Nga Gazeta Si- Historia, natyra, arti dhe teknologjia vazhdojnë të bashkohen në një eksperiencë të pazakontë turistike në zemër të Detit Jon. Pas interesit të krijuar gjatë muajve të parë të sezonit, aktiviteti “Sirena e Sarandës dhe Misteret e Detit Jon” ka vijuar edhe gjatë muajit gusht, duke tërhequr turistë vendas dhe të huaj dhe duke i ofruar jo vetëm Sarandës por gjithë Shqipërisë një tjetër atraksion përtej plazheve dhe bukurive natyrore.
I konceptuar si një “muze i gjallë” nën ujë, projekti u jep vizitorëve mundësinë të eksplorojnë botën nënujore të gjirit të Sarandës përmes një nëndetëseje gjysmë-zhytëse.
Nga brenda saj, turistët mund të vëzhgojnë peizazhin detar dhe pasuritë natyrore të Jonit, në një udhëtim që ndërthur zbulimin, argëtimin dhe historinë.
Pjesë e pandarë e kësaj eksperience është edhe “Sirena e Sarandës”, personazhi simbol i projektit. E shfaqur mes ujërave të kaltra të gjirit, sirena shndërrohet në një udhërrëfyese imagjinare të këtij udhëtimi, duke krijuar një atmosferë magjike dhe duke u kthyer në një prej momenteve më të fotografuara nga vizitorët.
Për Sirenën e parë shqiptare, Enxhi Kadiu, të qenit pjesë e këtij projekti është një eksperiencë unike dhe një prej momenteve më të veçanta të kësaj vere.
“Është një eksperiencë që nuk e has çdo ditë. Të jesh në mes të detit, të shohësh reagimin e turistëve dhe të bëhesh pjesë e një historie që ndërthur detin, legjendat dhe artin është vërtet diçka e veçantë. Për ne, kjo është edhe magjia e kësaj vere”, shprehet ajo, duke shtuar se të jesh sirenë është magjike.
Ajo tregon se kur është zhytur për here të parë për performancën, ka qenë një aventurë që nuk e shpjegon dot.
‘Njerëzit në nëndetëse nuk e dinin se do të shfaqesha dhe kur më kanë parë në ujë nuk e besonin’, tregon Kadiu, e cila thotë se të jesh sirena e parë në vend dhe të lundrosh krah një nëndetësje gjysëm-zhytëse që tregon histori është diçka unike, që çdo sirenë profesioniste e ëndërron.
Entuziazmi duket edhe te turistët, të cilët e kanë përjetuar udhëtimin si një aventurë të pazakontë. Shumë prej tyre shprehen të befasuar nga kombinimi i eksplorimit të botës nënujore me performancën e sirenave, ndërsa momentet e përjetuara gjatë udhëtimit janë kthyer në foto dhe video që shpërndahen në rrjetet sociale.

Për turistët, përtej bukurive natyrore që gjejnë në Shqipëri, një eksperiencë e tillë ua bën pushimet të paharrueshme.
“Nuk të ndodh në çdo pushime verore të shohësh sirena nën ujë. Fëmijët mezi presin tua tregojnë këtë shokëve dhe shoqeve”, thotë një nga turistet.
Për organizatorët, pikërisht ky reagim është një nga treguesit më të rëndësishëm të suksesit të projektit. Përvoja synon të krijojë emocione dhe kujtime që turistët t’i marrin me vete, por njëkohësisht të shërbejë edhe si një mënyrë promovimi për Sarandën dhe pasuritë e saj natyrore.
Megjithatë, për drejtuesit e projektit, kjo eksperiencë nuk ka qenë pa sfida. Një prej shqetësimeve lidhet me anijen e mbytur në gjirin e Sarandës, e cila, sipas tyre, për vlerat historike dhe kulturore që mbart, duhet të konsiderohet si një objekt muzeal dhe të trajtohet si pjesë e trashëgimisë nënujore të zonës.
Por, pavarësisht rëndësisë së saj, rreth vendit ku ndodhet anija nuk ka sinjalizime të qarta për kufizimin e zonës apo për rregullat e lundrimit. Sipas drejtuesve të projektit, mungesa e sinjalistikës krijon vështirësi dhe ngre pikëpyetje sa i përket sigurisë së lundrimit dhe mbrojtjes së vetë objektit nënujore.
Një tjetër problem i hasur gjatë kësaj vere ka qenë gjendja e ujërave në gjirin e Sarandës. Drejtuesit e projektit thonë se, gjatë më shumë se pesë viteve të përvojës së tyre, nuk kishin hasur më parë në këtë nivel ndotjeje të ujërave në këtë periudhë.
Sipas tyre, ndotja e pranishme në disa raste ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e aktivitetit, duke detyruar organizatorët të ndryshojnë ose të zhvendosin disa prej orareve të parashikuara për zhvillimin e eksperiencës nënujore.
Për to, këto problematika janë një sinjal se, krahas zhvillimit të turizmit, duhet të shtohet edhe vëmendja ndaj mbrojtjes së mjedisit detar. Me turizmin detar që po zhvillohet me ritme të shpejta, ruajtja e cilësisë së ujërave, mbrojtja e florës dhe faunës detare, si dhe garantimi i rregullave të sigurisë së lundrimit, kërkojnë sipas tyre një vëmendje më të madhe nga qeveria.
Eksperienca e “Sirenës së Sarandës” tregon kështu edhe anën tjetër të zhvillimit të turizmit detar: për të krijuar produkte të reja dhe tërheqëse për vizitorët, nuk mjafton vetëm kreativiteti dhe investimi në eksperienca turistike. Nevojitet edhe një mjedis detar i pastër, i mbrojtur dhe i sigurt, që këto produkte të mund të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme edhe në vitet e ardhshme.
Drejtuesit e projektit bëjnë të ditur se ideja nuk është që kjo eksperiencë të mbetet një aktivitet i izoluar. Përkundrazi, synimi është që në të ardhmen të zgjerohet gama e produkteve turistike dhe të krijohen eksperienca të reja, të cilat mund t’u ofrojnë vizitorëve mënyra të ndryshme për të njohur Sarandën dhe historinë e saj.
Sipas tyre, një destinacion turistik modern duhet të ofrojë më shumë sesa det dhe plazh. Për këtë arsye, po shqyrtohen ide të tjera që mund të kombinojnë natyrën, historinë, teknologjinë dhe artin, duke krijuar produkte ekskluzive që mund të tërheqin turistë edhe për eksperiencat që ofrohen, jo vetëm për bukuritë natyrore.
Vijimi i aktivitetit edhe gjatë gushtit shihet si një tjetër mundësi për ta testuar dhe zhvilluar më tej këtë koncept. Reagimet pozitive të vizitorëve dhe interesi për ta përjetuar nga afër këtë udhëtim japin sinjale për zgjerimin e projektit dhe krijimin e produkteve të tjera të ngjashme.
Me këtë nismë, Shqipëria synon të prezantohet jo vetëm si një destinacion i njohur për plazhet, diellin dhe ujërat e kaltra, por edhe si një qytet ku historia, legjendat, natyra dhe teknologjia mund të bashkohen për të krijuar përvoja të reja turistike.
Dhe në një verë ku turistët kërkojnë gjithnjë e më shumë eksperienca të veçanta dhe të fotografueshme, “Sirena e Sarandës” duket se ka gjetur mënyrën për ta kthyer një udhëtim në det në një histori që vizitorët jo vetëm e përjetojnë, por edhe e ndajnë me të tjerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje