Njerez

Rikthimi në shkollë, shqiptarët kanë dilema të forta

Nje nxenese gjate nje ore mesimi online permes platformave te posacme te vena ne dispozicion per klasat virtuale nga Ministria e Arsimit, Rinise dhe Sporteve, pas mbylljes se shkollave per shkak te koronavirusit, COVID 19. Nxenesit dhe studen. Gazeta "Si" 18 gusht 2020

Megjithëse  pjesa më e madhe e prindërve dhe mësuesve pranojnë që  mësimi online në kushtet e pandemisë së COVID-19 është i vështirë frika nga infeksioni ka ngritur shumë dilema, të cilat janë ende të forta për sa kohë edhe institucionet nuk kanë dhënë përgjigje të qarta.

Erjona, mësuese dhe prind i dy fëmijëve në moshë shkollore, shprehet me bindje pro mësimit online.

“Më mirë të humbasim dy vite mësim se të bashkëjetojmë dhe të bashkëvdesim me virusin. Duke parë kushtet dhe sa të papërgjeshëm janë shqiptarët, frika dhjetëfishohet. U kam thënë që nëse e shoh të arsyeshme mund ta bëjmë edhe “pushim” këtë vit. Sigurisht ka pafund të këqija, sidomos në aspektin social dhe psikologjik. Por a nuk do të ishte njësoj e rëndë dhe pa dobi frekuentimi i shkollës me një maskë te goja? Me terrorrin që dikush po të afrohet më shumë sesa duhet. Ndoshta të tjera sfida do të duhet të përballojnë fëmijët në jetë, por ma merr mendja, se kjo pandemi ka lënë shenjë qysh tani tek ta”,- shprehet ajo.,

Ndryshe mendon A.GJ, mësuese në një nga gjimnazet e Tiranës, gjithashtu edhe prind i dy fëmijëve në moshë shkollore.

“Nuk di ndonjë gjë të madhe. Sot na nisën një mesazh që nënkuptonte se shkolla do të fillojë me turne dhe klasa të përgjysmuara. Ora mësimore mendohet të reduktohet nga 45 në 30 minuta, ndërsa puna jonë të llogaritet nga një normë, në një normë e gjysmë.

Na pyetën nëse ishim dakord të bënim këtë apo të sillnin mësues shtesë. Na bënë edhe një sondazh se si mendonim në lidhje me organizimin e mësimit, por në mënyrë taksative nuk na kanë thënë gjë.”, rrëfen ajo për gazetën “Si”, ndërsa shton se për të personalisht “Kjo është zgjidhja më e mirë”.

“Mësimi online është jo-efektiv. Ishte zgjidhje për aq sa zgjati, por jo të vazhdojë. Për mua, edhe si mësuese, edhe si prind ishte stresuese.”

Një tjetër mësuese shprehet se, pavarësisht nevojës për të zhvilluar mësimin në shkollë, mësimi i zhvilluar me dy turne rrit kohëzgjatjen e mësuesve në ambiente të mbyllura dhe në këtë mënyrë është një kërcënim për shëndetin e tyre.

“Po mendojnë ta përhapin në masë pandeminë tek mësuesit. Të vdesin mësuesit, sepse fëmijët sipas studimeve e tejkalojnë, megjithëse unë nuk jam shumë e sigurtë me këtë amulli informacionesh nga shumë “ekspertë”. Në këto kushte, më mirë mësim online. Shëndeti dhe jeta nuk vjen më, ndërsa çdo gjë rregullohet”, shprehet Alma, mësuese e ciklit fillor në një nga shkollat e Tiranës.

Suela, prind i një fëmijë 13 vjeçar, shprehet se situata duhet të shikohet me kujdes dhe përgjegjshmërinë e prindit, që ka zë kryesor në vendimmarrjen e përbashkët.

“Duhet të shohim dhe të studiojmë mirë masat që janë marrë dhe ta diskutojmë e ngremë si problem. Nuk vendos shteti për fëmijën tim. Megjithatë, me të parë, me te bërë.”

Nga ana tjetër, ka plot nxënës që mendojnë se  është situatë thuajse normale, që shkolla të mbyllet dhe mësimi të zhvillohet online. “Më pëlqen të mësoj me mamin në shtëpi”, shprehet Nikol, e cila këtë vit duhet të shkojë në klasën e dytë.

“Shoh që fëmijëve kjo u pëlqen dhe ka sjellë një lloj rehatie, e cila në fakt i bën pasivë”, - komenton A.Gj, si prind i dy fëmijëve, 13 dhe 15 vjeçarë.

Megjithatë, nëse bëjmë një vëzhgim të thjeshtë, te nxënësit pak më të rritur shihet një dëshirë më e madhe për t’u rikthyer në shkollë në krahasim me moshat më të vogla.

Arjoni 16 vjeçar përkrah idenë, që mësimi të zhvillohet një pjesë online dhe një pjesë në shkollë.

“Është më mirë kështu, se do të takohem edhe me shokët, ndërsa përsa i përket mësimeve mendoj do të jetë më lehtë kështu”, shprehet ai.

Kejsi, është një prej atyre nxënësve, e cila dëshiron të jenë në ambientet fizike të shkollës.

“Këta përgjithëisht janë kategoria e atyre që e do shkollën apo maturantët.”, komenton A.Gj.

“Mendoj se është e rëndësishme për ne të jemi në shkollë. Në këtë mënyrë mund të mësojmë më tepër dhe të thithim më shumë nga programi mësimor.”, thotë Kejsi.

Për Ornelën, prind i tri fëmijëve, “Fëmijët duhet t’u kthehen bankave të shkollës”.

“Shëndeti mendor i tyre është mbi atë fizik! Pas shpërthimit të këtij virusi, bota nuk do të jetë më ajo që ishte. Fëmijët duhet ta jetojnë me sa më më pak pasoja psikologjike këtë fazë ndryshimesh”,- vëren ajo.

“Djali im, para disa ditësh më tha: Ma, jam mërzitur në shtëpi, dua të iki në shkollë, të takoj shokët, mësuesen. Madje, edhe për shoferin e kishte marrë malli.

Mendimi im është të shkojnë në shkollë, online nuk ka funksionuar fare. Nuk prek COVID fëmijët e as njerëzit me imunitet të ri, përpos jeta duhet të vazhdojë. E popullata të mësohet që virusi edhe kur ndodhet, nuk luftohet duke ndenjur brenda katër mureve. Se fëmijët, edhe nëse nuk do të shkojnë në shkollë, poshtë pallatit do të zbresin të luajnë.”,- vijon Ornela.

Një tjetër prind vëren se mësimi online është zgjidhja më e përshtatshme, pavarësisht se sjell problemin e mbylljes së fëmijëve e bashkë me të, dhe të mbylljes së prindërve në shtëpi.

“Papërgjegjshmëria karakteristike e shqiptarëve, shtoi këtu edhe që fëmijët e kanë të pamundur të mos rrinë me njëri-tjetrin, do të bëjë që asnjë rregull që mund të jetë vendosur teorikisht, të funksionojë...dhe pastaj Zoti na shpëtoftë të gjithëve!”

Opinionet, për atë se cila është rruga më e mirë, përsa i përket mënyrës së zhvillimit të mësimit janë të ndryshme, por një pyetje që duhet të ngremë të gjithë është se sa e sigurt është për fëmijët tanë të kthehen në shkollë?

Ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe ajo e Shendetesise Ogerta Manastirliu gjate nje seance ne parlament

Të hënën Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u shpreh në një video-konferencë se “vendimi mbi skenarin e rifillimit të vitit të ri shkollor do të merret nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë”. Sipas saj në korrik është ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. “Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, tha ministrja Shahini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë