Njerez

Rrëfimi personal i një vajze që kanceri e ndau nga dy personat që e rritën

Historitë e vajzave që dhurojnë flokë çdo tetor

Nga Megi Iskurti - “Nëse i kthehem mbrapa në kohë fëmijërisë sime, gjithë çfarë mbaj mend është një orvajtje e vazhdueshme nëpër spitale dhe lufta shteruese e gjatë me kancerin e dy personave që më rritën”, kështu e nis rrëfimin për Gazetasi.al Jona Visha, një 26 vjeçare e cila tani është nënë e dy vajzave të vogla dhe ka dhuruar flokët në kuadër të tetorit rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

“Përballjen e parë me kancerin si fjalë e kam patur në moshën 10 vjeçare, në një ditë të nxehtë korriku kur mora vesh se mamaja ime e ndjerë ishte diagnostifikuar me kancer në gji”, tregon ajo.

E gjendur përballë padijes të moshës, të gjitha pikëpyetjet që i ishin ngritur në mendje atë moment, filluan të merrnin përgjigjie kur u ndesh me sytë e përlotur dhe të tronditur të së ëmës dhe kur vizitat në spital u bënë rutina e re e fëmijërisë së saj.

“Ne e morëm vesh shumë vonë. Nuk mjaftoi as operacioni i heqjes së njërit gji dhe as kimioterapitë e vazhdueshme që mamaja bëri.

Kanceri filloi t’i përhapej kudo në trup me të njëjtën shpejtësi që pesimizmi u përhap në mesin e familjes tonë. Mami ka qenë gjithmonë shumë emotive dhe sëmundja e mposhti shumë shpejt.”-tregon Jona vetëm gjysmën e parë të historisë së saj së përballjes me kancerin.

“Pasi humba mamanë, kujtim që e kam shumë të turbullt por me emocione të forta, kujdesin për mua dhe vëllain tim 4 vite më të vogël se unë, e mori tezja e cila na qëndroi shumë afër dhe na dedikoi ne të gjithë vëmendjen e saj”, vijon ajo.

Në këtë pikë të rrëfimit, ajo i peshon mirë fjalët gati duke i gëlltitur për të mos lejuar lotët, sajon herë pas here lëvizje të shpenguara të duarve, kafshon një cep të buzës dhe tret shikimin gjetkë sepse ky është momenti i kulmimit të historisë së saj ku historia ndryshon rrjedhë.

“Kishte rreth tre vite që tezja kujdesej për ne duke u përpjekur të kompesonte rolin e mamit. Na blinte rroba, interesohej për mësimet, na shoqëronte kudo, na gatuante ushqimet e preferuara.

Isha 13 vjeç dhe kisha filluar ta formësoja atë që më kishte ndodhur. U mësova me idenë që mamaja nuk do kthehej më, mbase në një mënyrë ende fëmijërore por megjithatë i kisha ngulur këmbët në realitet.

Sapo kisha arritur në këtë pikë, ne mësuam që tezja kishte të njëjtin fat me mamin.

E mbaj mend si tani, u zgjuam një mëngjes dhe barku i saj ishte fryrë sikur të ishte shtatëzënë me binjakë. Unë fillova të qeshja dhe të bëja shaka duke e pyetur nëse do na bënte me kushërinj pa e ditur atë që kishte ndodhur me trupin e saj. Ajo rendi drejt spitalit ku e njoftuan se në trupin e saj grumbulloheshin lëngje si pasojë e kancerit në stomak.”-tregon ajo për Gazetasi.al.

“Tezja luftoi tre vite, më gjatë se mami, por pavarësisht të gjithë luftës së saj, fundi ishte i pashmangshëm. I njëjti fund, e njëjta dhimbje”, tregon 26 vjeçarja.

Jona thotë se pasi u bë nënë për herë të parë shkon dhe bën kontrolle të vazhdueshme tek mjeku pasi e ka kuptuar rëndësinë e tyre dhe bashkohet sa herë që ka mundësi në kauza dhe nisma që janë në kuadër të luftës kundër kancerit.

“Unë ka gati 4 vite që i dhuroj flokët. I dorëzoj tek një parukeri dhe vajzat aty merren me ta por e di që shkojnë në vendin e duhur edhe kjo më mjafton e më bën të ndihem shumë mirë”

Jona e di që lufta me kancerin përshkallëzohet në momentin kur flokët fillojnë rënien masive dhe kujdeset sa më shumë të jetë e mundur për ta pasi e di që do i dhuroje në kuadër të kësaj kauze.

“Unë i kam ngjarë mamit, asaj i rriteshin flokët shumë shpejt dhe i kishte të shëndetshme. Përpiqem të kujdesem për ta sa më shumë sepse normalisht që nuk mund të dhurosh flokë të dëmtuar.

Kam dhuruar në gjatësi të ndryshme dhe kjo më ka bërë të ndihem shumë mirë. Bashkëshorti më ka mbështetur gjithnjë dhe tani ua shpjegoj në mënyrë sa më të butë edhe vajzave të mia.

Dua të rris vajza që janë të ndërgjegjësuara dhe që gjithashtu të kontribuojnë në mënyrë të njëjtë në shoqëri.”-mbyll rrëfimin ajo për Gazetasi.al.

Dhurimi i flokëve në sallon bukurie po vjen dhe po përhapet gjithnjë e më shumë, e shpesh, kur nisma nuk merret nga klienti, merret nga vetë punëtorët ose pronaret.

Një nga vajzat që ka një sallon të sajin dhe është treguar e gatshme t’i bashkohet kësaj nisme është Tea Shermadhi, një 27 vjeçare nga Elbasani.

“Në klientja ime preu floket në diferencë gjatësie dhe si pasojë mendova dhe prita muajin rozë të ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit për t’i dhuruar ato për një buzëqeshje  dhe për një forcë më shumë. Realisht është një nga tematikat që më prek dhe nëse do ishte e mundur do ndihmoja në çdo sekondë në bazë të profesionit që unë kam.

Gjithmonë e shpreh që kushdo që ka dëshiren dhe shpirtin e mirë të bëjnë këto gjeste humanitare sepse do të thotë SHUMË për një femër e cila vuan ndryshim si pasojë e kimiove.

Mesazhi që unë jap është që çdo femër të mbroje jetën e saj me çdo kusht në çdo kohe,duke bërë kontrolle aktive”-thotë Tea për Gazetasi.al

Nisma e Teas e ndërmarrë në instagramin e saj të punës, Wonderlab

Europa Donna Albania është një organizatë jofitimprurëse, bijë e organizatës ombrellë “Europa Donna”,që përfaqëson interesat e grave shqiptare lidhur me parandalimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit përballë institucioneve shëndetësore.

Për të gjashtin vit radhazi, kjo organizatë ka zhvilluar aktivitetin, tashmë tradicional , "Dhuro flokë, fal shpresë", një aktivitet ku u treguan histori personale dhe ku shumë gra, vajza e djem dhuruan flokët e tyre.

Donjeta Zeqja, presidentja e kësaj organizate tha për Gazetasi.al se nga viti në vit po shtohet gjithnjë e më shumë numri i qytetarëve që i bashkangjiten kësaj nisme.

“Të sëmurët me kancer duhet të kenë një shoqatë që drejtohet prej tyre, familjarëve të tyre, një shoqatë që merr në mbrojtje jo një pacient të vetëm apo të privilegjuar, por të gjithë pacientët bashkë.

Një organizatë që të çojë zërin dhe shqetësimin e tyre në institucionet përgjegjëse apo në media. Dhe është shumë e rëndësishme që shoqatat e pacientëve të forcohen dhe të funksionojnë mbi baza solide", është filozofia e kësaj organizate.

Një tjetër projekt i ndërmarrë gjatë muajit rozë është dhe ai i “Ti je një lule, ti lulëzon jetë”
Nismëtarja e këtij projekti, Blerta që menaxhon faqen “E dashur nënë” në Instagram, tregon se ai lindi si një ide e momentit, për t’u bërë bashkë 5 vajza, ku i gjithë busti ish i mbuluar nga lulet, jo për trendin e momentit, por për të treguar se në atë bust ka jetë, ai bust lulëzon, për të treguar se pavarësisht nëse mungon apo jo një gji, pavarësisht se aty ka shenja apo janë bërë rreze , ato janë bustet e femrave të forta!

Tetori është muaji rozë i cili duket se ka bërë bashkë shumë qytetarë për të dhënë modelin dhe mesazhin e jetës. Për të treguar historinë e tyre e për t’iu thënë të tjerëve sa vështirë ishte kur jeta u tregoi gjëmbat që shumë prej tyre ia dolën t’i kthenin në trëndafila…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë