Politike

Sherri i Kushtetueses, Rama: Mos përfshihemi më tej

Kryeministri Edi Rama nuk komentoi njoftimin e Gjykatës Kushtetuese që njohu kandidaten e emëruar nga Presidenti, Marsida Xhaferllarin si anëtare të saj dhe jo Arta Vorpsin e cilësuar si e emëruar nga Kuvendi.

Rama përsëriti qëndrimin se burimi i konfliktit është Ilir Meta.

“Ky është konflikti i radhës i shkaktuar nga i njëjti burim konflikti për të njëjtat arsye që dihen. Por, unë nuk mendoj se ne duhet të përfshihemi më tej në këtë konflikt”, tha ai.

Kryeministri u shfaq i bindur se ky është një tjetër rast që mazhoranca ndodhet në anën e duhur të historisë, ndërsa Ilir Meta jo. Rama këmbënguli se në lidhje me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi gëzon mbështetjen e SHBA dhe BE dhe ironizoi deklaratën e Ilir Metës se “me një dekret presidencial shpërndahet Parlamenti”.

“Më kujton atë që ju kam thënë më parë, Xhike Qamilin që thoshte se sa të kem këtë e këtë katund nuk pyes për Francën dhe Britaninë”, tha Rama.

Sa i takon reformës zgjedhore, Edi Rama mbështeti votimin elektronik, një prej kërkesave të Partisë Demokratike.

“Kemi përgatitur një proces të tërë për të qenë të gatshëm që t’i përgjigjemi pozitivisht një kërkese të shumëkënduar, por pastaj të harruar për votimin elektronik. Na ka rezultuar i mundshëm, për ta shtrirë në të gjithë vendin. Mbetet për t’u parë në të ardhmen. Është absolutisht i mundshëm. Është offline, jo online”, tha ai.

I pyetur mbi dekriminalizimin, Kryeministri tha sërish se përgjegjësia është individuale dhe përsëriti propozimin për ashpërsim të ligjit të dekriminalizimit dhe nisjen e procedurave të verfikimit të kandidatëve para nisjes së fushatës zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë