Njerez

Pesë vende të BE drejt marrëveshjes për ngritjen e një qendre kthimi migrantësh në Ruandë

Ruanda pritet të presë qendrën e parë të kthimit të migrantëve të ngritur nga Bashkimi Evropian jashtë territorit të tij. Marrëveshja mes Ruandës dhe pesë vendeve anëtare të BE-së, Danimarkës, Austrisë, Gjermanisë, Holandës dhe Greqisë, pritet të shpallet në Vjenë.

Sipas burimeve për mediat e huaja, projekti do të nisë si një program pilot, me kapacitet për disa qindra emigrantë, ndërsa transferimet e para pritet të fillojnë në pranverë ose verë të vitit 2027.

Ndryshe nga qendrat tradicionale të dëbimit, emigrantët në Ruandë do të pajisen me leje qëndrimi dhe do të kenë të drejtë të lëvizin lirshëm, me synimin për t’u integruar në shoqëri dhe në tregun vendas të punës. Megjithatë, mungesa e një afati të përcaktuar për qëndrimin ngre shqetësime se ata mund të mbeten për një kohë të pacaktuar në vend.

Nisma pritet të përballet me sfida të rëndësishme ligjore dhe kritika për respektimin e të drejtave të njeriut. Në vitin 2023, Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshme marrëveshjen për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, duke argumentuar se ekzistonte rreziku i shkeljes së të drejtave të tyre.

Pesë qeveritë evropiane deklarojnë se projekti do të jetë në përputhje me ligjin e BE-së dhe detyrimet ndërkombëtare. Megjithatë, UNHCR dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin nuk janë drejtpërdrejt të përfshira në negociata dhe mund të tërhiqen nëse nuk plotësohen kushtet e nevojshme të mbrojtjes.

Edhe kostot mbeten të paqarta. Pesë shtetet evropiane do të mbulojnë shpenzimet e transportit dhe akomodimit, por ende nuk ka një vlerësim të faturës totale apo të përfitimeve financiare që do të marrë Ruanda.

Nisma vjen në një kohë kur 19 nga 27 vendet anëtare të BE-së mbështesin idenë e qendrave të kthimit jashtë bllokut, ndërsa vende si Spanja dhe Franca e kundërshtojnë skemën. Projekti pritet të hapë një debat të ri në Evropë mbi politikat e migracionit, përgjegjësitë e shteteve dhe respektimin e të drejtave themelore të migrantëve


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë