Analize

Raporti / Shqipëria, shtet i kapur me nivel të lartë ligjesh të kopsitura e korrupsion

"Në 12 vite, deputetët shqiptarë kanë miratuar mbi 50 ligje të dyshuara si të kopsitura për t’u shërbyer interesave të një personi fizik, kompanie, ose grupi personash të caktuar në dëm të interesave të përgjithshme të publikut dhe lufta ndaj korrupsionit në nivele të ulta është eklipsuar nga aferat e dyshuara korruptive të niveleve të larta".

Këto janë gjetjet e Sekretariatit të Transparency International dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim të cilat publikuan këtë të martë një raport mbi kapjen e shtetit, ligjet e bëra me porosi dhe korrupsionin në nivele të larta.

Në studim janë analizuar ligjet dhe rastet e dyshuara korruptive të peridhës 2008-2020. Sipas gjetjeve të këtij raporti Shqipëria është një shtet i kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda dhe jashtë vendit që diktojnë procesin ligjvënës në dëm të interesave të publikut.

LEXO EDHE:
- Gara për Teatrin. A është 'qepur' tenderi për kompaninë “Fusha”?
- Studimi / Sektorët më të prekur nga korrupsioni i nivelit të lartë
- TI: Liderët e Ballkanit kanë kapur shtetin përmes ligjeve dhe oligarkëve

Raporti sjell një sërë rastesh e akuzash për korrupsion të nivelit të lartë dhe analizohen në detaje procese gjyqësore si dosjet Meta-Prifti e 2011, dosja Gërdeci e 2008, dosja Armo, dosja e ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, dosja e ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, inceneratorët, PPP-të në shëndetësi, dosja Tahiri, dosja Gjiknuri-CEZ, dosja Dako dhe dosja Tom Doshi.

Analizohen gjithashtu edhe ligjet e "kopsitura" për interesa të ngushta të një personi, ose grupi të caktuar personash a kompanish, që nga ligjet speciale për Teatrin Kombëtar, ligji i 2012 për Lotarinë Kombëtare, ligji për koncesionet dhe PPP-të, ligji special për autostradën Milot-Balldre, ai për Air Albanian dhe ligjet për ofertat e pakërkuara, deri tek rasti i fundit i Aeroportit të Vlorës.

Raporti thotë se procesit ligjvënës i mungon transparenca, justifikimi ligjor dhe konsultimi publik është formal.

“Shumica e projektligjeve propozohen nga qeveria, por dokumentet e tyre mbështetëse nuk shtjellojnë arsyet e propozimit të tyre. Qeveria anashkalon konsultimin publik, i cili, sipas raportimeve nga shoqëria civile, nuk është sistematik dhe rrallë merren në konsideratë”, thuhet në raport.

Situata, sipas gjetjeve të këtij studimi, është përkeqësuar nga ndërhyrjet e Qeverisë dhe të Kuvendit tek legjislacioni që duhet të garantojë parimin e kontrollit dhe të balancës së pushteteve, ku prirja është dobësimi i organeve dhe institucioneve që kanë kompetenca në kontrollin dhe kërkesën e llogaridhënies ndaj pushtetit ekzekutiv.

Gjergji Vurmo: Shqipëria vuan pasojat e mungesës së mekanizmave të balancës  dhe kontrollit
Përfaqësuesi i IDM-së, Gjergji Vurmo

Përfaqësuesi i IDM-së, Gjergji Vurmo tha se nga analiza e kryer del në pah se legjislacioni dhe rregullat e tjera që përcaktojnë procesin ligj-bërës më shumë kujdesen për të ruajtur “konfidencialitetin” e këtij procesi sesa transparencën. Ai citoi një ligj të 2003, që lë fakultativ dhe në dorë të vullnetit të Qeverisë procesin e konsultimit publik para ndërmarrjes së një nisme ligjore.

“Reformat kanë ecur në vazhdën e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por ato nuk kanë qenë të suksesshme në frenimin e kapjes së shtetit dhe situata është përkeqësuar dukshëm, bazuar në shqyrtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ligjeve të bëra me porosi. Këto prirje vazhdojnë pa u ndalur, pavarësisht reformave të mbështetura nga BE-ja, që synojnë krijimin e një administrate publike profesionale dhe një gjyqësor të paanshëm dhe profesional”, thuhet në raport.

Përveç lidhjes mes politikës dhe biznesit, raporti thekson se vitet e fundit është vënë re edhe përfshirja e krimit të organizuar.

“Në dekadën e fundit u forcua bashkëpunimi mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, një bashkëpunim, që vitet e fundit ka arritur kulmin e tij. Kontratat qeveritare për biznese të zgjedhura dhe të lidhura me funksionarë të spikatur publikë kanë çuar në keqadministrim të pasurive publike, humbje të jetës dhe rritje të borxheve financiare, që u rëndojnë taksapaguesve shqiptarë”, thuhet aty.

Studimi thekson gjithashtu se Qeveria i imponohet Kuvendit dhe ky i fundit ka dështuar në misionin e kontrollit të saj edhe për shkak të mungesës së ekspertizës dhe burimeve njerëzore në administratë për të analizuar në mënyrë profesionale nisma e ekzekutivit dhe situata është përkeqësuar pas djegies së mandateve nga ana e opozitës.

“Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të mbetet një sfidë e rëndësishme për shkak të trashëgimisë të një qeverie autokratike, që përpiqet të kontrollojë dy pushtetet e tjera legjislativin dhe gjyqësorin - pasigurisë së rezultateve të reformës në drejtësi, dhe një procesi politik të dominuar nga paqëndrueshmëria”, thotë raporti i TI dhe IDM.

Raporti është pjesë e një projekti të financuar nga Bashkimi Europian e që synon të ulë korrupsionin dhe kapjen e shtetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë