Nga Gazeta ‘Si’- Çdo verë po vë gjithnjë e më shumë në provë kapacitetet e institucioneve për përballimin e zjarreve, nga zonat urbane deri te territoret malore, ku ndërhyrja dhe kontrolli i flakëve janë më të vështira.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), gjatë vitit 2025 u regjistruan 346 vatra zjarri, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në fondin pyjor, kullotat dhe zonat e mbrojtura.
Raporti i AKM-së, që mbulon periudhën janar–tetor 2025, tregon se 282 raste u shënuan në pyjet e administruara nga bashkitë, ndërsa 64 të tjera në fondin pyjor shtetëror dhe në zonat e mbrojtura.
Flakët prekën një sipërfaqe prej 33,524 hektarësh, ndërsa 16,180 hektarë u dogjën plotësisht. Si pasojë u shkatërruan 128,598 metra kub lëndë drusore, ndërsa vetëm 25,634 metra kub mundën të rikuperoheshin dhe të përdoreshin pas zjarreve.
Përllogaritjet e AKM-së vlerësojnë se dëmi ekonomik në Fondin Pyjor dhe Kullosor Kombëtar arriti në rreth 77 milionë euro gjatë vitit 2025. Në këtë shifër nuk përfshihen dëmet e shkaktuara në banesa, bujqësi dhe blegtori.
Edhe pse Shkodra regjistroi numrin më të lartë të vatrave të zjarrit, me 37 raste, dëmet më të mëdha ekonomike dhe sipërfaqja më e madhe e djegur u shënuan në qarkun e Vlorës. Ndërkohë, Elbasani rezulton qarku me humbjen më të madhe të fondit drusor.
Vetëm në Vlorë dëmi ekonomik vlerësohet në afro 41 milionë euro, ndërsa u dogjën plotësisht rreth 10.2 mijë hektarë. Pjesën më të madhe të kësaj shifre e përbëjnë zjarret e mëdha që përfshinë disa bashki të qarkut gjatë muajit gusht. Në total, Vlora mban mbi 50% të dëmit të shkaktuar nga zjarret në shkallë vendi gjatë vitit të kaluar.
Pas Vlorës, qarku i Gjirokastrës renditet i dyti për nga vlera e dëmeve, me afro 2 mijë hektarë të djegur, ndërsa Elbasani regjistroi rreth 1 mijë hektarë të shkrumbuar plotësisht.
Sipas raportit, faktorët kryesorë që favorizojnë shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve mbeten aktiviteti njerëzor dhe kushtet ekstreme klimatike, të karakterizuara nga temperaturat e larta dhe thatësira e zgjatur.
“Djegia e mbetjeve bujqësore pa masa sigurie, hapja e kullotave të reja me zjarr, si dhe hedhja e pakujdesshme e cigareve në natyrë, janë ndër aktivitetet me rrezikun më të lartë për shkaktimin e zjarreve gjatë verës”, theksohet në raport.
Gjatë vitit 2025 u identifikuan 23 zjarre të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, tre prej të cilëve rezultuan të qëllimshëm.
Megjithatë, pjesa më e madhe e rasteve mbetet pa një shkak të përcaktuar. Raporti evidenton se 150 zjarre në territorin e bashkive janë klasifikuar si me “shkaqe të panjohura”, pasi në këtë kategori përfshihen edhe rastet aksidentale të shkaktuara nga defektet në linjat elektrike apo shkëndijat e mjeteve motorike në terrene të thata.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, viti 2026 deri tani paraqitet më i qetë sa i përket zjarreve. Deri në këtë fazë nuk janë regjistruar vatra me përmasa të mëdha që të kenë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fondin pyjor apo në zonat e banuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje