Lajme

Tërmeti/ Johannes Hahn: I shqetësuar, BE ofron ndihmë

Pas lëkundjeve të forta të tërmeteve që goditën pasditen e së shtunës Shqipërinë, duke sjellë lëndime në njerëz dhe dëme të shumta materiale dhe panik te qytetarët vjen edhe reagimi nga Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.
Hahn me anë të një postimi në “Twitter”, shprehet se ndihet i shqetësuar dhe i trishtuar nga lëkundjet shkatërrimtare të tërmeteve që prekën Shqipërinë.
“I trishtuar dhe i shqetësuar kur mësova në lidhje me serinë e tërmeteve shkatërrimtare në Shqipëri, të cilët shkaktuan lëndimin e qindrave njerëzve dhe dëme serioze në infrastrukturë. Bashkimi Europian ofroi ndihmë menjëherë”, shkruan Hahn në një postim në Twitter.

https://twitter.com/JHahnEU/status/1175709132311146498

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga të gjithë prefektët që të regjistrojnë çdo dëm dhe të flasin me çdo familje të dëmtuar nga tërmeti i së shtunës. Në mbledhjen e sotme me prefektët në Ministrinë e Mbrojtjes, kreu i qeverisë tha se të gjithë prefektët do të spostohen në Durrës për të nisur menjëherë komunikimin me qytetarët. Menjëherë më pas, kreu i qeverisë mblodhi edhe Grupin Parlamentar të PS-së ku tha se të gjithë deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët do të ndahen në të gjitha zonat e prekura nga tërmetet, për të zhvilluar komunikime me qytetarët, të cilët vijojnë të jenë të traumatizuar nga lëkundjet e forta të tërmeteve.
Tërmeti i fuqishëm i ditës së djeshme la pas 105 persona të lënduar, dhjetë prej të cilëve në gjendje më të rëndë. Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha kryesisht në Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë