Ngjarje

Raporti: Covid-19 thelloi pabarazinë gjinore

Pandemia ka shtuar rrezikun për pabarazi gjinore. Gratë përveçse e kanë përballuar më vështirë psiko-emocionalisht izolimin dhe pandeminë, kanë pasur edhe më shumë pasoja ekonomike prej saj. Të dhënat rezultojnë nga një anketim i kryer nga organizatat në mbrojtjes të gruas UN Women dhe IDRA Reasearch & Consulting, i kryer gjatë periudhës 17-26 prill, përpara se individët të përfitonin ndihmën financiare dhe në të morën pjesë 1300 persona nga grupmosha të ndryshme.
Nga vlerësimi rezultoi se një në pesë persona hasën vështirësi ndaj shërbimeve shëndetësore. Në raport përcaktohet se me këtë sfidë ishin përballur më së shumti gratë, rreth 51 për qind e të anketuarave, e pjesa që e kishte pasur më së shumti këtë problem kishin qenë grupmoshat nga 18-24 vjeç.

Një tjetër detaj i rëndësishëm që vihet re në raport është edhe shëndeti mendor i të anketuarve. Rreth 69 për qind e grave dhe 57 për qind e burrave kanë raportuar se kanë vuajtur nga shqetësimet psikologjike. Në këtë kategori përfshiheshin gratë të grupmoshës 35-44 vjeç.

"Në zonat rurale, hendeku gjinor i ndikimit të pandemisë dhe masave kufizuese në shëndetin mendor ka një diferencë prej 21 për qind, duke rënduar më tepër për gratë. Krahas kësaj, gratë që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitare të dhunës në familje raportuan shqetësime psikologjike më të mëdha. Masat e izolimit për shkak të COVID-19 e kanë rritur ndjeshëm barrën e punës së pa paguar në familje si për burrat, ashtu edhe për gratë. Megjithatë, vlerësimi konfirmon se gratë kanë marrë përsipër më shumë punë shtëpie dhe përkujdesi për familjen, si dhe një në dy gra raportojnë se kanë kryer të paktën dy veprimtari të punës së papaguar në shtëpi. 46 për qind e grave dhe 67 për qind e burrave raportuan se merrnin më shumë ndihmë nga partneri/partnerja, çka vërteton shpërndarjen e pabarabartë të punës së papaguar," shkruhet më tej në rapotin e UN Women.
Më tej raporti trajton dhe gjendjen ekonomike të të anketuarve, ku është përcaktuar disa herë që Covid-19 ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë.

Rreth 15 përqind e të anketuarve raportuan se kishin humbur vendin e punës. Përpos kësaj, rezultatet nënvizojnë një ndikim shpërpjesëtimor mbi orët e punës së grave të punësuara. Sipas raportit pavarësisht statusit të punësimit, gratë raportuan se ishin më të ekspozuara ndaj reduktimit të orëve të punës dhe mundësisë së pakësimit apo humbjes së të ardhurave. 
"Orët e punës janë reduktuar më tepër tek gratë e vetëpunësuara të grupmoshës 45-54 vjeç (66.7 përqind ). Thuajse një në dy (46 për qind) gra të vetëpunësuara, që kanë fëmijë, janë detyruar të shkurtojnë oraret e punës, kryesisht për t’u kujdesur për fëmijët dhe punët e shtëpisë," thekson raporti.
Ndërkohë në raport vlerësohet se të dyja gjinitë kanë pësuar rënie të të ardhurave nga puna. Raporti përcakton se 74 përqind e grave që vareshin nga remitancat raportuan rënie të këtij burimi të ardhurash.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë