Rend dhe Ligj

Turistë drejt Dubait me teste false. Policia: Po kthehet në fenomen, ua sigurojnë agjencitë e udhëtimit

A.D i moshës 49 vjeç qëndroi në radhë me bashkëshorten përkrah dhe po priste ti miratonin udhëtimin turisik drejt Dubait. Por burri nga Shkodra sipas burimeve policore të Gazetasi.al jo vetëm që nuk u lejua të vazhdojë udhëtimin ashtu si edhe e shoqja me inicialet F.D. Por atyre ju bë ftesë për tu pyetur meqënëse në kushtet e flagrancës u konstatuan me test covidi të falsifikuar. Policia thotë se asnjëri prej tyre nuk pranoi të flasë, ndërsa në raport shërbimin e oficerit, policia shkruan se çifti i shkodranëve duhet të hetohet për falsifikim të stampave dokumentave dhe formularëve konform nenit 190 të Kodit Penal. Në të njëjtën ditë u mor vendimi i ndërprerjes së udhëtimit turistik edhe për dy çifte të tjerë, që mbanin në duar test të falsifikuar.

Burimet e policisë kufitare të Rinasit shprehen se jo vetëm udhëtarët me linja rastësore, por edhe ata që udhëtojnë drejt destinacioneve turistike po falsifikojnë testin që i konfirmon negativë dhe të paprekur nga covidi. “Nga ana e kontrollorëve të planizuar në shërbim në kabinat e daljes, gjatë përpunimit të pasagjerëve konstatohen përditë raste të tilla” thotë një zyrtar i rendit me kompetencë policinë kufitare të Rinasit. “Vetëm për ditën kur u konstatua çifti i shkodranëve, janë edhe dy çifte të tjera për të cilët u mbaj procesverbal hetimor dhe që atyre do tu kushtojë më tej një hetim penal”, thotë zyrtari i policisë.

A.D  dhe partnerja e tij kanë dorëzuar në pikën kufitare testin me kod dhe që sipas kqyrjes ishte kryer në një laborator të njohur në Tiranë.

Në dosje agjenti shkruan se ka kontaktuar menjëherë me laboratorin në fjalë për të konfirmuar testin e kovidit dhe policisë kufitare i është konfirmuar që asnjëri nga të dyshuarit nuk ishte paraqitur në klinikën në fjalë.

“Në këto kushte këta shtetas u shoqëruan në komisariat, evidenton policia kufitare për Gazetasi.al, ku dhe u sekuestruan dokumentat e udhëtimit të tyre.

Por në të njëjtin laborator rezulton se ishin konfirmuar dhe tërhequr edhe testet e kovidit edhe për dy çiftet e tjera, mes tyre Massimo Lenoci dhe gruaja e tij gjithashtu nën hetim si edhe çifti me inicialet B.A dhe A.A.

“Tre çiftet po udhëtonin drejt Emirateve të Bashkuara dhe mbanin testin që ishin të negativizuar në të njëjtën klinikë. Ne dyshojmë që agjencia e udhëtimit i ka pajisur ata me një test të tillë, duke e përfshirë në çmim ofertues si janë paketat“ shton agjenti i krimit ekonomiko financiar. I njëjti burim thotë se ky fenoment nuk po ndodh vetëm me udhëtarët e Dubait që fluturojnë drejt këtij vendi për qëllime turistike, por edhe me vendet e rajonit.

“Janë kryer disa verifikime, por qytetarët që kapen në flagrancë nuk pranojnë të japin shpjegime. Klinikat përjashtohen automatikisht, kështu që hetimi rëndon pozitën e agjencive që tregohen në kujdesshme dhe për këtë në disa raste kemi sekuestruar thirrjet e tyre online ku detajohet oferta për shpenzimet e udhëtimit, ciceronit dhe testit anticovid” tha për Gazetasi.al zyrtari kundër krimit ekonomik në policinë e kryeqytetit. Por deri më tani sidoqoftë veç hetimeve të rezervuara, nuk ka ende përgjegjës para institucioneve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë