Shendet

Pse nuk po funksionon? Ekspertët: Shqipëria duhet të ndryshojë strategji për të nxitur vaksinimin masiv

Nga Anxhela Celanji - Mbulimi vaksinal për popullatën mbi moshën 18 vjeç në Shqipëri është 29%. Shifrat e vdekjeve në vend dy javët e fundit nuk kanë qenë të ulta dhe në spitale janë shtuar pacientët në gjendje të rëndë. Nën dritën e shifrave kuptohet që 29% është një shifër shumë e ulët dhe fushata e vaksinimit po ecën ngadalë, edhe pse tetori është muaji i tretë i hapur për vaksinimin pas gushtit dhe shtatorit që nuk sollën rritje të personave të vaksinuar. Ekspertët shqiptarë dhe të huaj më herët kanë thënë se me shfaqjen e varianteve të reja, imuniteti kolektiv duhet të jetë mbi 90% në mënyrë që të ndalohet transmetimi i virusit.
Duke pasur një tablo të vështirë shifrash dhe në pritje të sezonit të vjeshtë-dimrit, shtrohet pyetja se çfarë nuk po shkon me fushatën e vaksinimit në Shqipëri dhe a na duhen masa të tjera për të nxitur vaksinimin apo duhet të ndryshojmë strategji?

Kita Sallabanda Diaz

Mjeku shqiptar në Madrid, Kita Sallabanda Diaz shpjegoi për Gazetasi.al se duhet të investohet në ndërgjegjësimin dhe sqarimin e popullatës. Sipas tij, janë përdorur metoda ndërgjegjësimi dhe në Spanjë, vendi ku ai jeton, ku imunizimi i popullatës është 80%. Njëjtë si ka rekomanduar edhe më herët, Sallabanda shton se në disa raste duhet aplikuar edhe vaksinimi me detyrim si për shembull, personeli shëndetësor dhe personeli akademik.
Duke u bazuar edhe në përvojën e vendeve të tjera për rritjen e vaksinimit në popullatë, eksperti shqiptar i politikave shëndetësore Hysein Reka, tha se nuk ka një zgjidhje të përgjithshme për të gjitha shtetet për vaksinimin e popullatës.

Hysein Reka

“Vetëdijesimi dhe transparenca janë strategjia më e mirë. Shqipëria duhet të gjejë sa më parë mënyrën më të përshtatshme për të siguruar imunizim sa më të gjerë të popullatës”, shpjegon Reka për Gazetasi.al.
Reka thotë se disa vende po përdorin metodën e “karrotë-shkop” (është një metaforë për përdorimin e një kombinimi shpërblimi dhe ndëshkimi për të nxitur një sjellje të dëshiruar. Karrota në këtë kontekst mund të jetë premtimi i ndihmës ekonomike ose diplomatike, ndërsa shkopi mund të jetë kërcënimi i detyrimit për të kryer një veprim).
Më tej eksperti thotë se duhet t’i sqarohen popullatës probabilitetet e hospitalizimit dhe vdekshmërisë me dhe pa vaksinë. Gjithashtu edhe për probabilitetet për efektet anësore, sado të rralla të jenë. Duke theksuar faktin se popullata duhet të jetë e mirë informuar, Reka shpjegon se edhe vaksinimi varet nga aspekti kulturor e klima politike. Sipas tij, nuk mund të detyrosh askënd, por duhen gjetur mënyra për të nxitur vaksinimin.
Me disa shembuj në botë, Reka tregon se Kina vendosi që qytetarët duhet të marrin vaksinën përndryshe do limitohej lëvizja dhe qasja në shërbime publike apo transportin publik, por kjo nuk është e lehtë të ndodhë në vendet e demokracisë liberale. Eksperti thotë se një tjetër qasje ka ndjekur Hong Kong duke organizuar lotari, pra çdo person i vaksinuar merr pjesë në lotari kombëtare duke fituar çmime të majme ku më i madhi është rreth 1.4 milion dollarë.
Sipas Rekës, futja e këtyre metodave nuk mund të thuhet se mund të funksionojnë në çdo vend të botës. Por sipas tij, është e realizueshme dhe e mundur, pasi duhet parë që numrat në Kinë dhe Hong Kong tregojnë se funksionon dhe hapja e shoqërisë vjen më shpejt.
Në muajin prill të këtij viti, me ardhjen e një sasie të konsiderueshme vaksinash kineze Shqipëria ishte në krye të listës në rajon për sa i përket vaksinimeve për 100.000 banorë, sipas “Our World in Data”, kjo nën një strategji më të mbyllur ku qytetarët vaksinoheshin sipas kategorisë.

 “Për mendimin tim të dish që 29% e popullatës është plotësisht e vaksinuar (me dy doza) nuk është e mjaftueshme as si % (ende nga me të ultat në rajon e më gjerë) dhe as si shperndarje. Unë ende nuk kam të dhena se ku janë aplikuar këto 821 mijë vaksina në ç’grupe risk, grupmosha dhe me çvaksine? Le pastaj qe nuk ka asnjë të dhënë për efektet anësore dhe ata që refuzojnë të vaksinohen”,shpjegon Laidon Shapo, mjeku shqipëtar në Shërbimin Shëndetësor Ndërkombëtar në Londër.

Ndërsa për të ndryshuar situatën Shapo tregon se kjo kërkon një studim të thelluar të “PSE-ve” apo arsyeve që në këto 8 muaj vaksinim janë vaksinuar plotësisht 29% e popullatës dhe jo 45-50% e saj.

“Çështje mungese vaksinash, ngadalësie, arsyesh si frikë, mosbesim, hezitim ndaj efekteve anësore etj. Ajo që ndihmon është sqarimi i situatës tek gjithë popullata dhe grupet në risk në veçanti duke ndërgjegjësuar ata për rolin e vaksinës dhe dy dozave për t’u mbrojtur nga një variant dominant dhe teper i rrezikshem si Delta",shpjegon Shapo.

Eksperti shton se do bërë publike skema e vaksinimit dhe grupet prioritare si dhe arsyet pse duhet të vaksinohen sa më parë. Shapo thotë se duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në stinën vjeshtë-dimër me një grupim virozash përveç Covid-19 dhe do menduar për të koordinuar përgjigjen si për stafet shëndetsore dhe popullatën e rrezikuar që paralelisht të vaksinohet kundër gripit dhe Covid-19.

Ndërkaq, pas pesë muajsh nën vaksinim të hapur nuk kemi shifrat e dëshiruara.

Çfarë kanë bërë vendet e ndryshme në botë?


Jo shumë larg vendit tonë, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ka vendosur që qytetarët e pa vaksinuar të mos marrin shërbime publike dhe të mos hyjnë në kafene e restorante pa pasaportën e vaksinimit. Qeveritë europiane të cilat vuajnë nga “pandemia e të pa vaksinuarve” si Shqipëria kanë përdorur mënyra gjithnjë e më kreative për të rritur normat e vaksinimit.
Greqia ka ndjekur një rrugë të ngjashme për mjekët, por për të tjerët ka dhuruar “karta shpërblimi” të cilat janë përdorur masivisht për studentët që të kryejnë shpenzime në qendra tregtare, agjenci turistike etj.
Franca ka miratuar një qasje të ashpër, duke kërkuar që punonjësit e shëndetësisë të marrin një vaksinë Covid-19 ose nuk do të marrin pagesë.
Helge Braun, shefi i shërbimit Shëndetësor në Gjermani paralajmëroi muajin e kaluar se të pa vaksinuarve mund t'u refuzohet hyrja në restorante, kinema dhe stadiume sportive edhe nëse ata kanë një test negativ.
Italia ka vendosur që qytetarët janë të detyruar të tregojnë pasaportën e vaksinimit në restorante dhe çdo ambient tjetër të mbyllur si teatro, stadiume sportive, kinema, palestra ose muze.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson ka thënë se me fillimin e sezonit të vjeshtë-dimër do të kërkohen pasaportat për të hyrë në klubet e natës, koncerte, ngjarje të mëdha sportive dhe universitete.
Ndërsa presidenti Joe Biden ka vendosur të japë 100 dollarë shpërblim për njerëzit që të vaksinohen dhe ka deklaruar se punonjësit federalë duhet të tregojnë pasaportën e vaksinimit e të mbajnë maska në vendin e tyre të punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë