Vende dhe Udhetime

Restoranti me 1 tavolinë që synon të tregojë historinë e Nigerisë në Nju Jork

Shefi Ayo Balogun po prezanton kuzhinën nigeriane në Nju Jork në një restorant me vetëm një tavolinë por që ka fituar çmime të rëndësishme dhe rezervohet muaj para.

Kur Ayo Balogun ishte një adoleshent që kalonte verën duke gatuar me gjyshen e tij në shtetin Këara të Nigerisë Perëndimore, xhaxhai i tij e nxiorri një natë nëpër qytet, duke vizituar restorante, bare dhe klube.

“Ishte vetëm një natë. Dhe unë jam përpjekur ta rikrijoj atë mbrëmje që atëherë. Është sikur kam qenë gjithë jetën duke ndjekur atë natë”, thotë ai.

Tani në Brooklyn, pasi u transferua në SHBA në vitin 1998, Balogun është kuzhinieri i “Dept of Culture”, një nga restorantet e rinj më të veçantë në Nju Jork, i vlerësuar për atmosferën e ngrohtë, pjatat që ngrohin zemrën dhe misionin e prezantimit të kuzhinës rajonale nigeriane në Amerikë.

Restoranti i vogël i vendosur në një ish-berberhane u rendit si një nga restorantet e reja më të mira të vitit 2022 dhe është përzgjedhur në listën për çmimet prestigjioze të Fondacionit James Beard, i cili do të shpallë fituesit në qershor.

Restoranti u hap vetëm një vit më parë në lagjen Brooklyn të Bedford-Stuyvesant. I vogël por elegant, restoranti ka vetëm një tavolinë të përbashkët dhe një banak me katër stola. Mund të presë vetëm 16 persona në natë dhe rezervohet për muaj më parë.

Restoranti, i cili ka një menu fikse, është kthyer tashmë në një vend ku klientët shkojnë për të kaluar një natë ndryshe, shpesh herë duke pirë verë që e kanë sjellë me vete.

Një nga pjatat më të veçanta është edhe “asaro”, qull i bërë me patate të ëmbël dhe spec, që shërbehet me karkaleca të tymosur.

Babai i Balogun e hëngri këtë pjatë kur ishte nxënës në vitet 1950, por vetë Balogun nuk e pëlqeu atë kur ishte fëmijë.

“Tani, e gjej veten duke e ngrënë atë gjatë gjithë kohës”, thotë ai.

Për mysafirët që nuk janë mësuar me kuzhinën nigeriane, është një pjatë që arrin të jetë e ngrohtë dhe familjare për to, edhe nëse është hera e parë që e provojnë.

Kur flet për pjatat e tij, Balogun jo vetëm që ndan tregime për vendin e tij, për të cilin ai thotë se është “më i bukuri në botë”, por gjithashtu i tregon me detaje çdo përbërës, duke treguar edhe vetitë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë