Politike

Basha: Dvorani, simboli i korrupsionit dhe vegël e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se kreu i KED-së, Ardian Dvorani është simboli i korrupsionit, kapjes së shtetit dhe vegla e Edi Ramës.

“Rama paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe kapjes së shtetit, vegla e Edi Ramës. Nëse institucionet funksionojnë, i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale është Edi Rama, ndaj e ka jetike të kapë drejtësinë. Vendi është zhytur në paligjshmëri. E gjithë Shqipëria punon për një kalçeto me oligarkë të Edi Ramës”, tha Basha.

Nga Devolli, ku ishte për një takim me fermerët e zonës në kuadër të turit “Rrugëtimi për Shqipërinë”, kryedemokrati përsëriti qëndrimin e opozitës se Parlamenti aktual është jolegjitim.

“Shqipëria është Republikë Parlamentare. Sovraniteti i takon popullit. Jeni ju që caktoni me votë ata që marrin vemdime për ju. E ka parë e gjithë bota që ky Parlament është pjellë e krimit dhe korrupsionit ndaj ne jemi larguar nga ai Parlament, jo për të ikur nga politika, por për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të zgjedhim një Parlament të qytetarëve, që vjen nga vota juaj. Vota juaj të ndikohet, jo nga përrallat e mashtrimet që u zbuluan njëra pas tjetrës, nga shëndetësia falas tek legalizimet falas dhe të gjitha ishin gënjeshtra që një kalçeto maskarenjsh të kapnin pushtetin, por nga platforma politike e cila ju ndihmon ju dhe të cilën do e votoni me votë”, u shpreh Basha.

Kreu i PD theksoi se nga favoret që Edi Rama po u jep oligarkëve ndër viktimat e para është fermeri.

“Mbështetja për fermerët sa vjen dhe ulet. Potenciali është i jashtëzakonshëm, por ju mungon një qeveri që ju mbështet. Ne kemi një qeveri që ju rëndon me politika abuzive duke e renditur vendin në vendin e tretë më të korruptuar të botës”, shtoi ai.

Pasojë e keqqeverisjes së Ramës, sipas Bashës, është edhe rritja e kostove për fermerët, çka i ka bërë prodhimet e tyre jokonkurruese në treg.

“Kostot e rënduara e kanë bërë punën tuaj të pavlerë në treg. Produktet tuaja përfundojnë në kanal pa u shitur sepse sektori i bujqësisë dhe blegtorisë, është sektori më i braktisur. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që qeveria nuk e mbështet fermerin me financime. Vit pas viti mbështetja për fermerët sa vjen e ulet. Edhe këtë vit mbështetja në buxhet është shumë e ulët”, vijoi ai.

Basha kërkoi bashkim për t’iu kundërvënë kësaj keqqeverisjeje dhe kërkoi që të mos shitet vota.

“Të gjithë bashkë të respektojmë vlerë e votës. Nëse njerëzit bashkohen, ndryshimi do të vijë. Asgjë nuk na pengon ta bëjmë ndryshimin. As krimineli më i keq, as rryshfeti më i madh nuk ua blen dot bukën e fëmijëve për 4 vite. Nuk ua blen dot dinjitetin për 4 vite. Nuk ju skllavëron dot për 4 vite në qoftë se kuptojmë vlerën e votës”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë