Njerez

Sa impakt ka edukata seksuale te nxënësit

Një studim i ri në Britani zbuloi se edukimi seksual nuk ka pothuajse asnjë impakt për gjysmën e nxënësve të shkollave të mesme. Vetëm 6% e të rinjve thanë se kanë marrë informacione në lidhje me marrëdhëniet seksuale në shkolla, pasi shumica e tyre u drejtoheshin sajteve pornografike, apo miqve më të rritur.

Pyetësori ndaj më shumë se 2.400 nxënësve 14 deri 18-vjeç zbuloi se të rinjtë britanikë vazhdojnë të besojnë disa mite shqetësuese. Më shumë se gjysma e tyre besonin se femrat nuk mund të ngelen shtatzënë herën e parë që kryejnë marrëdhënie seksuale, ndërkohë që një e katërta e të rinjve mendonin se mund të merrnin virusin e HIV vetëm nga homoseksualët. Ndërkohë, një në katër nxënës britanikë nuk paraqitej në orët e edukimit seksual në shkollë.

Simon Blake, drejtori i institucionit që kreu kërkimin, shprehet se nuk është i habitur.

“A duhet të tronditemi që britanikët janë kaq të paaftë të flasin për seksin? Për fat të keq, kjo çështje vazhdon të politizohet, orët e edukimit seksual janë të çrregullta dhe të rinjtë mbështeten kryesisht tek  miqtë e tyre për informacion”, deklaron ai.

Studimi zbuloi gjithashtu se gjatë dy viteve të fundit në Britani është rritur ndjeshëm numrin i adoleshenteve që kryejnë marrëdhënie seksuale të pambrojtura. E njëjta situatë vërehet edhe në SHBA, ku të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti seksual mes nxënësve të shkollës së mesme është rritur, ndërsa përdorimi i prezervativëve ka filluar të bjerë. Madje çdo vit, rreth 14 milion vajza adoleshente në të gjithë botën ngelin shtatzënë dhe shumë prej tyre kryejnë aborte.  Një tjetër studim në SHBA zbuloi se 23 për qind e adoleshentëve  nuk kanë përdorur kontracepsion kur kanë humbur virgjërinë e tyre. 83 për qind e të rejave u thanë intervistuesve se nuk kishin marrë pjesë në orët e edukimit seksual derisa humbën virgjërinë.

Kjo çështje është nga më të debatueshmet në arsimin amerikan. Dy janë pikat kryesore të debatit: e para, që edukata seksuale duhet të mbështetet vetëm tek diskutimi i moskryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe të mirat e këtij qëndrimi, Ndërsa tjetra, bën fjalë për të mirat e shmangies së këtyre marrëdhënieve, por me një theks më të madh tek kontraceptivët dhe përdorimi i masave mbrojtëse.

Përse adoleshentët duhet të informohen rreth marrëdhënieve seksuale?

Prindërit, anëtarët e familjes dhe shkollat pritet të kenë përgjegjësinë për t’i mësuar fëmijëve si të kenë marrëdhënie të sigurta seksuale. Të rinjtë e kanë shumë të nevojshme të jenë të informuar për ndryshimet e trupit, shkaqet për këto ndryshime dhe si të mbrohen nga të gjitha llojet e abuzimit seksual.  Falë orëve të edukimit seksual në shkolla një pjesë e mirë e të rinjve perëndimorë janë të vetëdijshëm për sëmundjet dhe infeksionet që mund të marrin  nga marrëdhëniet seksuale.

Sipas ekspertëve, më e rëndësishmja është se në shkolla ata mësohen si të menaxhojnë sjelljet e tyre seksuale, emocionet dhe si t'i vënë nën kontroll dëshirat për të respektuar partnerin. Është e rëndësishme që femrave duhet t'u tregohet se mund të mbeten shtatzënë dhe rreziqet që lidhen me seksin e pambrojtur si dhe rreziqet e abortit. Edhe meshkuj duhet të dinë pasojat që lidhen me seksin e pasigurt dhe shtatëzaninë e padëshiruar. Adoleshentet duhet të informohen për përdhunimin, se si mund të joshen dhe si të mbrohen nga abuzimet seksuale. Dhe meshkuj nga ana tjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre. Edukimi seksual u mëson të rinjve  jo vetëm bazat e pubertetit, por edhe si denoncojnë dhunën seksuale. Tetë për qind e nxënëseve të shkollave të mesme në Britani janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale, ndërsa një në dhjetë të tjera ka rënë viktimë e dhunës seksuale. Por orët e edukatës seksuale i mësojnë të rinjtë se çfarë përbën dhunë seksuale dhe ku mund të kërkojnë ndihmë. Ata mësohen të tregojnë dinjitet dhe respekt për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga orientimi seksual ose identiteti gjinor.

A ka shkuar edukata seksuale shumë larg?

Por edukimi seksual në shkolla është bërë shpeshherë objekt diskutimi në media, për shkak të përdorimit të fotove apo skicave për të ilustruar marrëdhëniet seksuale. Në vitin 2015, rasti i një shkolle në Irlandë që u shpjegonte me skica të rinjve si kryej seksi anal shkaktoi jo pak zemërim në mbarë vendin, ndërkohë që mijëra prindër përdorën rrjetet sociale për të protestuar kundër metodologjive të tilla.

Ky rast u pasua nga vendimi i papritur i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që fëmijëve të moshën 4 vjeçare t’u mësohej masturbimi.  Një raport i publikuar nga OBSH argumentonte se fëmijët janë të vetëdijshëm për seksualitetin e tyre që nga lindja dhe se është e rëndësishme që prindërit dhe edukatorët t'i përgjigjen sa më shpejt pyetjeve të tyre. “Kur fëmijët arrijnë moshën katërvjeçare kanë nevojë të mësojnë për seksualitetin”, thoshte raporte. Çikago u bë qyteti më parë në SHBA që iu  përgjigj këtij raporti, duke udhëzuar mësuesit e kopshtit dhe klasës së parë t’i njihnin fëmijët me koncepteve të tilla si "trupi im" apo "gjallesa që riprodhohen". Ata u udhëzuan gjithashtu t’i mësonin fëmijëve më të vegjël rreth organeve gjenitale dhe t’i udhëzonin si t’i preknin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë