Para

Rritje “ekstravagante” e deklarimeve për të ardhurat individuale

Të ardhurat në buxhet gjatë 5 mujorit të parë të vitit 2021 janë rritur me 31 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Kategoritë e taksimit me kontributin më të madh janë të ardhurat doganore nga TVSH –ja e importit, akciza, taksa doganore dhe renta minerare me  67.8 mld lekë të ardhura, ose 23.5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat nga TVSH në import për 5 mujorin janë 45.8 miliardë lekë, 9.7 miliardë lekë ose 26.9% më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 18.3 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 15.7% më shumë se viti 2020.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1 miliardë lekë, 133.4% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 103.9% kundrejt planit, ose 40 milionë lekë më shumë.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.7 miliardë lekë, 428 milionë lekë ose 19% më shumë se 5 mujori 2020.

Të ardhurat tatimore, të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT kanë patur po ashtu rritje të dukshme në periudhën janar-maj 2021, krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit 2020. 98.9 mld lekë, me rritje 13.9%, përkthyer në 12 mld lekë më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 21.8 miliardë lekë, 4 miliardë ose 22.7% më shumë se 5 mujori 2020, si dhe 3.2 miliardë ose 16.9% më shumë se plani i TVSH për tu arkëtuar në 5 mujorin 2021.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 15.1 miliardë lekë 3.7 miliardë lekë, ose 32.3% më shumë se 5 mujori 2020.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 16 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 18.2% më shumë se 5 mujori 2020.

Rritjen më të madhe nga 5 mujori i parë i vitit të shkuar me atë të 2021-shit e ka patur kategoria  e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat individuale vjetore (DIVA), me rritje 360%. Gjithashtu, të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet  me rritje 134% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020.

Taksat nacionale, për periudhën Janar-Maj 2021 u realizuan në masën 14.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 27.9% më shumë se 5 mujori 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë, 5 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se 5 mujori 2020.

Shpenzimet e përgjithshme publike u realizuan më pak nga se ishin planifikuar për periudhën nga MFE-ja, por në vlera më të mëdha se sa vitin e shkuar.  Rezultuan në vlerën e  211.9 miliardë lekëve, 24.3 miliard më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020.

Deficiti buxhetor i 5 muajve të parë të 2021-shit rezulton 6.7 mld lekë më pak se 5mujori i parë i 2020-s, në vlerën e 20.3 miliardë lekëve në total.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, për periudhën 5 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.7% dhe 75.7% të planit të periudhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë