Politike

Reforma zgjedhore në kaos, s’ka dakordësi as për mbledhjen online/ Gjiknuri: Komod edhe me këtë Kod. Alibeaj: Harrojeni, primin nuk ua japim

Reforma Zgjedhore po shkon në drejtim të paditur. Të martën ashtu sic edhe pritej nuk pati mbledhje të komisionit për reformën zgjedhore. Grupi-Bardhi Berisha bllokuan mbledhjen. Deputetët socialistë mbërritën vonë, ndërsa ata të PD-së zyrtare nuk u qasen fare tek kryesia.

Më pas Damian Gjiknuri tha se reforma po bllokohej nga të dyja palët në PD, ndërsa nënvizoi se në zgjedhje mund të shkohet edhe me këtë Kod Zgjedhor.

Më tej Gjiknuri njoftoi një mbledhje të komisionit online ditën e premte, sipas tij me dakordesinë e palës tjetër në tryezë PD-së zyrtare.

Por Enkelejd Alibeaj si bashkëkryetar i komisionit që më herët ka kërkuar zgjidhje nga Lindita Nikolla për zhbllokimin e situatës tha të martën se për mbledhjen online  nuk ka pasur asnjë dakordësi mes dy bashkëkryetarëve siç pretendohet në njoftim, ndërsa ka kërkuar që mbledhja të bëhet ditën e sotme.

Në anën tjetër, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se reforma nuk është halli i tyre, por i shqiptarëve. “Halli nuk është i joni, por i shqiptarëve. Mazhoranca, Gjiknuri, Rama janë komod. Me patronazhistët, krimin, financat okulte etj janë komod, por jo shqiptarët. Logjika është e thjeshtë, testi i sinqeritetit është kush ka propozuar dhe çfarë ka propozuar. Jeni apo s’jeni për lista të hapura, Shqipëria një zonë, votën e diasporës dhe votimit elektrik. Do të isha i lumtur nëse do të kishte një alternativë tjetër por nuk e kanë.

Sic është bërë reforma zgjedhore historikisht në këtë vend, është bërë mes subjekteve politike. Shijet, interesat, kapërcimet e deputetëve, nuk përcaktojnë se ku duhet të jetë përfaqësimi...”, tha ai.

Alibeaj foli dhe për primin aq shumë të përfolur që synon të fusë PS-ja.

“E drejta e vetos është pushteti që mazhoranca të mos marrë ndonjë iniciativë ta bëjë në mënyrë të njëanshme reformën zgjedhore. Zero shans ka me ne që kjo mazhoranca të marrë mandate me sistemin që ata kërkojnë. Me sistemin tonë ua heqim dhe atë primin e fshehtë. S’ka për të ndodhur me mua bashkëkryetar. Nuk i futem asnjë lloj analize, e kam detyrim këtë karrige, jo personale”, tha Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë