Libra

Romancat e Avni Mulës vijnë në një libër nga të bijat, Adelina Mula rrëfen detaje familjare nga jeta e artistit të madh

Nga Gazeta Si - Nga “Agimet shqiptare” te “Fluturo në kaltërsi” e “Koncert Pranveror”, romancat e para të artistit Avni Mula, gjatë viteve ’60 deri në ’75-ën vijnë në një botim të përgatitur nga e bija Adelina Mula, ndërsa partiturat të digjitalizuara nga muzikanti Alqi Lepuri.

26 romancat që vijnë të botuara pas 3 vjet mungese fizike të artistit Avni Mula do të pasohen edhe me 2 vëllime të tjera, pjesë e një antologjie të plotë që të bijat artiste, Adelina dhe Inva, po i bëjnë veprës së tij.

“Ideja për botimin e këtij libri lindi shumë gradualisht. Ishim duke vënë në skenë ‘Karnavalet’ që në mars të vitit të kaluar dhe po kërkonim me motrën që t’i shtoheshin si pjesë edhe shumë pjesë që nuk ishin të shkruara si partiturë dhe duke rrëmuar nëpër bibliotekë doli një romancë, pastaj një romancë tjetër e kështu me radhë. Duke kërkuar romancat u bënë 26, dhe vendosa të merrem që t’i bëj libër. Romancat e babit i njohin dhe këngëtarët, janë shumë të përdorura, p.sh ‘Agimet shqiptare’ është në çdo koncert, festë, por shpesh i dëgjoja me gabime duke qenë se nuk kanë qenë të botuara. Janë shumë romanca që edhe këndohen, pasi de facto romanca është për piano”, tregon zanafillën e librit “Romanca” e bija e Avni Mulës, Adelina Mula për Gazetasi.al.

Kompozitori, siç rrëfen e bija për Gazetasi.al, iku duke e ditur që kishte lënë shumë vepra pas në dorëshkrime. E bija duke rrëmuar nëpër dorëshkrime, shumë romanca të tij i ka gjetur të zbehura gjatë viteve.

“Nuk është hera e parë që unë rrëmoj në dorëshkrimet e babit. Që kur kam qenë e vogël dorëshkrimet e babit ishte kaq vështirë t’i kuptoje. Ka dorëshkrime që janë vetëm me një frazë pentagrami, ka dorëshkrime të lëna përgjysmë. Ai shpeshherë nuk kishte kohën që t’u rikthehej këtyre gjërave. Babi ka pas atë frymëzimin që ulej dhe shkruante dhe mbase nuk i rikthehej asaj gjëje, i dilte diçka tjetër. Kështu që dorëshkrimet e muzikës janë pak të veçanta, sidomos ata që kanë frymëzim”, vijon më tej pianistja Adelina Mula.

Artisti Avni Mula duket se ka lënë një pasuri të paçmuar në muzikë, jo vetëm si bariton e autor këngësh, por edhe me kompozimet e tij. Siç rrëfen e bija, romancat ishin gjithë bota e brendshme e Avni Mulës në raport me natyrën, dashurinë, etj.

“Romancat për çdo kompozitor janë të rëndësishme. Sidomos për ata kompozitorë që punojnë me vokalin sepse romanca në vetvete është si një poezi. Babi kurrë nuk ka shkruar pa pasur një tekst përpara, gjithmonë ka dashur të frymëzohet nga një poezi, nga një thënie, ka qenë gjithmonë një material që e frymëzonte. Pastaj nga një romancë ti mund të bësh një vepër të madhe. Romanca është si të thuash bota e brendshme e muzikantit i cili prej asaj mund të krijojë ndërtesa të mëdha muzikore”, thotë ndër të tjera Adelina Mula.

Të përjetësuara në këtë libër janë romancat e 15 viteve të para të krijimtarisë së tij muzikore.

“Babi im ka kënduar deri në vitet 70 nëpër shfaqje, nuk flasim për festivale apo koncerte. Pastaj ai u shkëput nga e kënduara e veprave, ishte një tërheqje e menduar mirë, me dhimbje natyrisht. U hoqën të gjitha shfaqjet e huaja në atë periudhë dhe operat ishin pak. Në ato vite pastaj frymëzoi kompozitorë shqiptarë, të cilët arritën të japin një kontribut të konsiderueshëm. Kompozimin e ka filluar që në ‘60. Në dorëshkrime jo të gjitha janë të datuara”, vijon më tej pianistja Mula.

Kjo pasuri e paçmuar në muzikë e artistit Avni Mula duket se do t’u vijë si një dhuratë e çmuar të gjithë artistëve të rinj, por edhe të tjerëve që janë në rrugën e artit për t’i marrë si referencë dhe për t’u frymëzuar.

“Unë mendoj jo pse është e babait tim, por është një nga autorët më të mëdhenj të lirizmit shqiptar, sepse çdo vepër e babit e kënduar vetvetiu bëhet lirike. Duke qenë se ai ka qenë këngëtar, këngëtarët kanë shumë dëshirë për t’i kënduar veprat e babit. Është e pamundur që në një koncert që vihen pjesë shqiptare, të mos vihen pjesët e babit. Nuk është se i detyroj të rinjtë që të shfletojnë këtë libër. Unë i lë një dorëshkrim, i cili mund të humbasë në qoftë se ka mbetur vetëm në dollap ose nëse ka mbetur vetëm partitura. Ka shumë partitura në Teatrin e Operës dhe Baletit, që janë të padixhitalizuara. Çdo thesar i muzikës shqiptare duhet të jetë i botuar si referencë”.

Ky libër është një punë që Adelina e ka bërë bashkë me motrën, artisten Inva Mula.

“Kjo është bërë në bashkëpunim me Invën. Ne çdo gjë e kemi bërë bashkë, pasi njeriu ka nevojë për t’u konsultuar. Unë kam bërë atë pjesën me nota sepse pianisti e ka më kollaj, për të gjetur qoftë edhe gabime apo rregullime, janë gjëra që janë në letër dhe duhet t’i dixhitalizosh”.

Ajo thotë se pjesa e tretë e antologjisë “do të jetë një buqetë këngësh. Ky është fillimi i një antologjie të veprave të babit që shpresojmë t’ia dalim”.

Adelina Mula rrëfen ndër të tjera se në familjen e tyre duke qenë që ishin të gjithë muzikantë, kryetema e bisedave të tyre ishte muzika. Ajo ndan edhe detaje se si ishte Avni Mula para një shfaqjeje.

“Deri në vitet ‘70 ka kënduar, megjithatë unë shfaqjet e babit i mbaj mend. Ai ka qenë mjeshtër i interpretimit dhe i zërit, vokalit në mënyrë të përkryer. Njeriu asnjëherë nuk bëhet shumë i madh ose i dëgjuar nëse nuk është perfeksionist dhe babi këtë e ka pasur. Ai përpara se të dilte nga shtëpia do të këndonte disa vokale nga ‘Rigoleto’ ose ‘Paljaco’. Do t’i bënte patjetër këto nota, nuk kishte lidhje se çfarë do të këndonte, kishte lidhje që ato vokalica të bëjnë të hapet zëri. Çdo këngëtar sado herë të ketë dalë në skenë gjithmonë është nga e para. Emocioni është nga fillimi. Përvoja është tjetër gjë, emocioni tjetër”.

E bija rrëfen më tej se sa herë që Avni Mula do të përshkruante diçka, “ne duhet të ishim që të gjithë familja që ta dëgjonim dhe të jepnim mendimet qoftë edhe negative”.

“Ai çdo gjë pranonte, por donte me patjetër që ta ndante me të gjithë familjen atë që ai kishte krijuar. D.m.th këtë unë e mbaj mend në gjithë krijimtarinë e babit dhe në të gjithë jetën time dhe mua më binte pak barra më e rëndë ngaqë isha pianiste dhe duhet ta luaja që ai shpeshherë ta dëgjonte atë gjë që kishte krijuar. Kemi qenë si një grup i vogël që para se të dilte çdo gjë nga shtëpia, duhet që ky grupi të vendoste. Babi ishte me idenë që duke dëgjuar veten, nuk del çdo konkluzion. Shpeshherë edhe një njeri më i vogël mund të të japë një mendim që ti nuk e pret”, thotë Adelina, ndërsa shton se “në një familje nga ku të katërt merreshim me muzikë, vetëm për muzikë flitej. Kishim edhe frazat e shkëputura nga shfaqjet, kishim fraza operash që i përdornim në shtëpi”.

Pyetjes se a do të kthehen sërish këto romanca në skenë, ajo i përgjigjet se “romancat gjithmonë këndohen”.

“Mua shpesh m’i kanë kërkuar, ai që ka dëshirë blen librin dhe i ka. Në një libër me romanca merren idetë. Një këngëtar për shembull, kur bën koncert recital merr disa vepra të ndryshme, merr pjesë të ndryshme. Romanca është një zhanër që mund të kthehesh përsëri e përsëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë