Para

50% e të ardhurave totale për 6 mujorin e parë u arkëtuan nga Tatimet

Për 6 mujorin e parë të vitit 2021 të ardhurat totale të arkëtuara kaluan nivelin e planifikuar duke arritur në 234 miliardë lekë.  

Shpenzimet e përgjithshme publike qëndruan poshtë shifrës së planifikuar dhe 216 miliardë ishin korrente dhe 35 miliardë kapitale.

Deficiti për 6 muajt  e parë të vitit 2021, rezultoi gjithashtu më pak nga se pritej, 29.1 miliardë lekë nga 49 të planifikuara.

Pjesën më të madhe të të ardhurave,  e arkëton Drejtoria e Tatimeve me të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT. Gjatë 6 mujorit të parë 2021, DPT-ja arkëtoi 118.2 miliardë lekë. Rritje me 15.2% nga e njëjta periudhë e 2020-s.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 26.8 miliardë lekë, 6 miliardë më shumë se 6 mujori 2020. Në të ndihmuan më së shumti sektori i tregtisë, ndërtimit dhe prodhimit.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 17.7 miliardë lekë 4 miliardë lekë më shumë se 6 mujori 2020.  Në këtë ndarje, sektori i shërbimeve rezulton me rritje 40% në raport vjetordhe sektori i ndërtimit me 47%.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 19.3 miliardë lekë, 3.4 miliardë lekë shumë se 6 mujori 2020.. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë patur:

të ardhurat nga tatimi mbi deklaratën individuale vjetore të të ardhurave me rritje 352% krahasuar me 5 mujorin e vitit 2020. Të ardhurat nga tatimi mbi dividentin dhe aksionet  me rritje 146% krahasuar me 6 mujorin e vitit 2020.

Taksat nacionale, për periudhën Janar-Qershor 2021 arkëtoi 17.9 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë më shumë se 6 mujori 2020.

Peshën më të madhe në të ardhurat e taksës nacionale e zë taksa e qarkullimit rrugor me 49.5% të totalit të taksës nacionale, e cila gjatë 6 mujorit 2021 ka pësuar rritje me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 51.8 miliardë lekë, 6.2 miliardë lekë më shumë se 6 mujori 2020.

Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin Maj 2021 rezulton rritje me 13.100  vende pune ose 2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm dhe 11.500 ose 1.7% vende pune më shumë, krahasuar me mesataren e vendeve të punës për periudhën maj të viteve 2016-2020.

Të ardhurat doganore, ku përfshihen importi, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, u vlerësuan në 84.7 miliardë lekë, 16.5 mld më shumë se 6mujori i parë i 2020-s. Gjithashtu MFE e vlerëson si shifrën më të lartë që nga viti 2013.

Pjesa më e madhe është mbledhur nga karburanti i importuar dhe cigaret.

Të ardhurat nga importi vlerësohen në 56.9 mld lekë, nga akciza 23.2 mld lekë, nga renat minerare 1.2 mld dhe nga taksa doganore 3.3 mld.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë