Ana e errët

Vërtetimet false për tamponat, në top listën e krimeve gjatë pandemisë

“Dokumenti më i shpeshtë që falsifikohej, ishte padiskutim raporti mjekësor, që merret nëpër poliklinika të ndryshme në mënyrë fiktive, por prej pandemisë, gjendja ka ndryshuar katërcipërisht dhe vërejmë se në krye të falsifikimit, qëndron ai i tamponëve, që është vepër penale e dënueshme dhe parashikohet sipas nenit 188, konktretisht falsifikim i dokumenteve shëndetësore”.

Kështu e nis rrëfimin e tij një agjent kundër krimit ekonomiko-financiar që përfshin dhe hetimin e fenomenit të ri. Për policinë, fenomeni nisi vitin e kaluar ashtu si në të gjithë botën, së pari me raste të fshehta e të pagjurmueshme, pastaj lulëzoi përmes agjensive turistike që ofruan paketa udhëtimi, ndonëse ndaj turistëve nuk u krye asnjëherë tamponimi dhe gjatë kësaj vere doli hapur fare me migrantët që po kthehen në vendet ku jetojnë e punojnë.

Megjithatë, sidomos muajt e fundit, në disa shkrime, Gazetasi.al, iu është referuar rasteve të shkëputura apo edhe të organizuara, si ato të agjensive turistike, që në ofertën për turistët përfshijnë edhe tamponin falas, megjithëse turistët, ku përfshiheshin edhe ata drejt Dubait, në asnjë çast nuk kryen test.

Këto raste u denoncuan nga Gazetasi.al, referuar problematikës që ngrinin administratorët e klinikave.

E dënueshme si  vepër penale, falsfikimi i tamponëve, ashtu si edhe i çdo dokumenti tjetër shëndetësor, parashikon penalitet jo vetëm për atë që e falsfikon, por edhe për përdoruesin apo poseduesin e shkresës false, që është i dënueshëm me gjobë ose burg deri në tre vjet.

Kur falsifikimi kryhet nga personi që ka për detyrë të  lëshojë dokumentin, si mjekët, përfaqësuesit e laboratorëve në rastin e pandemisë, dënimi rritet nga gjobë, deri në pesë vjet burg.

“Një nga rastet tipike, ishte ajo e procedimit dhe arrestimit të  14 personave dhe zyrtarëve të shëndetësisë për falsifikimin e tamponëve, një ngjarje e ndodhur një vit më parë dhe që rezultoi se persona të cilët as që gjendeshin në Shqipëri, kërkonin testin negativ i cili sigurohej në çast”.

Kjo dosje, në të vërtetë nisi për afera korruptive, pasi zyrtarë të Institutit të Higjienës, kërkonin përfitime nga subjektet private, teksa një zinxhir i gjatë deri tek mjeku i familjes, zbuloi se realisht diskutimet për dokumentet shëndetësore, ku përfshihet edhe përgjigjja e tamponit, ishte një nga shkeljet më të zakonshme. 

Çfarë tha EUROPOL?

Përpjekjet e Shqipërisë për të frenuar fenomenin (ku ndryshe nga vendet e rajonit të përfshirë në skemën e falsifikimit dalin edhe mjekë të ndryshëm), përkojnë me apelin e agjensisë Europol, i cili gjatë verës 2020, vërejti trendin e parë  me shembuj të fragmentarizuar.

Europol paralajmëroi për shitjen e dokumenteve false  të negativitetit të Covidit, sa kohë kufizimet e udhëtimit mbeten në fuqi për shkak të pandemisë  dhe se kriminelët ka shumë të ngjarë që të kapin mundësinë për të prodhuar e shitur certifikata false të testit.

Rastet e izoluara u konstatuan në atë kohë në një areoport në Francë apo në Spanjë, ku një falsifikator u arrestua për shitjen e një tamponi prej 40 eurosh.

Në Shqipëri, skema ndërkohë ishte konsoliduar dhe të parët që e kapën shansin, ishin disa agjensi udhëtimi që me zbutjen e masave ofertuan okazionet.

“Në një rast, në pikën kufitare me shtetin grek një grua që po kthehej në vendin e punës, pasi përfundoi pushimet dhe që paraqiti një përgjigjje false, ndërsa nga testi i shpejtë atje rezultoi poazitive, u bë shkak që për disa orë të krijohej një ngërç në kufi”, – kujton oficeri i policisë.

Ai sqaron për Gazetasi.al, se në disa raste, përgjigjje të tilla përmes një skeme që u bë popullore, hynë në përdorim edhe kancelaritë e thjeshta, ndërsa tregu i falsifikatorëve po lulëzon si dikur sigurimi i pasaportave false.

Policia shpjegon për Gazetasi.al, se sa i përket falsifikimeve të dokumenteve shëndetësore, kryesisht për raportet mjekësore, nuk kanë munguar ndër vite dhe ankesat nga gjykatat e rretheve gjyqësore, për avokatë që i përdornin raportet, si shkak për zvarritjen e gjykimeve.

“Por asnjëherë nuk iu shkua një hetimi deri në fund që do të mund të zbulonte mjekë që lëshonin raporte pa asnjë motiv”.

Në një nga rastet e hetuara, një 29-vjeçare u dënua për falsifikimin e raportit dhe rasti i saj u denoncua pikërisht nga mjekja me inicialet, I.K.

Mjekja, sipas dosjes që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, “ka konstatuar se në emër të shtetases L.D., është paraqitur një raport shëndetësor me të dhëna të rreme. Kallëzuesja pohon se raporti ishte lëshuar nga qendra shëndetësore (Q.SH.) Nr. 6 Tiranë, ndërkohë që në të ishte vendosur një vulë e qendrës shëndetësore Nr. 8 Tiranë”.

E reja në atë kohë u mor në pyetje dhe këmbënguli që kishte qenë sëmurë dhe raportin një ditor e paraqiti tek menaxheri.

“Nuk e mbaj mend mjeken insiston e reja, që kundërshtohet nga mjekja, e cila provoi se vajza nuk rezultoi të ishte banore e zonës ku funksionon qendra shëndetësore. Pikërisht akt ekspertimi, vërtetoi se vula e vendosur në raport nuk i përkiste qendrës shëndetësore numër 6 dhe ishte false, ndaj në përfundim, vajza u dënua me 40 orë me punë në interes publik”.

Tamponët

Pavarësisht përpjekjeve të policisë për të goditur fenomenin, shembujt e zbuluar, ose kanë dalë në dritë rastësisht, ose kanë marrë shkas nga ankesat e laboratorëve të licensuar nga Ministria e Shëndetësisë  për kryerjen e testimeve molekularë me PCR  për Sars Cov 2.

“Administratorët e laboratorëve, ankohen për përdorimin e vulave të tyre, apo për nxjerrjen e këtyre rezultateve false në emër të klinikave  dhe më pas zbulohet gjithë procedura fikive“, pohon agjenti, që megjithatë shton: “Është vërejtur, se disa klinika që janë zgjeruar dhe njoftojnë hapjen e filialeve pranë pikave kufitare, premtojnë përgjigjje të shpejta, sikundër një klinikë në rrjetet sociale që premton test brenda 20 minutash për 3 mijë lekë“.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë