Politike

Meta kallëzon penalisht Dvoranin e KED dhe i çon mesazh Ramës e ndërkombëtarëve

Ishte paralajmëruar që dilte në ora 14:00 në konferencë për shtyp, e modelit të jashtëzakonshme, por presidenti për shkak të kontakteve me ndërkombëtarët, u shfaq një orë me vonesë në konferencë për shtyp. Kërshëria ishte e madhe për këtë konferencë, pasi Meta më herët kishte treguar forcën, duke paralajmëruar Parlamentin që të kishte kujdes në vendimet, sepse mund të nxirrte dekretin për shpërndarjen e këtij institucioni.

Kreu i shtetit e nisi konferencën me një dolli me gotë uji, duke u shprehur “së pari gëzuar për fillimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Që në krye të herës, presidenti bëri të qartë se do të kallëzonte penalisht të hënën, kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke e akuzuar për shkelje me dashje për veprimet e mos veprimet e tij për mënyrën se si veproi për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ku bëri të qartë se tentoi t’ia merrte të drejtën Metës për caktimin e dy anëtarëve.

Meta në konferencën për shtyp. Gazeta Si, 15 nëntor


Për Metën, Dvorani ka kryer shkeljen e dy neneve të Kodit Penal, nenit 246, përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore, që parashikon gjobë apo burgim 2 vjet, si dhe nenin 248, shpërdorimi i detyrës, që parashikon deri në 7 vjet burgim, për kryerjen e veprime ose mos veprimeve në kundërshtim me ligjin. Kreu i shtetit lexoi kallëzimine plotë, duke bërë të qartë se Dvorani veproi si ushtar besnik i partisë, duke kryer shkelje të ligjit edhe me botimin e vendimit të KED në Fletoren Zyrtar, gjë që është e ndaluar me ligj. Sipas Metës, ndonëse KED është një organ Kolegjial, Dvorani ka vepruar në mënyrë individuale. “Është bërë në mënyrë të qëllimshme nga kryetari i KED. I gjendur përpara kësaj situate, të administrim të dy listave njëherësh, Presidenca iu drejtua KED me një kërkesë, nëse ia kishte përcjellë listën Kuvendit. Kryetari i KED informoi presidentin se ka përcjell dhe ka dorëzuar pranë Kuvendit listën përfundimtare dhe raportin e arsyetuar dhe renditur prej tyre. Këshilli i ka miratuar në një ditë dhe zotëria, në vend që të respektojë kronologjinë e Kushtetues, Presidencën ia dërgon më përpara, dhe Kuvendit ia dërgon kur e pyet presidenti. Në datë 14 tetor kryetari i KED ka realizuar procesin e dërgimit të listave në Kuvend”, tha Meta. Sipas tij qëllimisht, Dvorani me firmën e tij i dërgoi më parë Presidentit listën e anëtarëve, ku e kishte radhën Parlamenti për të zgjedhur anëtarin e dytë.

Presidenti Meta në konferencën e sotme. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Kreu i shtetit e cilësoi të pavlerë edhe botimin në Fletoren Zyrtare të KED-së, për të mashtruar ndërkombëtarët, për të treguar se u vu në lëvizje mekanizmi zhbllokues. Për presidentin, vendimet e KED nuk botohen në fletoren zyrtare, aq më tepër që ishin botuar më parë në faqen zyrtare të KED një vendim i tillë. Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat, Meta tha se vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare me 9 nëntor të këtij viti nga KED, është i njëjti me atë të botuar me 22 shtator në faqen e Gjykatës së Lartë. Përmes kësaj skeme, tha kreu i Shtetit, Kuvendi do të emëronte 3 kandidatë nga 2 që i takonin dhe Presidenti do të mbetej me 1 nga 2 që e kishte të drejtë me ligj dhe Kushtetutë.
Ky proces, paralajmëroi Meta, një ditë do ta ketë ndëshkimin e pashmangshëm në mënyrë që të bëhet mësim për të gjithë që tallen me Kushtetutën dhe ligjin. Presidenti gjithashtu i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të hetojë mbi këtë çështje, duke e cilësuar si një akt mafioz që kishte për qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Të hënën Meta do të paraqesë zyrtarisht kërkesën në prokurori dhe bëri të ditur se po studion nëse këtë shkelje sipas tij, janë përfshirë edhe të tjetër.
“Rama nuk mu duk mirë, të mos i dërgojë ambasadorët si sekserë”
Në komentin e tij për rezolutën e miratuar nga Parlamenti, Meta u shpreh se është i vendosur të mbrojë Kushtetutën, pasi “ajo ësht vija e kuqe, por kuqe e flaktë”. Duke akuzuar Ramën se kapur prokurorinë, duke zgjedhur prokuroren e përkohshme, Parlamentin dhe pushtetin vendor, Meta u shpreh se nuk mund të lejonte që të kapte edhe Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i takon atyre përrallave që thotë dikush, dëgjova seç fliste njëri sot në parlament, nuk mu duk në rregull, që i kanë bërë këto lojëra me ekspertë amerikanë dhe europianë, i them të mos i keqpërdorë më. SHBA, ndonjë diplomat apo ekspert si ata që firmosën për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme në mënyrë antikushtetuese me 69 vota, ta përdorë sa të dojë. Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e kemi bërë me SHBA, BE dhe me Komisionin e Venecias. E kemi bërë tepër të qartë, aq më tepër për këtë çështje. Përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje. Sepse ka dy vjet që është sabotuar qëllimisht funksionimi i KED 2017-2018 për të ardhur këtu ky person i besuar i partisë të bëjë të gjithë këto veprime dhe manipulime kaq të qarta që do të sqarohen dhe më tej në ditët e ardhshme”, theksoi Meta.

Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 15 nëntor 2019


Ai përmendi edhe tre mënyrat e zgjidhjes të kësaj situate. Sipas Metës me këtë kapje të drejtësisë, qytetareve u mbetet ose të kapin armët, ose të bëhen në skllevër, ose sipas tij të ikin nga Shqipëria. “Tani kanë mbetur vetëm tre rrugë nëse Presidenti do pranonte këtë gjë. Ose njerëzit të marrin armët që është dënueshme dhe papranueshme, ose të bëhen skllevër njëpartiak që e kanë provuar 40 vjet, ose të ikin të gjithë jashtë nga Shqipëria… Të gjitha janë të papranueshme, por ato dy të fundit për mua tmerrësisht të papranueshme. Kështu që është detyra e presidentit që të mbrojë këtë proces mjaft të rëndësishëm kushtetues të ndërtimit të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti ka qenë mjaft bashkëpunues në këtë proces. Nuk ka institucion në botë që mund të guxojë të dali kundër dekretit kushtetues të Presidentit, nëse ka një institucion që del kundër kësaj, atëherë do të dëgjoni dhe përgjigjen e Presidentit Meta”, tha Meta.
Ndërkohë që më herët, Meta u shpreh se Rama duhet të ndalojë së përdorur ekspertët e huaj apo të dërgojë ambasadorë si sekserë, pa përmendur emra konkretë. “Mos i keqpërdor më SHBA, diplomat e kështu, ekspertë, si ata që firmosën për PPP në mënyrë antikushtetuese le të përdori sa të dojë, por kushtetutën e Shqipërisë e kemi bërë me SHBA, BE dhe Komisionin e Venecias, sepse përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar për këtë çështje dhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje, sepse ka dy vite që është sabotuar qëllimisht KED që ky person që u vu në krye të KED të bëjë këto veprime”, tha Meta.
Sa i përket shpërndarjes së Parlamentit, Meta insistoi se ai shpërndahet vetëm me anë të një dekreti. “Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë! Është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi. Parlamenti me një dekret shpërndahet! Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet! Presidenti, me një “impeachment” nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. E nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do t’i bëj të qartë se në fund fare kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë, dhe do të jetë detyrë e Presidentit të Shqipërisë dhe e popullit të Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve e skllevërve të tyre, kudo ku janë”, tha Meta


“Xhaferllari nuk e donte PD si kryetare të KQZ, Vorpsi shkeli marrëveshjen”
Presidenti gjithashtu u ndal edhe te debati sa i përket Xhaferllarit dhe qëndrimeve të dala nga mazhoranca se ai e donte me patjetër atë. Duke e vlerësuar Xhaferllarin, Meta u shpreh se po të donte se synoja atë, mund të kandidonte në të dy postet e vakancës së presidenti, e jo si disa të tjerë që kanë kandiduar për të katër postet. Ai zbuloi se Xhaferllari ishte në 2010 si kandidate për kryetare KQZ-së, në kohën kur Meta ishte në koalicionin me Berishën, por s’e PD-ja nuk e pranoi, pasi nuk e cilësonte si të besuar. Sipas tij, edhe pse Xhaferllarin ka pasur presione të mëdha, ajo nuk u tërhoq nga gara dhe se kjo tregon se kishte kandidaturë me integritet, pasi konkurroi vetëm për një vakancë.

Xhaferllari në momentin e beitmit në Presidencë. Gazeta Si, 15 nëntor


Sa i përket Vorpsi, Meta u shpreh se ka një rezervë ndaj saj, pasi sipas marrëveshjes së arritur në kohën e diskutimit të reformës zgjedhore, ata që ishin në grupin e ekspertëve të reformës nuk duhet të merrnin poste në institucionet e reja të drejtësisë.
Dvorani reagon ndaj Metës
Pas konferencë së presidentit reagoi edhe kryetari i KED-së, Adrian Dvorani duke ironizuar se më në fund presidenti po e ushtron detyrën e tij si zyrtar. Ai thekson se ka zbatuar ligjin në këtë proces.

Gjyqtari Ardian Dvorani, kreu i KED-së. Gazeta “Si” 15 nëntor 2019

“Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim. Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojëra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës. Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi”, theksoi Dvorani. Sipas këtij qëndrimi kreu i KED është i hapur për t’u përballur me ligjin.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë