Njerez

Rrëfimi i kryefamiljarit me Covid, si mori kredi për të shëruar gjithë familjen, dhe a është kjo zgjidhja e shumë familjeve gjatë pandemisë?

Nga Anxhela Çelanji - Në Shqipëri nuk ka vetëm kredi për të blerë shtëpi, për ta arreduar atë, apo edhe për të kaluar pushimet. Dy vitet e fundit sollën atë që u quajt kredia e shërimit nga Covid-19.
S.H është një nga kryefamiljarët që u detyrua t’i drejtohej bankës për t’u kuruar nga Covid-19. Duke folur për Gazetasi.al burri 53- vjeçar që jeton në periferi të Tiranës shpjegon se gjendja ekonomike e tij u rëndua aq shumë sa u detyrua të marrë kredi.
“Unë kam një tezgë të vogël në treg dhe shes fruta perime. Gjatë asaj kohe e mbylla punën sepse duhej të isha në shtëpi që të kujdesesha për gruan dhe vajzën. Ato ishin në të njëjtën kohë sëmurë dhe në gjendje aspak të mirë”, shpjegon S.H. Shpenzimet gjatë asaj periudhe kishin arritur mbi 1 milion e gjysmë të vjetra, duke përfshirë mjekimin dhe ushqimet. 53-vjeçari i shpjegoi Gazetasi.al se shpenzimet e para nisën me tamponët të cilët kushtuan rreth 200 mijë lekë të vjetra për të tre anëtarët e familjes së tij, (ai, bashkëshortja dhe vajza). Me tej tregon se u detyruan që të bënin edhe analiza të tjera për gjakun të cilat i shkuan rreth 85 mijë lekë të vjetra.
“Ne dolëm të tre pozitivë, por gjendja ime ishte më mirë. Fatmirësisht gjendja ime ishte mirë dhe për një javë u negativizova. Që prej diagnostikimit morëm një sërë ilaçesh duke nisur nga vitamina dhe medikamente të nivelit të parë siç i quanin mjekët (deponë, takipirinë dhe ilaçe për dhimbjen e kokës). Gjithashtu unë dhe gruaja morëm medikamente për të anashkaluar mpiksjen e gjakut dhe për të mbajtur nën kontroll tensionin e lartë”, shton 53-vjeçari.
Gjendja e tij e mirë e ndihmonte për të kryer shpenzimet e përditshme që deri në ato momente në total i kishin shkuar rreth 370 mijë lekë të vjetra. S.H tregon se pas blerjes së ilaçeve shpenzime të tjera shtesë ishin edhe dezifektantët e duarve dhe të shtëpisë për higjienizim, oksimetri, maskat dhe dorezat të cila i kishin shkuar rreth 55 mijë lekë të vjetra, për të cilat ai ishte i detyruar t’i blinte me shumicë për të anashkaluar vajtjen e shpeshtë në dyqane.

S.H tregon se edhe nga mjeku i familjes në periferi të Tiranës i ishte sugjeruar që t’i bënte analizat në një laborator privat pasi në ato shtetërorë kishte vonesa deri në 3 javë.
“Gjendja ishte më e rënduar për gruan dhe për vajzën. Ato ishin në gjendje të vështirë dhe duke qenë se isha në gatishmëri për kujdesin e tyre gjithë kohës, nuk punoja e kështu nuk kisha të ardhura të përditshme. Kursimet mbaruan, sepse ne nuk mendojmë shumë për ditë të keqe, kështu vendosëm të merrnim kredi në këto mikro-bankat deri në 900 mijë lekë të vjetra”, shpjegon S.H. ai do ta shlyejë kredinë për 2 vjet dhe çdo muaj paguan 75000 lekë të vjetra. Kredia u miratua për 15 ditë, ndërsa interesi është shumë i lartë. Pas 24 muajsh, S.H do të duhet të ktheje dyfishin e kredisë që mori, 1 800 000 lekë të vjetra.
Ai i tregoi Gazetasi.al se paratë në atë periudhë ishin më se të nevojshme, për shkak se sëmundja ishte e panjohur dhe duhet të ishte i përgatitur për çdo gjë.
“Për shkak të mpiksjes së gjakut, gruaja kishte një gjendje të luhatshme, një ditë ishte mirë, çohej nëpër shtëpi pastaj ditën tjetër bëhej keq dhe për këtë isha i detyruar të merrja një infermiere çdo ditë që ta mbante nën kontroll. Infermieren e mora për 15 ditë rresht dhe e paguaja nga 20 mijë lekë të vjetra në ditë. Ishin shumë, por u detyrova”, shton S.H.
53-vjeçari i cili paguan pjesë të kredisë edhe sot, vijon historinë e tij duke shtuar se përpos gjendjes së rënduar shëndetësore, u rëndua edhe gjendja ekonomike kur vajza dhe bashkëshortja nuk po njihnin përmirësim dhe u detyruan të bënin një skaner që familjes i kishte kushtuar rreth 400 mijë lekë të vjetra e më pas kishte vijuar marrja e antibiotikëve të lehtë për shkak se të dyja kishin pasur njolla në mushkëri. S.H shpjegon se dy antibiotikët shkuan rreth 70 mijë lekë të vjetra, pa llogaritur faktin se kishin marrë përsëri vitamina me pako të mëdha nga 10 mijë lekë të vjetra secila, e ndërsa trajtimi e kujdesi nuk ka ndalur deri më sot.
Si në çdo gjë tjetër, pandemia ndikoi shumë edhe në buxhetin familjar, ku shpenzimet për medikamente ishin tepër të larta.
Një raport i fundit nga shoqata “Together for Life” Tiranë ka treguar se shpenzimet për kurime shqiptarëve iu kanë kushtuar nga 1 mijë dollarë për person, ndërsa rimbursimi i shtetit ishte 40 dollarë. “Sipas deklarimeve zyrtare të paktën 4.7% e popullsisë ishte e infektuar nga Covid-19 deri në maj të këtij viti, ndërsa popullsia që ka marrë rimbursim për shpenzimet e kurimit nga Covid-19 është 0.25%. Ekspertët theksojnë se shpenzimet për trajtimin e sëmundjes ishin 10 deri 20 herë më larta se fondet e përfituara nga rimbursimi”, thuhej në raport. Nga ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave u hartuan dy paketa shëndetësore me vlerën 120 mijë lekë të vjetra dhe 300 mijë lekë të vjetra për trajtimin ambulator, ndërkohë që aplikimi duhet të bëhej nga e-albania, një procedurë që jo të gjithë e kanë ndjekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë