javore që ju duhet ta kapni atë."

Plus disa teste kërkojnë zgjidhje specifike të quajtura media në të cilat shtrihet shtupa, kështu që virusi mund të lahet dhe matet. Të tjerët kanë kërkesa specifike për transportimin e tamponit të testit në makinën që përpunon mostrën.

"Mund të mos jetë faji i testit" tha Misialek.

Ky ishte problemi me testin e shpejtë të Abbott - testi i promovuar që I duheshin vetëm 15 minuta ose më pak për të nxjerrë rezultatin, i përdorur shumë në Shtëpinë e Bardhë, që tani po i nënshtrohet shqyrtimit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave në SHBA pasi studiuesit vunë në dyshim saktësinë e tij. Një ekip në Universitetin e New York tha që mund të mungojnë deri në gjysma e rasteve me pasaktësinë e këtij testi. Abbott akuzoi studiuesit se nuk kishin respektuar udhëzimet për përdorimin e testit.

Por nëse njerëzit nuk mund të përdorin një test si duhet, nuk ka rëndësi nëse është faji i prodhuesit, tha Dr. Eric Schneider, Zëvendës President i Lartë për Politika dhe Kërkime në Fondin Commonwealth.

"Kompania mund të testojë në kushte ideale dhe të rezultojë logjikshëm i ndjeshëm, por në botën reale kurrë nuk do t'i afrohet asaj ndjeshmërie sepse këto gjëra ndryshojnë" tha Eric Schneider. Rezultatet e testeve nuk mund të besohen.

Dhe ashtu si saktësia e testimit shkakton dhimbje koke për mjekët që punojnë për të ndihmuar pacientët në spitale, mund të bëjë që njerëzit të marrin vendime të gabuara kur bëhet fjalë për heqjen e kufizimeve që synojnë ngadalësimin e përhapjes së Covid-19.

Vendosni se kush kthehet në punë

"Kjo është sfida që kërkon përpjekje për të përdorur testimin për krijimin e një terreni të sigurt ose rihapjes së punës", tha Eric Schneider. "Ju nuk mund të mbështeteni vetëm në teste."

Testet duhet të jepen në mënyrë të përsëritur dhe, në rrethana të përsosura, do të jetë e mundur të kontrolloni dyfish çdo test negativ me një të dytë, tha Eric Schneider.

Megjithatë, shtetet po raportojnë çdo ditë të dhënat e testimit me bindjen se këta numra janë pasqyrim i saktë i pandemisë. Osterholm dhe Schneider nuk mendojnë se janë.

"Është jashtëzakonisht e vështirë të kuptosh qartë prevalencën" tha Eric Schneider. "Ne e dimë se është ndoshta më i lartë në disa qytete, ato që kanë pasur më shumë vdekje. Ne nuk dimë shumë për disa nga shtetet ku ka pasur më pak testime."

Osterholm thotë se saktësia e testeve që po bëhen tani është shumë më e ulët se ndjeshmëria e reklamuar dhe specifika e tyre nga 85% në 99%.

Kjo për shkak të një problemi statistikor. Sa më e lartë të jetë ndjeshmëria, aq më pak negativë të rremë do të deklarojnë testet. Sa më i lartë të jetë specifikimi, aq më pak pozitivë të rremë. Në të gjithë popullsinë, testet japin rezultate më të sakta nëse sëmundja që testohet është e zakonshme në popullatë. Nëse një infeksion ka prekur vetëm një përqindje të vogël të njerëzve që testohen, madje një diferencë shumë e vogël e gabimit në një test do të zmadhohet.

Nëse vetëm 5% e popullatës që po testohet ka virus, një test me më shumë se 90% saktësi do të humbasë gjysmën e rasteve, tha Osterholm.

Një ekip në Imperial College London tha se modelimi i tyre sugjeron që deri më tani, vetëm 4% e amerikanëve kanë pasur koronavirus. Kjo do të sugjeronte që shumë nga testimet që po bëhen tani janë të pasakta.

Testet jo të besueshme do të japin si pozitive false ashtu edhe negativë të rremë, domethënë dikujt i thuhet se nuk është i infektuar kur në fakt është. Është negativi i rremë që shqetëson mjekët, sepse këta persona mund t'u japin njerëzve një sens të rremë sigurie.

"Ai person tashmë po infekton njerëz të tjerë pa e ditur atë", tha Eric Schneider.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) publikuan javën e kaluar vlerësime të reja që tregojnë se 35% e njerëzve që janë të infektuar me virus nuk shfaqin simptoma - por ka të ngjarë të përhapin atë tek të tjerët sikurse njerëzit që kanë simptoma.

"Çarë dobie janë të dhënat nëse askush nuk mund t'i besojë?" Pyeti Osterholm.

Burimi:CnnBusiness/Shqip:©Gazeta "Si", Riprodhimi i rezrvuar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë