Taksa

Si në karantinë ashtu dhe jashtë saj, rritja e të ardhurave personale mbetet njësoj

Shpresa se goditja financiare nga pandemia e vitit 2020 do të mund të nisë të rikuperohet, u jep të dhënave nga qeveria më shumë kërshëri.

Por edhe pse të dhënat më të fundit të 5-mujorit mbi te ardhurat personale duken në rritje, aty nuk ka asgjë të jashtëzakonshme megjithëse pritej që kur bie në një gropë të thellë dhe të pjerrët, më pas edhe rritja do të jetë e lartë dhe e shpejtë.

Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, për 5 muajt e parë të vitit 2021 te ardhurat u rritën me vetëm 18.5%, krahasuar me 5 mujorin e parë të vitit pandemik 2020.

Të çudit fakti se si ka mundësi që ritmi i rritjes së të ardhurave në 2021 është pothuajse njësoj me kohën kur biznesi u “karantinua” të paktën për tre muaj, gjithçka u mbyll dhe mijëra vetë mbetën pa punë?! Sepse edhe krahasuar me 5 mujorin e parë të vitit 2019 ritmi i rritjes është 15%.

Një shpjegim, punësimi informal

Nisur nga viti 2016, viti nga ku nisi përllogaritja nga Gazeta “Si” (shiko grafikun), për gjatë 5 viteve të fundit rritja më e madhe e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat raportohet në 5 mujorin e parë të vitit 2016, krahasuar me atë të vitit 2015, rritje me 42%.

Niveli më i ulët, raportohet ai i vitit 2020, në rënie me 26% në raport 5 mujorësh.

Ecuria e të ardhurave që arkëton tatimi mbi të ardhurat në buxhetin e shteti, për çdo 5 mujor të parë, ka qenë i lëkundur dhe nuk ka krijuar një tendencë të qëndrueshme.

Pas rritjes në vitin 2016, gjatë 5 mujorit të parë të vitit 2017, vit kur në Shqipëri do të mbaheshin zgjedhjet vendore, ndonëse në një situatë jo shumë normale për politikën, të ardhurat e arkëtuara nga tatimi mbi të ardhurat, ranë nën 21%.

Në 5 mujorin e parë të  2018-s, rritja nga e njëjta periudhë e 2017-s ishte 13.6%.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2019, krahasuar me atë të vitit paraardhës, rritja raportohej 25%.

Ecuria pozitive për dy vite radhazi u shkëput nga pandemia në vitin 2020. Rënia e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat gjatë vitit 2020, në situatë të jashtëzakonshme pandemie, u ndikua nga masat që u vendosën për shtyrjen e pagesës së taksave, paralelisht me uljen e numrit të të punësuarëve, kohëzgjatjes së shkurtuar të punës apo aktivitetit ekonomik në përgjithësi.

Por siç e tregojnë të dhënat, ritmi i rritjes së të ardhurave personale mbetet në të njëjtën trajektore si në karantinë ashtu dhe jashtë saj.

A shpjegohet kjo vetëm më punësimin në të zezë, apo tjetërkush kontribuoi në emër të të papunëve?!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë