Mendim

“Hapja e shkollave pa asnjë studim dhe konsultim, mësuesit janë të papërgatitur”

Fotografi ilustruese: Maturantet e gjimnazit Ismail Qemali me maska mbrojtese duke dale nga shkolla pas provimit te trete te matures shteterore,, Gazeta "Si" 21 gusht 2020

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA/ECPAT i kërkon qeverisë shqiptare, që të mos hapë shkollat, pa një studim mbi pasojat e COVID-19 tek fëmijët.

Në një reagim publik, kjo Qendër shpreh shqetësimin e saj për vendimin e Ministrisë së Arsimit për hapjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 në 14 Shtator, “sikur Shqipëria të ishte në kushte normale dhe jo e gllabëruar nga Covid19”.

“Situata shëndetësore për shkak të virusit paraqitet aq e rëndë, sa Shqipëria dhe qytetarët tanë e kanë të ndaluar kategorikisht të udhëtojnë në një vend të BE-së. Edhe në listën e vendeve më të prekur nga COVID, Shqipëria figuron ndër vendet e para në Europë për numrin e lartë të prekurve për 100,000 banorë”, vërehet nga CRCA.

Qendra thotë se  përkundër këtyre fakteve nuk mund të merret vendim me kokëfortësi. “Deri më tani nuk ka patur asnjë lloj konsultimi publik në lidhje me hapjen e vitit të ri shkollor as me bordet e prindërve dhe as me organizatat e shoqërisë civile, që punojnë në fushën e arsimit apo të të drejtave të fëmijës”.

Në deklaratën publike Qendra ngre një pyetje për qeverinë shqiptare: Mbi cilin studim apo fakte u bazua Ministria e Arsimit për të marrë vendimin për hapjen e vitit të ri shkollor në datë 14 Shtator 2020? Cilët janë ekspertët e Ministrisë që i konsiderojnë shkollat, në situatën aktuale, mjedise të sigurta për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës?”

CRCA thotë se “ Ministria e Arsimit, pavarësisht deklaratave inkurajuese që ka dhënë në lidhje me shkallën e përgatitjes së trupës mësimore në Shqipëri për t’u përballur me Covid19, nuk ka ndarë asnjë studim të detajuar se cili do të jetë ndikimi që do të ketë Covid-19 tek fëmijët, si mund të ndikojë hapja e shkollave në përhapjen akoma edhe më gjerë të virusit në popullatë dhe, cilat janë masat praktike dhe strategjike që ka ndërmarrë Ministria për të eleminuar ekspozimin e fëmijëve në një virus, që sipas shkencëtarëve, shkakton pasoja jo pak të lehta edhe tek fëmijët? “

Në reagim theksohet edhe fakti, se sikurse të gjithë jemi në dijeni, anjë prej mësuesve të arsimit parauniversitar, nuk është trajnuar për t’u përballuar me Covid, distancimin social.

“Një pjesë e mirë e shkollave tona të arsimit parauniversitar publik janë thuajse jashtë çdo standardi të kujdesit minimal ndaj fëmijëve, përfshi edhe higjenën personale të tyre, e jo më të mendohet se këto lloj ndërtesash do të jenë të afta të ofrojnë sigurinë maksimale dhe mbrojtje ndaj covid-19. Për ne mbetet i paqartë krahasimi që Ministrja aktuale e Arsimit i bëri shkollave në Shqipëri me shkollat në Gjermani, Francë apo Zvicër – ndaj e ndjejmë për detyrë ta pyesim: a e njeh vërtetë gjendjen e shkollave në Shqipëri?

Sipas Qendrës , hapja e shkollave duhet bërë vetëm nëpërmjet një plani kombëtar të mirë-studiuar, të konsultuar me prindërit dhe publikun, që merr në konsideratë shëndetin e fëmijëve, shkallën e përhapjes së virusit në Shqipëri, mundësitë e sistemit pediatrik, që të përballet me rritjen e mundësisë që COVID-19 do të prekë edhe fëmijët më të varfër dhe më të ekspozuar ndaj sëmundjeve aspiratore, diabetit, mungesës së ushqimit të shëndetshëm etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë