Lajme

Rama, prefektëve: Verifikoni çdo dëmtim pas tërmetit. Sot vëmendja në Durrës

Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga të gjithë prefektët që të regjistrojnë çdo dëm dhe të flasin me çdo familje të dëmtuar nga tërmeti i së shtunës. Në mbledhjen e sotme me prefektët në Ministrinë e Mbrojtjes, kreu i qeverisë tha se të gjithë prefektët do të spostohen në Durrës për të nisur menjëherë komunikimin me qytetarët.
“Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktohet për t’u dëgjuar. Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete, dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikologjik që kapërcehet me komunikim”, u shpreh ndër të tjera kreu i qeverisë.
Po ashtu edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh gjatë mbledhjes se janë vënë në shërbim të qytetarëve të prekur nga tërmetet edhe shtëpitë e pushimit në ministrinë që ai drejton.
“Policia do të jetë në gatishmëri. Prefektët do vazhdojnë të jenë në krye të këtij procesi. E rëndësishme është që të gjitha kapacitetet që kemi t’i aktivizojmë plotësisht. Shtëpitë e pushimit të Ministrisë së Brendshme do të jenë në dispozicion, që mbrëmë kanë qenë në shërim të familjeve. Por edhe shtëpitë private do vihen në shërim të qytetarëve të dëmtuar. Fokusi do mbetet Durrësi”, tha ministri Lleshaj.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, duke folur për dëmet tha se ka pasur kryesisht dëme materiale në Durrës dhe Tiranë.
“Nuk kishte humbje në njerëz fatmirësisht. Moment i frikshëm dhe me pasiguri. Do bëjmë maksimumin për të akomoduar të prekurit. Mund të bëhet një punë më e mirë nga të gjithë ne për të informuar më mirë dhe që të mos mungojë kujdesi i nevojshëm. Të ngremë një orë e më parë grupet e vlerësimet dhe për të siguruar të gjithë të prekurit për t’i dëmshpërblyer”, u shpreh ndër të tjera ministrja Xhaçka.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2129498243819052/

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë