Politike

Rënia e Dvoranit, “litari” ku u kap Presidenti Meta për të sulmuar reformën në drejtësi

Ardian Dvorani, njeriu që dy të tretat e mandatit të tij të rregullt si anëtar i Gjykatës së Lartë i kaloi në pritje të zëvendësimit ishte “shënjestra” ku Presidenti Ilir Meta, përqëndroi goditjet e tij për të argumentuar njëkohësisht se reforma në drejtësi ishte kapur nga Edi Rama.

Dvorani u zgjodh si anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2005. Në 2014 atij i përfundonte mandati i rregullt 9-vjeçar. Por konflikti politik dhe përqëndrimi tek realizimi i reformës në drejtësi “e harruan” aty këtë emër edhe për gjashtë vite të tjera.

Ai kaloi vettingun në korrik të 2018, megjithëse Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dha një vlerësim negativ pasi nuk kishte deklaruar në deklaratën vetting një shumë prej 9.9 mln lekësh, kursime të familjarëve të tij të mbajtura nëpër banka. Dvorani shpjegoi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se bëhej fjalë për një pasaktësi dhe jo fshehje dhe se në deklaratën periodike vjetore të tij ato ishin të pasqyruara.

Por në fund të 2018 u zgjodh automatikisht në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë. Por, emri i tij do të lakohej për javë me radhë në publik në vjeshtën e 2019. Gjithçka nisi më 21 shtator, kur KED e drejtuar prej Dvoranit miraton katër lista me kandidatë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dy për Presidentin dhe dy të tjera për Parlamentin.

Sipas parashikimeve të Kushtetutës, radha e anëtarëve është një nga Presidenti, një nga Parlamenti dhe një nga Gjykata e Lartë. Por, duke qenë se kjo e fundit ishte jashtë funksionit, radha do të duhej të respektohej Presidencë-Parlament.

Dy listat me kandidatë për t’u emëruar nga Presidenti Ilir Meta u dorëzuan më 7 tetor, ndërsa dy listat për Kuvendin një javë më vonë, pra më 14 tetor. Në të katër listat, emri kryesues ishte Arta Vorpsi si e renditur e para. Presidenti ushtroji kompetencën e tij duke zgjedhur Besnik Muçin në njërën nga listat me tre emra, ndërsa nuk u shpreh për emrin e dytë në listën me katër kandidatë, ku e katërta ishte Marsida Xhaferllari.

Parlamenti nga ana tjetër kishte kohë deri më 14 nëntor që të ushtronte kompetencën e tij dhe të zgjidhte anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Shumica e shfrytëzoi deri në maksimum këtë afat dhe vendosi që të shqyrtojë kandidaturat vetëm në javën e fundit të parashikimit të afateve kohore.

Presidenca u kundërpërgjigj në fillim të nëntorit 2019 duke njoftuar KED-në se kishte vendosur ngrirjen e procesit të emërimit të anëtarit të tretë të Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se sipas Kushtetutës, ishte radha e Kuvendit. KED dhe Parlamenti e cilësoi nul “vetëngrirjen” e Metës dhe vazhdoi përpara duke e marrë të mirëqënë emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të tretë e Gjykatës Kushtetuese, përmes mekanizmit të zhbllokimit, sipas të cilit Presidenti dhe Kuvendit kanë 30 ditë kohë që të emërojnë njërin nga tre emrat e parë të marrë nga listat e kandidaturave të KED-së.

Por, Presidenca tha se në Kushtetutë nuk ka asnjë afat kohor për Presidentin, por vetëm për Parlamentin. Ky i fundit zgjodhi më 11 nëntor, në të njëjtën ditë dy anëtaret e tjera, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji duke marrë si të mirëqënë emërimin automatik të Arta Vorpsit.

Meta reagoi duke dy ditë më vonë duke zgjedhur Marsida Xhaferllarin për të njëjtën vakancë që Parlamenti mendonte se ishte Arta Vorpsi. Më 15 nëntor ai organizoi ceremoninë e betimit ku thirri dy anëtaret e emëruara nga Kuvendi dhe anëtaren e zgjedhur prej tij. Pas kësaj ceremonie, Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari përfunduan që të dyja në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit zgjidhi “ngërçin” duke njohur Xhaferllarin si anëtare, pasi kishte kryer betimin para Presidentit dhe Arta Vorpsi jo, megjithëse kjo e fundit iu drejtua noterëve për të kryer betimin, duke marrë si shembull njër rast nga Polonia.

Paralelisht me këto lëvizje, Presidenti Ilir Meta nisi edhe aksionin kundër Ardian Dvorani, që sipas tij ishte në krye të një skeme mafioze në KED që synonte kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca, përmes manovrave antiligjore, vendimeve të dyshimta dhe fshehjes së tyre. Ai paditi Dvoranin në tre prokurori për shkelje të rënda dhe përvetësim të kompetencave të Presidentit.

Ndërkombëtarët panë në distancë këtë përplasje dhe një propozim i ambasadës italiane ishte që palët t’i drejtoheshin Komisionit të Venecias për rekomandim. Meta fillimisht e refuzoi këtë ide, duke deklaruar se shkeljet ishin aq të qarta se nuk kishte nevojë për Venecian.

Më 5 dhjetor, Presidenti hedh shortin për anëtarët e KED-së, ku Ardian Dvorani zgjidhet sërish automatikisht kryetar i këtij institucioni pasi ishte anëtar i vetëm i Gjykatës së Lartë. Në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, atij i bashkohen tre anëtarë të tjerë që bëjnë betimin tek Meta dhe në këtë moment, Presidenti nis zbatimin e planit tjetër në betejën me Dvoranin, pasi paditë e dorëzuara në disa prokurori, përfshirë këtu edhe SPAK nuk “dhanë rezultat”.

Meta iu drejtua Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën për të deklaruar përfundimin e mandatit të Dvoranit, e rrjedhimisht me këtë edhe largimin e tij nga posti i kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që sipas përcaktimeve kushtetuese të 2016 i takon anëtarit të Gjykatës së Lartë në KED.

Meta i tha KLGj-së se në 2016-të, në në kohën që Kuvendi po shqyrtonte ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës në drejtësi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e ligjit për funksionimin e Gjykatës së Lartë, mbi bazën e të cilave Ardian Dvorani vazhdonte të ushtronte detyrën. Presidenti thotë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të gjyqtarit të lartë për Ardian Dvoranin dhe se ai ka vijuar ushtrimin e detyrës në shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta akuzon Qeverinë se ka luajtur një rol thelbësor në këtë shkelje, duke bllokuar qëllimisht publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, derisa hynë në fuqi ndryshimet e reformës në drejtësi. Këto ndryshime sollën edhe modifikimet e rregullave për mandatet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke u lejuar anëtarëve që u kishte përfunduar mandati qëndrimin në detyrë deri në momentin e zëvendësimit.

Letra e Metës u dorëzua më 10 prill me protokollin numër nr.1117/2. Këshilli i Lartë Gjyqësor nisi shqyrtimin më 16 prill dhe në fillim të majit iu drejtua misioneve të SHBA dhe BE (Euralius dhe Opdat) me kërkesën për dhënie mendimi, përmes një vendimi të pabazuar ligjërisht, pasi misionet e ndërkombëtarëve nuk mund të interpretojnë ligjet, apo Kushtetutën e vendit. Interpretimi i tyre është e drejtë ekskluzive e gjykatave shqiptare dhe në rastin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i vetmi organ ku mund të adresohej për interpretim duhej të ishte Gjykata Kushtetuese.

Ndërkombëtarët janë distancuar nga interpretimi nëse Ardian Dvoranit i ka përfunduar mandati si anëtar i Gjykatës së Lartë, apo jo dhe ja kanë lënë në dorë plotësisht Këshillit të Lartë Gjyqësor si interpretimin ligjor, ashtu edhe vendimmarrjen për këtë çështje. Sipas ndërkombëtarëve, kjo çështje është ekskluzivitet i KLGj-së.

“Kërkesa juaj buron nga nevoja për të adresuar një çështje individuale. Në këtë kontekst, misioni Euralius dhe projekti Opdat theksojnë se, ndonëse ne jemi të përgatitur të ofrojmë asistencë teknike për Këshillin, ne nuk japim opinione për çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive e Këshillit”, thuhet në letrën që ndërkombëtarët i kanë dërguar Këshillit, e të bërë publike më 10 qershor.

Një ditë pas kësaj letre, Këshilli i Lartë Gjyqësor merr vendimin dhe 6 me 3 deklaron përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit, duke i ofruar atij mundësinë që të vazhdojë karrierën si gjyqtar në një gjykatë apeli dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha drejtimin e KED-së deri në dhjetor, kur hidhet sërish shorti për KED-në e re.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë