Politike

‘Gocat i kanë sjellë me na fut në sherr’… Garda ndryshon strategji. Dështon komisioni, Noka s’lejon Gjiknurin: S’ka reformë me opozitë të emëruar

Komisioni i paralajmëruar i reformës zgjedhore nuk solli pritshmëri. Grupimi Bardhi-Berisha sërish bllokoi punimet ndërsa ishin të parët që çanë rrjetën e Gardës për tu futur në komision. Ata që nuk u lejuan ishin deputetët e përjashtuar përfshi edhe Oerd Bylykbashin që kërkonte të futej në komision si anëtar. Garda kësaj here kishte rreshtuar edhe gardiste femra.  

“Po gocat pse i kanë sjellë këtu, apo me na fut në sherr!”, tha Flamur Noka brenda sallës teksa iu afrua gardës.

“Pasi i dhunuan gratë dje, sot kanë sjellë goca. Ku i kishin dje, apo…”, ironizoi Bardhi

“Turp, pse shtet është ky?! Shtet horrash, mbroni shtetin e horrave. Ju kanë lënë pa bukë, as rrogën s’jua rrisin dhe ju rrini luftoni për ta. Ju kanë vjedhur. Inceneratorët, keni ndonjë të ardhur ju nga inceneratorët. T’ju vijë turp. Ty i pari (i drejtohet një gardisti) dhe do ta paguash ti dhe shefat e tu”, tha Noka.

“Me jep letrat ku i ke, më jep urdhërat ku i ke, ku ke letrën ku e ke, do shkosh në SPAK edhe ti, nxirr letrat ti po e ha kot për ata aty (deputetët e PS)”, iu drejtua Albana Vokshi shefit të Gardës.

Ndërkohë punimet e komisionit ishin thirrur në orën 12.30, ndërsa PS-ja ka shkuar 20 minuta me vonesë.

Kryetari i komisionit, Damian Gjiknuri nuk është lejuar të futet në sallë, duke hasur në rezistencën e deputetëve të PD-së. Flamur Noka tha se nuk do të lejojnë një Reformë Zgjedhore me opozitë të emëruar.

Më pas, komisioni për reformën zgjedhore është anuluar. Ndërkohë deputetët e PD-së zyrtare nuk u panë në asnjë moment në komision.

Gjiknuri tha se do të thërrasë mbledhjen Online, ndërsa akuzoi dy pjeset e opozitës se nuk janë të interesuar për ta shtyrë reformën përpara.

“S’lanë mundësi për t’u shprehur. Rithemelimi bllokoi hyrjen dhe me këtë kushte po pengojnë komisionin. Ne përsëri do njoftojmë një mbledhje tjetër, por online. Të dyja palët e opozitës që duhet të jenë të parat e interesuara, nuk duan ta çojnë para këtë proces", tha Gjiknuri. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë