Histori

Rikthimi në heshtje i Gadafit të ri në krye të Libisë? Misteret e djalit më ‘politik’ të ish-diktatorit

Saif al Islami në rolin e shpëtimtarit të Libisë me misionin e kthimit të familjes Gadafi për të udhëhequr vendin? Deri pak muaj më parë flitej me ngulm si mes Tripolit dhe Bengazit, ashtu edhe në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare dhe mediat anembanë botës.

Djali më “politik” i ish-diktatorit, i kapur dhe i linçuar nga militantët e revolucionit në portat e Sirtes më 20 tetor 2011, dukej i pozicionuar për ringjalljen e tij personale në skenën vendase dhe ndërkombëtare. Supozohet se 49-vjeçari Saif, mund të kandidojë për presidencën e vendit në zgjedhjet kombëtare të mbrojtura nga të dërguarit e Kombeve të Bashkuara dhe të planifikuara jo-zyrtarisht për 24 dhjetorin e ardhshëm.

Ai vetë kishte folur për këtë në një intervistë të çuditshme që doli në gazetën amerikane “New York Times” më 30 korrik 2021. E çuditshme, për faktin se ajo u publikua vetëm dy muaj pas takimit me gazetarin në qytetin e Zintanit, por edhe për fotot, në të cilat Saifi thuajse nuk njihej dhe për ato pak citime direkte nga i intervistuari.

Djali i ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, Saif al-Islam, i mbajtur në paraburgim nga luftëtarët revolucionarë në Zintan

Megjithatë, tani, pikërisht që përkon me dhjetëvjetorin e vdekjes tragjike të Muammar Gaddafit - i vrarë më 20 tetor 2011 në Sirte - pasiguria për të ardhmen e Saifit në shumë aspekte pasqyron destabilizimin e brendshëm të vendit dhe retë e errëta që rëndojnë për të ardhmen e afërt.

Edhe një herë, emri i Gadafit lidhet drejtpërdrejt me atë të Libisë. Në fakt, Saif u prezantua si simbol i unitetit kombëtar kundër ndërhyrjes ushtarake të NATO-s dhe kaosit që pasoi, si garanci e bashkimit të ripërtërirë të libianëve, pasi tani, rikthimi i tij në heshtje shpalos betejat e brendshme midis Cyrenaicas dhe Tripolitanias, te prania e rëndë e trupave të huaja (mercenarët pro-turq, rusë dhe sirianë, divizionet fisnore, milicitë që luftojnë njëra-tjetrën).

“Ka shumë pak mundësi që zgjedhjet të mbahen realisht më 24 dhjetor. Ligji zgjedhor mungon ende, komisioni themelues nuk ka mundur të paraqesë një dokument që është ndarë dhe miratuar nga parlamenti”, sqarojnë burime diplomatike perëndimore në Tripoli.

Një president më i fortë

Saif al-Islam, djali dhe pasardhësi i preferuar i Muamar Gadafit

Një nga problemet kryesore, mbetet çështja e raportit mes zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Ligji i vjetër zgjedhor kërkonte që parlamenti të emëronte presidentin. Sot, kërkohet një president më i fortë për t’u legjitimuar nga vota e drejtpërdrejtë e popullit dhe nga prerogativa e tij e re për të zgjedhur kryeministrin dhe, nëse është e nevojshme, për ta pezulluar atë.

Por asgjë nuk është vendosur. Dhe propozimi për të mbajtur zgjedhjet presidenciale para atyre parlamentare, mbart me vete rrezikun e favorizimit të një presidenti-diktator të papëlqyer nga milicitë në Tripoli dhe vendet perëndimore. Mbështetja e Rusisë së Putinit për Saifin, gjithashtu duket se është ftohur.

Mediat e Moskës, deri kohët e fundit lartësuan popullaritetin e tij në rritje. Shumë njerëz argumentuan se shkalla e miratimit të tij ishte afër 57 për qind në mesin e elektoratit libian. Tani jo më.

Sondazhet jozyrtare në Tripoli, e vendosin kryeministrin aktual Abdul Hamid Dbeibeh me 25 për qind, me Saifin në vendin e dytë me 20% dhe "njeriun e fortë të Cyrenaicas", Khalifa Haftar, që u ndal në 15%. Megjithatë, është e pamundur të verifikohen këto shifra.

Nga armik në aleat të ish-të burgosurve

Saif al-Islam, gjatë kohës kur qëndronte në paraburgim në Libi

Fakti mbetet që familja Gadafi vazhdon të përflitet edhe për shpurën e misterit që e rrethon. Saif, i tha “New York Times”, se ishte bërë një "njeri i lirë".

"Të burgosurit që kemi qëndruar dikur bashkë, tani janë miqtë e mi", tha ai. Nga një armik i destinuar për në “ferr”, në një aleat: hapi nuk është i vogël. Kur u kap nga milicitë lokale të maleve në Nafusa, ndërsa përpiqej të arratisej në Algjeri disa javë pas vdekjes së babait të tij, Saif praktikisht u dorëzua për të vdekur.

Shumë libianë donin të hakmerreshin për gabimet e pësuara nga diktatura e babait të tij.

Në Tripoli, gjykata ishte gati të dekretonte dënimin me vdekje. Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, kërkoi gjithashtu gjykimin e tij (dhe kërkesa është ende e vlefshme).

Fundi i pasigurt i tre nga tetë fëmijët E diktatorit

Ish-diktatori i Libisë, Muamar Gadafi, i vrarë në Libi nga militantët lokalë në 20 tetor 2011 pas trazirave në vend

Në të njëjtin muaj, tre nga tetë fëmijët e Gadafit ishin vrarë. Khamis, komandanti më i ashpër i forcave speciale, duket se vdiq pak para babait të tij në një bombardim të NATO-s në jug të Tripolit.

Por në vitin 2013, kishte nga ata që pretenduan se e kishin parë atë të drejtonte një sulm në një kazermë në shkretëtirën Fezzan. Sigurisht, më 20 tetor 2011, Mutassim, i cili kishte luftuar së bashku me babain e tij në Sirte deri në fund, u torturua brutalisht dhe u qëllua.

Gruaja e dytë e Gadafit, Safia (nëna e shtatë fëmijëve të tij), kishte arritur të ikte jashtë vendit me vajzën e saj, tani 44-vjeçare, Aisha. Fillimisht ata ishin në Algjeri, më pas u transferuan në Niger. Tashmë, prej disa kohësh jetojnë në Oman.

Së fundmi, atyre do t'u ishte bashkuar edhe djali i 'futbollistit' të diktatorit, Saadi 47-vjeçar, i njohur në Itali edhe për një kohë të shkurtër, pasi luajti me fanellën e Peruxhias, i liruar nga burgu nga autoritetet e Tripolit më 6 shtator pas shtatë vitesh.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë