Politike

Gjykata Kushtetuese “njeh” Metën

Kjo e premte (15 nëntor) ishte një ditë e pazakontë pune për Gjykatën Kushtetuese. Gjashtë emra ngjitën shkallët e saj për të zënë pesë karrige. Për katër emra askush nuk ka kundërshti, ndërsa një karrige “diskutohet” mes Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllarit.

Vorpsi, që noterizoi deklaratën e betimit dhe e dorëzoi në Presidencë njihet nga mazhoranca dhe Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Marsida Xhaferllari u emërua dhe u betua para Presidentit Ilir Meta.

Përplasja mes Presidencës dhe Kuvendit se kush po e interpreton siç duhet Kushtetutën në këtë pjesë është “eksportuar” edhe brenda zyrave të Gjykatës Kushtetuese. Arta Vorpsi ka kërkuar nga Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji që ta njohin si “kolege” të tyre. Mësohet se katër anëtarët në fjalë kanë organizuar një mbledhje, në të cilën Marsida Xhaferllari nuk ka marrë pjesë.

Nga kjo mbledhje, u raportua se dy prej anëtarëve kanë refuzuar që të marrin vendim për këtë çështje, duke deklaruar se nuk kanë kuorum për të zgjidhur përplasjet mes institucioneve të tjera kushtetuese.

Por, mungesa e kuorumit nuk ishte pengesë për të qartësuar, sipas Gjykatës Kushtetuese se kush ishte anëtare e saj. Përmes dy akteve thuajse të njëkohëshme, Gjykata Kushtetuese njohu Marsida Xhaferllarin si anëtare të saj.

Akti i parë nuk lidhej drejtpërdrejtë me përplasjen President-Parlament, por në mënyrë të drejtpërdrejtë ky akt njeh Marsida Xhaferllarin. Bëhet fjalë për listën me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që plotësojnë kërkesat ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në këtë listë mungonte Arta Vorpsi.

Lista kryesohet nga Vitore Tusha, si kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe si anëtarë Besnik Muçi, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. 15 nëntori është dita që sipas përcaktimeve ligjore Presidenti duhet të hapë garën për shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që zgjidhet çdo vit. Nëse Meta deri më 5 dhjetor nuk e hedh këtë short, atëherë radha i kalon kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi që ka afat deri më 10 dhjetor.

Akti i dytë, që “vulos” Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese është një njoftim publik i vetë këtij institucioni. Njoftimi pasonte votimin e rezolutës nga ana e mazhorancës në Kuvend, sipas të cilës u bëhet thirrje të gjitha institucioneve të tjera, përfshirë edhe Gjykatës Kushtetuese, që të mos njohin vendimin e Metës për Marsida Xhaferllarin. Gjykata Kushtetuese në këtë deklaratë kujton se nuk mund t’i bindet një rezolute, por vetëm Kushtetutës.

“Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot (15 nëntor). Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës”, thuhet në deklaratë.

Në njoftim përsëritet gjithashtu, por me terma më zyrtarë dhe pa emra, se anëtare e Gjykatës Kushtetuese konsiderohet Marsida Xhaferllari.

“Gjykata Kushtetuese, si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, thuhet në deklaratë.

Të fundit të betuara para Presidentit janë Elsa Toska, Fiona Papajorgji si të zgjedhura nga Kuvendi dhe Marsida Xhaferllari si e zgjedhur nga Presidenti i Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë