Vende dhe Udhetime

Revista franceze: 9 vendet më të bukura për të vizituar në Shqipëri

Nga Alpet e veriut të Shqipërisë deri te bregdeti i Rivierës me ujëra më të pastra se kudo tjetër në Mesdhe- vende që ia vlen t'i vizitosh para se t'i zbulojnë të gjithë të tjerët.

Shumica e turistëve që planifikojnë një udhëtim në Ballkan priren të zgjedhin të njëjtat pak qytete bregdetare në Kroaci apo Mal të Zi, duke rezervuar pushime plazhi që duken pothuajse identike me ato të mijëra vizitorëve të tjerë gjatë së njëjtës javë.

Ambia Staley në botimin francez të revistës së njohur të udhëtimeve “Quartz”, shkruan se Shqipëria ndodhet pikërisht në jug të këtyre zonave, duke mbetur kryesisht jashtë itinerareve të zakonshme, edhe pse krenohet me male mbresëlënëse që mund të rivalizojnë Alpet dhe një vijë bregdetare me ujëra aq të pastra sa mund të konkurrojnë me çdo vend tjetër në Mesdhe.

“Turisti që e anashkalon atë me mendimin se është një version më i dobët i fqinjëve të saj, bazohet në një imazh të vjetëruar të vendit- një imazh që nuk pasqyron ritmin e shpejtë të zhvillimit të turizmit shqiptar vitet e fundit”, shkruan Staley.

Në Quartz shkruhet se ky hendek midis reputacionit dhe realitetit vihet re më së qarti në mënyrën se si funksionon vendi. Çmimet mbeten dukshëm më të ulëta se në Kroaci apo Itali për një vakt ose dhomë hoteli të krahasueshme, ndërsa shtigjet popullore të ecjes dhe qytetet bregdetare nuk janë mbushur ende me turmat që karakterizojnë kulmin e sezonit diku tjetër në rajon.

Nëntë vendet e mëposhtme janë përfshirë në udhërrëfyesin “Lonely Planet” dhe mbulojnë destinacione në të gjithë Shqipërinë, nga Alpet në veri deri te Riviera në jug, si dhe qytete të brendshme që dallohen për historinë, ushqimin dhe aventurat lumore. Çdo përshkrim përqendrohet te veçoritë që e bëjnë atë vend të denjë për t’u vizituar, në vend që ta trajtojë vendin thjesht si një vijë bregdetare uniforme dhe të zëvendësueshme.

Thethi shpërblen alpinistët me përvojë

I vendosur në Alpet Shqiptare, Thethi është një nga destinacionet më spektakolare për adhuruesit e natyrës dhe të ecjeve në mal.

Fshati është i rrethuar nga male dhe lugina që krijojnë një peizazh mbresëlënës. Dy prej aktiviteteve më të njohura janë ecjet drejt Syrit të Kaltër dhe shtegu nga Thethi drejt Valbonës.

Rruga drejt Syrit të Kaltër kalon përmes pyjeve dhe pranë përrenjve, ndërsa shtegu Theth-Valbonë është shumë më sfidues. Ecja zgjat rreth 6 deri në 8 orë dhe kërkon përgatitje fizike.

Thethi është destinacioni ideal për ata që janë të gatshëm të heqin dorë nga komoditetet e qytetit në këmbim të peizazheve të jashtëzakonshme malore.

Saranda- Qendra e jetës së natës në Rivierë

Saranda është një nga portat kryesore drejt Rivierës Shqiptare dhe një bazë e përshtatshme për të eksploruar jugun e vendit.

Qyteti njihet për restorantet, baret dhe jetën e natës, ndërsa afërsia me Ksamilin e bën të lehtë kombinimin e të dyja destinacioneve në një udhëtim.

Nga Saranda nisen edhe ekskursione me varkë drejt plazheve dhe gjireve, që janë të vështira për t’u arritur me makinë, mes tyre Kakomeja dhe Krorëza.

Muajt maj, qershor dhe shtator ofrojnë një ekuilibër të mirë mes motit të ngrohtë, aktiviteteve turistike dhe numrit më të ulët të vizitorëve krahasuar me korrikun dhe gushtin.

Në dimër, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve turistike mbyllen, ndaj Saranda është në maksimumin e saj gjatë sezonit të ngrohtë.

Porto Palermo- Një nga zonat më të qeta të Rivierës

Porto Palermo ofron një tjetër pamje të Rivierës Shqiptare, larg zhurmës dhe turmave të qendrave më të mëdha turistike.

Në qendër të zonës ndodhet Kalaja e Porto Palermos, ndërsa pranë saj gjenden edhe gjurmë të historisë ushtarake të Shqipërisë, përfshirë një ish-bunker nëndetësesh.

Zona është veçanërisht e përshtatshme për kamping dhe eksplorim të gjireve të vegjël.

Një mënyrë interesante për të zbuluar bregdetin është kajaku, i cili mundëson arritjen në gjire të izoluara, që nuk mund të vizitohen lehtë nga toka.

Porto Palermo është një zgjedhje e mirë për ata që duan të shijojnë Rivierën në një atmosferë më të qetë.

Korça- Histori, arkitekturë dhe atmosferë tradicionale

Korça është një nga qytetet shqiptare që dëshmon më mirë historinë dhe traditat urbane të vendit.

Një prej atraksioneve kryesore është Pazari i Vjetër, me rrugët me kalldrëm, ndërtesat tradicionale dhe kafetë që krijojnë një atmosferë karakteristike.

Qyteti është i njohur edhe për kulturën e kafesë dhe për rakinë, pije tradicionale shqiptare.

Ndryshe nga destinacionet e Rivierës, Korça nuk mbështetet te plazhet apo jeta e natës. Ajo tërheq vizitorët me arkitekturën, historinë, ushqimin dhe ritmin më të qetë të jetës.

Shkodra- Qyteti që zbulohet më mirë me biçikletë

Shkodra është e njohur për kulturën e saj të biçikletave. Për shumë banorë, biçikleta është një nga mënyrat kryesore për të lëvizur në qytet.

Një udhëtim me biçikletë drejt Liqenit të Shkodrës, është një nga mënyrat më të mira për të përjetuar qytetin dhe rrethinat e tij.

Mbi qytet ngrihet Kalaja e Rozafës, nga ku hapet një panoramë e gjerë mbi Shkodrën, liqenin dhe malet përreth.

Shkodra ka gjithashtu, një rol të rëndësishëm si pikënisje për udhëtimet drejt Alpeve Shqiptare, përfshirë Thethin dhe Valbonën.

Gjirokastra- “Qyteti i gurtë”

E njohur si “Qyteti i Gurtë”, Gjirokastra është një nga qytetet historike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Çatitë dhe shtëpitë prej guri i japin qytetit pamjen e tij karakteristike. Në Gjirokastër ndodhet edhe Kalaja e Gjirokastrës, ndërsa Pazari i Vjetër është një tjetër pikë kryesore turistike.

Një nga ndërtesat më interesante është Shtëpia e Zekatëve, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX, e cila ofron një pamje nga afër, të mënyrës së jetesës së familjeve shqiptare të asaj periudhe.

Gjirokastra është gjithashtu vendlindja e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, një fakt tjetër që i shtohet historisë shqiptare.

Për adhuruesit e gastronomisë, një prej specialiteteve tradicionale është qifqia, ndërsa një tjetër pjatë karakteristike është pashaqofte, një supë me bazë qumështi dhe qofte të vogla.

Dhërmiu- Për ata që kërkojnë plazhe dhe jetë nate

Dhërmiu është një nga destinacionet më të njohura të Rivierës Shqiptare për pushuesit, që kërkojnë plazhe, bare dhe atmosferë verore.

Gjatë sezonit, muzika dhe festivalet janë pjesë e rëndësishme e jetës së zonës. Mes eventeve më të njohura është “Kala Festival”, që tërheq vizitorë të rinj nga vende të ndryshme.

Restorantet dhe baret buzë detit, janë një tjetër pjesë e rëndësishme e eksperiencës në Dhërmi.

Për shkak të popullaritetit të madh gjatë korrikut dhe gushtit, rezervimi i hershëm i hotelit është veçanërisht i rëndësishëm.

Lini- një fshat i qetë buzë liqenit të Ohrit

Lini, në brigjet e Liqenit të Ohrit, ofron një version shumë më të qetë të Shqipërisë.

Fshati ruan lidhjen me traditën e peshkimit dhe është një vend ku ritmi i jetës, është shumë më i ngadaltë se në qytetet turistike të Rivierës.

Në majë të kodrës ndodhet një sit arkeologjik me mozaikë të një bazilike paleokristiane të shekullit VI.

Nga kodra hapet një pamje e gjerë mbi Liqenin e Ohrit dhe drejt Maqedonisë së Veriut.

Lini është një zgjedhje ideale, për ata që duan të largohen për pak nga turmat dhe të zbulojnë një anë më të qetë të Shqipërisë.

Përmeti- Aventura përgjatë Vjosës

Përmeti ndodhet pranë lumit Vjosa dhe është një nga destinacionet më të rëndësishme të Shqipërisë për turizmin e aventurës.

Rafting në Vjosë, është një nga aktivitetet më të njohura, por zona ofron gjithashtu mundësi për kamping, ecje dhe çiklizëm malor.

Vjosa fitoi një status të veçantë në vitin 2023, kur u shpall park kombëtar i lumit të egër, duke u bërë parku i parë kombëtar i këtij lloji në Evropë.

Pranë Përmetit ndodhen edhe Banjat termale të Bënjës, pranë lumit të Lengaricës dhe një ure të periudhës osmane. Ujërat termale janë atraksionet më të njohura të zonës.

Përmeti është një destinacion që bashkon natyrën, aventurën, historinë dhe traditat lokale, duke e bërë të vlefshëm një qëndrim disaditor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë