Gazeta Si – Shqipëria dhe BE-ja janë ulur mbrëmjen e kësaj të mnarte përballë njera-tjetrës në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel, që shënon edhe nisjen e mbylljes së kapitujve të negociatave të anëtarësimit në BE.
Mbledhja e cila nisi rreth orës 19:00, zgjati pak më shumë se 60 minuta përpara se kryeministri Rama, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos dhe zv.ministrja për Integrimin e Qipros, Marilena Raouna, dolën në një konferencë për shtyp.
Në përfundim të këtij takimi, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat krah Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, por edhe zëvendësministres për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna.

Në konferencën e përbashkët me Marilena Raouna dhe Marta Kos, Rama tha se Shqipëria ka arritur të çelë të gjithë kapitujt negociues brenda 11 muajve, një ritëm rekord në procesin e integrimit.
“Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE-në, dashuri e pashtershme, pa kushte. Dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi dhe sigurisht jemi të lumtur, jemi shumë të lumtur, sepse kemi arritur një tjetër gur të jashtëzakonshëm kilometrik. Kemi thyer një tjetër rekord. Ne i kemi çelur të gjithë kapitujt brenda 11 muajve dhe ishte shumë shpejt, ndoshta sepse ishte shumë vonë dhe kaluam nga kjo fazë e nisjes së mbylljes së kapitujve me këtë konferencë të sotme, edhe një herë brenda një afati shumë të shkurtër”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Marta Kos: Rrugë e gjatë përpara, pritet progres ende
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa të suksesshme në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.
Komentet Kos i bëri gjatë fjalës së saj në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku tha se ky është një moment që çel një fazë të re të bisedimeve për zgjerimin dhe bën të mundur ecjen para të Shqipërisë në procesin e negociatave.
“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE-së, – tha Kos. – Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm. Mbëtetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend”.

Zv.ministrja e Qipros: Procesi i Shqipërisë po ecën përpara
Zëvendësministres për Çështjet Europiane të Qipros, Marilena Raouna, tha se “Procesi i Shqipërisë po ecën përpara. Mendoj që shqipëria i ka plotësuar me sukses pikat e ndërmjetme për themeloret“.
Sipas saj, “ky gur kilometrik e lejon Shqipërinë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të mbyllim provizorisht kapitujt. Zgjerimi është strategjik për presidencën e Qipros. Kjo është pikërisht ajo që po bëjmë sot. Ne besojmë thellësisht te zgjerimi dhe jemi të kënaqur që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po ecën përpara në mënyrë vendimtare, me vlerësim e kushtëzim rigoroz dhe të drejtë. Do të doja të përgëzoja qeverinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë, për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të çuar përpara reforma të vështira. E dimë që procesi i anëtarësimit është një rrugëtim i mundimshëm, por që ia vlen”, shtoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje